Ankthet e dyshes Berisha - Basha, si imponim për Shqipërinë!

10 Mars 2017, 10:27Blog TEMA

Nga Altin Ketro

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, arriti t’u imponohet aleatëve të vet që të dalin me një deklaratë të përbashkët për të mos u regjistruar në zgjedhjet e 18 qershorit, rrjedhimisht, për të mos marrë pjesë në to. Arsyeja e njohur deri më tani është mosbesimi që opozita ka se qeveria, ose më saktë kryeministri Rama, nuk do të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme.

Me ligj zgjedhjet i organizon historikisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por mesa duket opozita mendon që qeveria ka mënyra të tjera për të futur duart në zgjedhje. Në fakt, deri diku kanë të drejtë, sepse kur kanë qenë kaposhë majë plehut, kanë ditur sesi ta përdorin pushtetin për qëllime elektorale.

Lulzim Basha dhe aleatët rreth tij po këmbëngulin me forcë që të bjerë qeveria Rama dhe të formohet një qeveri transitore teknike që do merret me përgatitjen e zgjedhjeve. Për këtë kanë ngritur edhe Çadrën e Mëkatarëve, me shpresë për t’iu imponuar mazhorancës parlamentare në arritjen e qëllimit të tyre të mbrapshtë.

Deri më sot, në historinë 27 vjeçare të demokracisë shqiptare, nuk ka patur asnjë precedent të ngjashëm ku një shumicë është solide dhe me mandate që tejkalojnë minimumin që duhet për të mbajtur në këmbë qeverinë, të rrëzohet vetëm se këtë e kërkon opozita. Edhe nëse do të fusim në analizë rrëzimin e qeverisë së djathtë në vitin 1997, ngjarjet nuk përkojnë pasi atëherë kriza u krijua si rezultat i rënies së skemave mashtruese piramidale që u ndërthurën edhe me zgjedhjet e manipuluara të 26 majit 1996.

Nga logjika politike, opozita dëshiron rrëzimin e qeverisë qysh të nesërmen e krijimit të saj, e jo më tri muaj para zgjedhjeve. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kryeministrin, sepse asnjë opozitë në botë nuk dëshiron të ketë rivalitet me një kryeministër të fortë (kupto: me mbështetje popullore) që ia pamundëson ardhjen në pushtet.

Precedenti që kërkon të krijojë Lulzim Basha mund të duket interesant sot për sot, por ai do të kthehet në bumerang për çdo qeveri të djathtë në të ardhmen, sepse do u kërkohet të lëshojnë pushtetin në prag të zgjedhjeve me argumentin e mosbesimit që opozita e kohës do të ketë. Kjo do të ishte diçka normale në kushtet e reciprocitetit, pavarësisht se e djathta, deri më sot, ka treguar se është e gatshme ta çojë vendin në prag të luftës civile, të shkatërrojë ekonominë dhe shtetin në tërësi, e veç pushtetin të mos e lëshojë (kriza e vitit 1997). Sepse kjo e “djathtë” deri më sot ka ecur qorrazi me teorinë: “bëni si them unë, mos bëni si bëj unë”.

Rasti më i fundit është Reforma në Drejtësi, ku kësaj farë opozite i është dhënë më shumë seç i takon realisht dhe ajo po e përdor në mënyrën më të keqe për vendin (por më të mirën për interesat e saj), duke i dalë kundër Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, të investuara fort e drejtpërdrejt në këtë reformë. Këto janë disa shembuj kuptimplotë për të na e bërë të qartë se halli i opozitës nuk janë zgjedhjet e lira e të ndershme (që absolutisht do jenë të tilla), por pafuqia e saj për t’u përballur me këtë mazhorancë.

Duke mos patur kurajë ta pranojë publikisht këtë, sepse do ishte vetëvrasje politike, gjejnë kleçka mbi kauzat serioze për të manipuluar mendjen e asaj shtrese votuesish që nuk janë shumë të interesuar për politikën e ditës. Në çdo vend demokratik, kjo kërkesë e opozitës do të konsiderohej kapitullim politik i liderit të saj (kryeministër në hije), përballë kryeministrit në detyrë.

