ANALIZË/ A fryjnë erëra ruse në çadrën e PD-së?

Atje ku ka shkelje në besë mund të presësh gjithçka! Në morinë e çudirave politike që ka prodhuar çadra e opozitës shqiptare në mbi 20 ditë, ku janë thyer të gjithë ligjet dhe normat e rregullave politike të sistemit, deri dhe në çmontimin e këtij të fundit, gati askush nuk është marrë me një aspekt të imët (a)moral: prerja në besë që PD u ka bërë ndërkombëtarëve për Reformën në Drejtësi.

Pasi mori ç’deshi prej tyre me garancinë e mbështetjes me votë – edhe pse ishte në minimumin e saj historik të përfaqësimit parlamentar –  siç ndodhi fillimisht me ndryshimet kushtetuese të 21 korrikut, ajo nisi vicklat – duhet thënë, të shtuara duke nuhatur ardhjen e Trump-it në pushtet – dhe më pas braktisjen totale, siç po ndodh me Vetingun e të tjera procese, tashmë që administrata e Uashingtonit udhëhiqet nga manjati i  njohur.

Dhe mos mendojë kush se një sjellje e tillë nga PD do mund të bëhej vite më parë. Aspak! Kjo parti, që në fakt është vetëm një individ – Sali Berisha  – i injektuar si formë ndjesie e mendimi te çdo individ brenda saj, anëtar i thjeshtë apo zyrtar, po i bën të gjitha veprimet duke u avantazhuar nga zhvillimet ndërkombëtare. Berisha është mjeshtër për të shfrytëzuar të gjithë llojet e situatave për ambicjet e veta. Mos harrojmë që ai është një ish-komunist, që zgjodhi të jetë i tillë nën komunizëm; e që më pas nuk e pati për gjë që të bëhej demokrat, sapo e parë që komunizmi mori fund, pa u marrë për asnjë çast me ndërgjegjen e vet. Besohet se në tipologjinë e tij karakteriale, ai nuk ka ndonjë ideal të përcaktuar politik a ideologjik, për të cilin përpiqet, lufton e sakrifikon. Në ndihmë për këtë na vjen Enveri, i cili vështirë të ketë qenë vërtet komunist. Ky i fundit, si një aventurier me ambicie për pushtet, thjesht shfrytëzoi bukurmirë kohën, trendin e saj, duke zgjedhur të hiqet si komunist në çastin ku e kuptoi se vetëm si i tillë do mund të arrinte majat e pushtetit.

Dhe në këtë pikëpamje, nuk është çudi që dhe Berisha të jetë duke bërë llogari të ngjashme, teksa ariu rus turfullon e është gati t’i zgjasë kthetrat nga rajoni.

Sepse ngrihen disa pyetje: si e ndërmerr këtë aksion PD pa patur qoftë dhe një mbështetje të vetme ndërkombëtare? Kujtojmë se ndryshe nga greva e urisë e socialistëve, ku së paku këta të fundit kishin një mbështetje nga e majta në parlamentin europian, PD as PPE-në nuk e ka mbështetje.

Si do mundet ajo nesër të pretendojë ardhjen në pushtet, kur e ka pataksur Uashingtonin dhe Brukselin, madje dhe Berlinin, me prerjen në besë që u ka bërë? Përvoja politike që ka Berisha nuk do e linte atë kurrë të gabonte në këtë pikë. Ai është njeriu që falë Perëndimit ka ardhur dy herë në pushtet, në ‘92 dhe 2005-ën. Madje falë Perëndimit i është lënë dhe një mandat tjetër katërvjeçar në 2009-ën. Por ai tashmë po vepron si një pjesë e elitës shqiptare të Perandorisë Osmane, nga ata më të përkëdhelurit, që pasi e nuhatën rënien e saj, nuk e patën për gjë të bëjnë plangprishësin, jo aq për atdhenë sesa për karrierat e tyre. Kështu po vepron dhe PD me Berishën, duke shfrytëzuar “ditën e keqe” në të të cilën ndodhet aksi politik VeriAtlantik.

Deklarimet e një ditë më parë nën çadër me stil turfullues ndaj ndërkombëtarëve duke i cilësuar ata dhe si mafia, edhe pse emocionale në dukje, e kanë fillin logjik si pasojë e ftohtësisë së përllogaritjes politike në bazë të asaj se çfarë po ndodh në arenën ndërkombëtare. Dhe sërish pyesim: nga e pret mbështetjen PD në gjithë aksionin e saj politik? Kë do ketë në krah vitet që pasojnë?

Dhe është momentin që me këtë rast t’u rikthehemi dhe njëherë protestave anti-kimike: a menduan për një çast ata që mbushën bulevardin para Kryeministrisë me frikën naive se mos pikonte ndonjë kimikat nga automjetet transportuese e na bënte gjëmën, se kush po fërkonte duart diku larg nga refuzimi që po i bëhej aleatit të madh, SHBA-së? Më pas, me ç’kurajo Basha priste në besë Arvizunë, që, ndërsa në SHQUP i jepte “Ok” për mbështetje të aksionit amerikan, nga ana tjetër ulej në bulevard me Berishën, thënë troç kundër Uashingtonit?

Prej dy ditësh po bëhen disa deklarime radhazi të krerëve të Brukselit mbi rrezikun e ndikimit rus në Ballkan. Sakaq, ka vend për të menduar se nuk është thjesht rastësi që të ngarkuarës së lartë e BE-së, Frederika Mogherini, i has sharra në gozhdë me Dodikun e Republika Srpska, me Ivanovin e Maqedonisë dhe me Bashën e PD-së në Tiranë. Për dy të parët nuk ka ç’fshihet se në ç’ombrellë përkrahjeje janë strehuar; ndërsa për të tretin, edhe pse nuk mund të thuhet e njëjta gjë, së paku nuk ka pse mos mendohet se në llogaritë politike poshtë çadrës, lapsi mos e ketë shënuar dhe fryerjen e erërave ruse, asaj së cilës po i trembet fort Perëndimi, duke parë destabilitetin politik në rajon.

Është tipikisht një ruletë ruse që Berisha dhe Basha janë të detyruar ta luajnë për ta bërë të pamundur Reformën në Drejtësi dhe të mundur një riardhje në pushtet nga kaosi, pasi në gjendje normale vështirë të ndodhë. Në gjendjen ku janë nuk kanë c’të humbin, si njëri e si tjetri e si partia që udhëheqin. /tesheshi.com/

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...