Tahiri, ndërmjetësim ndërkombëtar për krizën apo kulisë shqiptare?

Nga Skënder Minxhozi

Lajmi i dorëheqjes së mundshme të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri krijoi një efekt surprizë në ambjentin politik e mediatik të Tiranës.

I përfolur prej ditës së djeshme, ai mbetet për t’u konfirmuar zyrtarisht, megjithëse jepet si një lajm i sigurt fakti që Tahiri i ka paraqitur zyrtarisht Ramës dorëheqjen nga posti.

Në një qeveri e cila ka qenë dukshëm konservatore në lëvizjet e ministrave gjatë katër viteve të fundit, ikja e ministrit të Brendshëm mund të shihet si një zhvendosje e fortë tektonike në prag të zgjedhjeve presienciale e politike dhe në mesin e një përplasje të ashpër politike me opozitën. Pa harruar negociatat delikate me aleatin e vogël problematik, Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Rama ka rezistuar gjatë ndaj kërkesave të përsëritura dhe insistuese të Metës, për të larguar Saimir Tahirin.

Ministri i Brendshëm më i atakuar nga opozita dhe një pjesë e shumicës në harkun e 26 vjetëve pluralizëm (qindra konferenca shtypi e sulme në Kuvend nga e djathta), shihej rregullisht nga kryeministri si një nga qendrat e palëvizshme të pushtetit të tij ekzekutiv dhe si një kartë e vlefshme në të gjitha rrethanat.

Largimi eventual i ministrit Tahiri, kur në bulevardin qëndror është ngritur çadra e opozitës, kur reforma në drejtësi ka ngecur në rezitsencën e PD dhe skepticizmin bezdisës të LSI, si dhe kur zgjedhjet e qershorit po afrohen dhe roli i ministrisë së brendshme në to mbetet gjithsesi delikat – të gjitha këto elemente të mozaikut politik, e bëjnë tejet sensitive pozitën dhe rolin e kreut të dikasterit të punëve të brendshme.

Në një plan hipotetik, largimi i Saimir Tahirit në këtë moment, mund të prodhohej nga dy faktorë kryesorë: nga një ndërmjetësim ndërkombëtar për të zgjidhur krizën e bulevardit dhe shbllokuar reformën në drejtësi (vizita e Ramës në Gjermani dhe takimi Basha-Lu), ose si një rezultat i presionit të fortë mbi Ramën, kryesisht nga brenda maxhorancës, si dhe për shkak të kolapsit ku është futur kriza me opozitën. Megjithëse mbetet e vështirë të konceptohet që kryeministri, pasi duroi presionet e LSI dhe opozitës për të larguar Tahirin, ta hedhë këtë hap pikërisht tani. Kjo është një mundësi e vogël, por që duhet marrë gjithsesi në konsideratë.

Nëse, në anën tjetër, largimi i Tahirit ka lidhje me një spektër të gjerë lëvizjesh, në kuadrin e një ndërmjetësimi ndërkombëtar të mundshëm, për të dalë nga qorrsokaku politik, ligjor dhe elektoral ku ndodhet Shqipëria, dorëheqja e kërkuar e ministrit të brendshëm mund të shihej si një variante e darkës së Krokodilit, që mund të provokonte më pas mbylljen e protestës, kthimin e opozitës në komisionet e vetingut dhe hyrjen e PD në zgjedhje.

Edhe ky variant mbetet për t’u verifikuar, nga momenti që opozita ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se nuk kërkon koka brenda qeverisë, por largimin e të gjithë kabinetit. Në një rrethanë të tillë çadra opozitare mund të bëhej edhe më agresive në të ardhmen sesa sot.

E sigurt është se një largim i ministrit Tahiri do të krijonte lëvizje dhe pështjellim në statu quo-në politike të vendit, brenda dhe jashtë maxhorancës aktuale.

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...