Përpos këtyre, idenë për qeveri teknike personalisht e konsideroj aventurë për vendin. Këto lloj qeverish nuk kanë asnjë përgjegjësi politike, asnjë mandat të votuar prej popullit dhe si të tilla kanë qenë dështim i plotë në Shqipëri, shoqëruar me pasoja të rënda veçanërisht në aspektin ekonomik. Kjo, pasi e gjithë puna e aparatit shtetëror shkrehet, qeveria ka autoritet të kufizuar veç për zgjedhjet (edhe këtu jam i paqartë se ç’rol do të luajë), si rrjedhojë rritja ekonomike do përkeqësohet, taksapaguesit nuk do e marrin seriozisht, e kështu me radhë një sërë hallkash të cilat nuk do të funksionojnë siç duhet, duke ndikuar negativisht.

Personalisht nuk dua të bëj orakullin e të parashikoj se çdo të ngjasë deri më 18 qershor, por në skenarin më të keq, më mirë vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme me këtë qeveri, sesa të bjerë dakord për një qeveri teknike që vetëm stabilitet nuk do të sjellë për vendin. Pas një shkretimi financiar që la qeveria Berisha dhe një sforcimi të madh që bëri qeveria Rama këto 3.5 vjet për ta sjellë në hulli këtë vend (edhe me koston politike të reformave radikale po të domosdoshme), Shqipëria nuk e ka më luksin t’i hyjë eksperimenteve të laboratorëve politikë vetëm e vetëm se liderit formal të opozitës i rrezikohet e ardhmja politike. Zvarritja që ai po i bën përmbylljes së Reformës në Drejtësi, duke vonuar në kohë edhe integrimin e vendit në strukturat evropiane, janë eksperimenti më i keq për të kuptuar se sa e rëndësishme është vota e gjithsecilit në zgjedhjet e 18 qershorit.

Mbështetja për bojkot të zgjedhjeve që disa kryetarë partiçkash japin (me ndonjë përjashtim të vetëm), është logjike se ata po s’u futën në listat e PD-së nuk bëhen dot deputetë. Unë besoj se opozita ka aq mendje të ndriçuara e me integritet, që s’do e lënë aventurierin Basha t’i nxjerrë nga jeta politike e vendit, investim që ata kanë vite që me personalitetin e tyre e kanë ngritur. Do të jenë pikërisht këta (pa bërë diversion), që do ta detyrojnë Lulzim Bashën të përballet me Edi Ramën në zgjedhje, jo thjesht për çështje karriere, por se një parti e madhe dhe historike si Partia Demokratike, nuk mund të mbetet peng i anktheve që kanë dyshja siameze Berisha dhe Basha. Ankthe që duan t’ia imponojnë gjithë shoqërisë, një Shqipërie të tërë. Kjo s’do të ndodhë kurrë!

5 komente në “Ankthet e dyshes Berisha – Basha, si imponim për Shqipërinë!”

  1. Lani says:

    Kompliment per lidhjen e fotos me titullin

  2. Liu says:

    Bravo per shkrimin brilant dhe shume domethenes

  3. . says:

    – Kudo sot ne media dhe shtyp flitet per “MASAKRAT” e 97-tes ku del vetem emri i krye kriminelit-komunist, psikopatit verior SALI BISHA … prandaj populli kerkon Drejtesi te Vertete dhe VETINGUN per te arrestuar kete bishe-shpellash.

  4. sonja says:

    . O NJERËZ!!!!
    MENDONI 4 VJETËT E LUL-GJUMASHIT NË BASHKI,
    DHE JEPJANI QEVERINË PO TË DONI.!
    PO JA DHATË, HAK E KENI.!

    EU(??) dhe SH.B.A,(??). na kanë dalë borxhit.!

  5. Korçari says:

    Salushi e Lul-ushi; dy kryehajdutët e Shqipërisë, kryekriminelët gjakatarë, vrasës të shqiptarëve, kryetradhtarët e Kombit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje