Gardiani i burgut komunist vihet nën akuzë për vdekjen e 102 të burgosurve

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Një ish-roje në burgun e Galatit në periudhën komuniste u vu nën akuzë në Bukuresht për vdekjet e 102 të burgosurve, shumica të dënuar politikë, pasi historianët që studiojnë krimet e komunizmit mblodhën dhjetëra dëshmi.

Nga Ana Maria Touma

Prokurorët në Gjykatën e Lartë të Rumanisë ngritën akuza penale për një ish roje burgu të kohës së komunizmit, nën mbikëqyrjen e të cilit, 102 të burgosur – 90 prej të cilëve, të burgosur politikë – u vranë dhe u varrosën në varre masive në portin e Galatit mbi Danub mes viteve 1959 -1961.

Koloneli në pension Marian Petrescu, 86 vjeç, është nën akuzë për trajtim çnjerëzor të të burgosurve.

Ky është rasti i dytë i tillë në vitet e fundit pas atij të Alexandru Visinescu, një ish drejtues burgu në Ramnicu Sarat, u dënua me 20 vjet burg më 2015 për krime kundër njerëzimit në lidhje me vdekjen e 12 të burgosurve, të cilët u torturuan dhe u lanë të vdisnin urie.

Aktakuza thotë se Petrescu është përgjegjës për vdekjen e 102 të burgosurve, përfshirë 90 të burgosur politikë, të cilët qenë rrahur, torturuar, trajtuar në mënyrë poshtëruese para se të vriteshin.

Pas vdekjes së tyre, familjet nuk u njoftuan kurrë ndërsa viktimat u varrosën në varre anonime në oborrin e burgut. Eshtrat e tyre nuk u identifikuan kurrë.

Rasti i Petrescut u zbulua në qershor 2016 nga historianët e Institutit të Rumanisë për Hetimin e Krimeve të Komunizmit dhe Memories së Rumunëve në Ekzil.

Ata publikuan një dosje me 45 dëshmi të ish të burgosurve në burgun Galati. Instituti dorëzoi kallëzim penal në zyrën e prokurorit.

Sipas dosjes, koloneli në pension qe përgjegjës për shumë kampe pune dhe burgje nga viti 1957 deri në vitin 1979.

Atij i qenë dhënë medalje gjatë regjimit komunist për “shërbimet e tij për shtetin dhe rendin shoqëror.” Në Galati ai pati shërbyer nga viti 1959 deri më 1966.

Vasile Neculeita Teofil, një nga të burgosurit e Galatit, tha se ai u mbajt i izoluar dhe me sy të mbuluar në qelinë e tij kur qe marrë në pyetje.

“Nuk thashë kurrë se çfarë deshën ata të më thonin. Ata më thyen dhëmbët. Më rrahën… nuk mund të mbaja nofullat e mbyllura… për dy javë u rraha vazhdimisht,” rikujton ai.

“Dy herë në ditë ata na morën në pyetje dhe na thanë se çfarë duhej të pranonim. Por unë kurrë nuk pranova asgjë, megjtihëse dija gjëra, por nuk pranova asgjë,” shtoi ai.

Roja “me goditste me me grusht fillimisht, pra që nofulla ime të ikte mënjanë dhe unë përpiqesha ta ktheja në vend. Ata na rrahën fort me grushte.”

Teofil u dënua me 15 vjet punë të detyruar.

Rasti i Petrescut do të paraqitet në Gjykatën e Apelit në Bukuresht.

BIRN

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *