FOTOT/ Uta, alpinistja shqiptare që ka ngjitur malet më të larta në botë dhe synon Everestin…

9 Mars 2017, 18:42Sociale TEMA
FOTOT/ Uta, alpinistja shqiptare që ka ngjitur malet më të larta

Duke lënë pas stereotipat gjinorë hap pas hapi në ngjitjet e saj nëpër male, alpinistja Uta Ibrahimi do të tentojë ngjitjen e majës më të lartë të botës, Everestit ndërsa shpreson që shembulli i saj të frymëzojë gratë shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë të eksplorojnë botën dhe të ndjekin ëndrrat.

Nga Ivana Dervishi

Kur alpinistja Uta (Flutura) Ibrahimi filloi të hidhte hapat e parë në sportet e natyrës, pyetja më e shpeshtë që i drejtonin shokët e malit ishte: “A të ta mbajmë çantën e shpinës?” Ajo thotë se ndonëse i kuptonte qëllimet e tyre të mira, e ka refuzuar gjithnjë këtë ndihmë sepse besonte që ishte po aq e fortë sa ata.

Gjashtë vite më pas, Uta ka ngjitur mijëra metra që pakkujt i ka shkelur këmba dhe po përgatitet për arritjen më të madhe dhe më sfiduese të karrierës së saj si alpiniste: ngjitjen e majës më të lartë të botës, Everestit – 8,848 metra, në Nepal.

“I nisa sportet me dëshirën për me kalu një ditë më ndryshe, tash po shkon e gjithë jeta më ndryshe”, tha për BIRN Uta Ibrahimi, e cila ka studiuar ekonominë dhe ka punuar më herët për 12 vjet në marketing.

“Pas ngjitjes së Malit të Bardhë [pika më e lartë e Europës, 4,807 metra] e lashë punën dhe nisa biçikletën ndërsa bëra trajnime për turizëm dhe guidë. Atje ndodhi magjia,” tregon Uta duke qeshur dhe thotë se zyra i duket tashmë çuarje e jetës dëm.

Ajo ka hapur tanimë biznesin e saj turistik, Butterfly Outdoor Adventure që ofron guida të sporteve në natyrë në Kosovë.

Alpinistja thotë se shumicën e gjërave teknike që di për sportin e malit e ka mësuar nga eksperiencat jashtë vendit, pasi Kosova ofron ende shumë pak njohuri përveç atyre gjeografike.

“Kur jam këtu [në Kosovë apo Shqipëri] më duket se jemi mirë dhe se gjërat po bëhen avash-avash, por kur del jashtë sheh se ka shumë gjëra më të mëdha dhe se ne thjesht ekzagjerojmë ato të voglat” tha Uta për BIRN.

“Njerëzit që të shohin të përpiqesh të bësh diçka të mirë në Kosovë mendojnë së pari përfitimin personal që mund të kesh ti, por unë nuk bëj asgjë për ego veç me çu përpara vendin përballë vendeve të tjera” shtoi ajo.

Ndonëse Everesti i dukej më herët si ëndërr e çmendur, vetëbesimi i saj nga maja në majë e kanë çuar gradualisht drejt “çatisë së botës”.

“Kur ngjit një mal në vendin tonë, sheh që je në ‘top’ [majë] dhe në atë zonë s’ka maja të tjera, por në Himalaja pas çdo maje ka të tjera. Në Everest kur të hyp atje, s’ka më lart.”

Një vit më parë, ajo mori propozimin nga shoqata Dajti Alpino-Turistik për të qenë ndër të paktat gra shqiptare që do të ngjitet në 8,848 metra. Kryetari i shoqatës, Xhimi Begeja thotë se kjo ekspeditë është më e shtrenjta në sportet e natyrës, pasi trajnimi përgatitor, udhëtimi dhe ekspedita në vetvete kapin vlerën e 75 mijë eurove.

I ndodhur në kufi mes Nepalit dhe Tibetit, Everesti është pjesë e vargmalit Mahalangur dhe përbën një sfidë të rrezikshme për shkak të shkëmbinjve të thepisur, akullit që thyhet, ajrit jo të dendur dhe temperaturave që luhaten shumë.

“Para se të ngjitesh mendon ‘ta kisha pas edhe një javë’; megjithatë trupi im ka treguar se është rehatu shpejt në Himalaja. Kam punuar që të kem gjendjen mendore dhe fizike mirë” tha alpinistja Ibrahimi që përgatitet tashmë prej një viti për ekspeditën.

Ajo mendon se ndërsa sportet në natyrë përgjithësisht janë të asociuara më shumë me burrat, gratë kanë treguar ‘se ne jemi të forta sa djemtë, ndoshta edhe më të forta”.

Raportet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut tregojnë se gratë në Kosovë dhe Shqipëri ende jetojnë të kufizuara brenda stereotipave shoqërorë që i lidhin ato me përkujdesin e shtëpisë dhe fëmijëve, ndërsa gëzojnë pak të drejta pronësore, janë viktima të dhunës gjinore dhe diskriminimit.

Për Utën, pavarësisht presionit shoqëror gratë nuk e kanë vendin në shtëpi, por atje jashtë nëpër botë duke bërë ëndrrat e tyre realitet.

“Gjithçka ç’ka don me bo, ki me e arrit me punë, sakrificë dhe duhet me e dasht shumë që t’munesh!” thotë alpinistja shqiptare e Kosovës duke iu drejtuar grave dhe vajzave shqiptare.

Alpinistja do të niset më 16 mars për në Nepal dhe pas një përgatitje dy mujore në terren, mendohet që më 20 maj të provojë të ngjisë majën e Everestit.

2 komente në “FOTOT/ Uta, alpinistja shqiptare që ka ngjitur malet më të larta në botë dhe synon Everestin…”

  1. kastravec dhe tronguj says:

    qenka ngjit edhe ne maj te malit korab.
    e paska xon vapa dhe I ka hjek sytjenat..
    cicat ne liri te plot..
    cicat more cicat
    mu ne maj te malit
    nxirren ne liri

  2. albi says:

    Uta qeka alamet thele

    bravo

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje