Detyrat e Komiteteve të PD për prishjen e zgjedhjeve, “guerriljet” që do të thirren në ndihmë…

Partia Demokratike, ditën e mërkurë, në kuadër të strategjisë për bllokimin e zgjedhjeve të 18 Qershorit, në mungesë të plotësimit të kushtit për krijimin e një qeverie të përbashkët, ka vendosur ngritjen e disa strukturave ilegale, të quajtura Kuvendet Qytetare për Zgjedhjet e Lira dhe të Ndershme Anembanë Shqipërisë.

Po çfarë janë Kuvendet Qytetare dhe cili do të jetë roli i tyre në raport me zgjedhjet e qershorit? Burime nga pjesëmarrësit në mbledhjen e koalicionit qytetar thanë për Shqiptarja.com se, këto Kuvende Qytetare, të ngjashme me Komitetet e Shpëtimit, kanë si detyrë të pamundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të 18 Qershorit, në kushtet bojkotit të opozitës.

Në varësi të zhvillimeve politike dhe në mungesë së një zgjidhjeje politike në horizont, Komitetet do të jenë mekanizmi ose arma e opozitës për prishjen e zgjedhjeve parlamentare, çka mund të çonte në përplasje sociale dhe destabilizim të vendit. Këto struktura do të mbledhin gjithashtu informacione dhe fakte rreth çdo lëvizje të përfaqësuesve të shumicës në raport me zgjedhjet.

Ndërkaq, modalitet e ndërhyrjeve të paligjshme për të sabotuar procesin e votimit në 18 Qershor do të përcaktohen në ditët në vijim nga Partia Demokratike, por aktualisht, deputetët e opozitës, drejtuesit e strukturave të Partisë Demokratike dhe të partive të të tjera të djathta, janë udhëzuar që të angazhohen për rekrutimin e njerëzve për krijimin e këtyre Kuvendeve Qytetare.

Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse këto struktura do të kthehen në një realitet politik. Gjithashtu, me interes pritet edhe reagimi i Policisë së Shtetit, Prokurorisë, mazhorancës dhe faktorit ndërkombëtar. Ka një perceptim të fortë, sipas të cilit, me anë të kësaj lëvizjeje ekstreme, opozita kërkon të evitojë një humbje të mundshme përballë koalicionit PS­LSI, por të shtyjë në një kohë të pacaktuar zbatimin e Reformës në Drejtësi.

Përbërja e Kuvendeve Qytetare

Deputetë të Partisë Demokratike, anëtarë të Kryesisë dhe të Këshillit Kombëtar, drejtues degësh dhe përfaqësues të partive të tjera aleate, do të angazhohen në terren për konstituimin e Kuvendeve Qytetare me personazhe me peshë në komunitetin ku jetojnë, për një bllokim të mundshëm të zgjedhjeve.

Edhe pse kjo lëvizje bie ndesh me kauzën trevjeçare të opozitës për dekriminalizimin dhe disa parime të mbrojtura të paktën verbalisht nga kryetari Lulzim Basha, opozita synon të afrojë pranë saj grupe të fortësh dhe me të shkuar të dyshimtë. Pjesë e Kuvendeve ose e Komiteteve do të jenë sigurisht komisionerët e besuar të Partisë Demokratike, anëtarë të forumeve lokale, militantë, personazhe të inatosur me qeverinë etj.

Mesazhi i Bashës

Pas vendimit për ngritjen e Kuvendeve Qytetare, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka artikuluar një mesazh të qartë. “Jo more zotërinj, nuk do t’ia hidhni kaq lehtë. Nuk ka për të patur bojkot zgjedhjesh, sepse zgjedhje fasadë me krimin, nuk do të ketë. Qytetarët shqiptarë janë të vendosur. Rezistenca civile, mosbindja civile, armata e republikës së re do të pengojë me të gjitha mjetet popullore, qytetare, demokratike dhe paqësore, zgjedhjet me krimin, zgjedhjet me drogën dhe zgjedhjet fasadë. Ua kemi dhënë paralajmërimin nga ky shesh me 18 Shkurt. Ua përsërisim ditë për ditë, e natë për natë. Ngule mirë në mendje. Zgjedhje fasadë nuk ka për të pasur më në Shqipëri”, ka deklaruar Basha.

 

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...