Sajmir Vishaj: Politika s’ka interes për zbatimin e Vettingut, po tentohet shtyrja pas zgjedhjeve. Të shkohet në referendum

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Ngritja e dy komisioneve të vetingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit, praktikisht janë bllokuar. Mazhoranca shtyu ngritjen e komisionit ad hoc që do të zgjedhë kandidatët për dy komisionet e vetingut, me argumentin se nga lista e parë janë vetëm 21 kandidatë nga 27 vende vakante.

Dhe do të shihet mundësia që të shqyrtohen dhe kandidatët e listës së dytë, të cilët janë skualifikuar vetëm për shkak të mungesës së disa dokumenteve. Por arsyeja kryesore e shtyrjes së ngritjes së këtij komisioni, ishte bojkoti i opozitës në Parlament.

Avokati i njohur, Sajmir Vishaj, në një prononcim për gazetën “Sot”, ka deklaruar se ky proces duhet të shkojë në referendum, sepse politika nuk ka interes të zbatojë vetingun shkruan Sot. Vishaj shprehet se gjithçka do të mbetet pas zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit.

“Kur në grupin e ekspertëve nuk kishte dakordësi mes subjekteve politike, kjo reformë do të shkonte drejt dështimit. Dhe në momentin që 140 deputetët votuan një reformë pa e lexuar, kjo do të ndodhte. Palët kujtojnë se subjektet politike bëjnë reformën. Reformën duhet ta bëjnë qytetarët, dhe reforma i shërben qytetarëve dhe jo subjekteve politike. Nesër subjekte politike do të jenë subjekt të arrestimit, prandaj nuk e dëshirojnë vetingun”, u shpreh Vishaj.

Avokati Sajmir Vishaj e konsideron të dështuar procesin e ngritjes së dy komisioneve të vetingut. Ai thotë se, për sa kohë nuk do të ketë dakordësi politike, vetingu do të jetë i dështuar. Vishaj thekson se reforma në drejtësi i intereson vetëm qytetarit, pasi subjektet politike mund të rrezikojnë të bëhen subjekt i arrestimit. “Ndërsa nuk ka dakordësi, ky proces është i dështuar.

Duhet patjetër që kjo reformë të ketë dakordësinë e palëve. Duhet të shkohet në referendum. Duhet të vendosë qytetari, sepse atij i dhëmb më shumë sesa politikanit; politikani do të ruajë statusquonë, kurse qytetari shkon në gjyq për të marrë drejtën dhe merr padrejtësinë. Aktualisht jemi në prag të zgjedhjeve dhe gjithçka do të kalojë në shtator-tetor.

Nuk ka asnjë dritë jeshile për ngritjen e institucioneve kushtetuese”, thotë Vishaj. Ndërkaq, në një kohë kur Parlamenti duhet të ngrejë komisionin Ad-Hoc për të zgjedhur 27 anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Apelimit, opozita i shpall bojkot punimeve të Kuvendit.

Vishaj deklaron se bllokimi i vetingut si rrjedhojë sjell edhe bllokimin e ngritjes së organeve të reja, siç janë KLGJ dhe KLP, të cilat kanë një rol të rëndësishëm në emërimin dhe shkarkimin e individëve në institucionet e drejtësisë. Ai thotë se zgjidhja e vetme është arritja e dakordësisë, që duhet të kulmojë me ngritjen e komisionit të posaçëm Ad-Hoc.

“Pa u krijuar komisionet e shkallës së parë dhe të dytë të vetingut, nuk mund të funksionojë asnjë institucion kushtetues, që janë KLGJ dhe KLP, të cilat do të fillojnë të emërojnë ose shkarkojnë personat që mund të jenë të korruptuar nga ana e vetingut. Nëse nuk ka dakordësi mes palëve, reforma do dështojë”, deklaroi Vishaj.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *