INTERVISTA/ Rrëfehet skocezi, që ka bërë 11 vite burg në Shqipëri për abuzime seksuale. Dy dëshmitarët: Ishim fëmijë, na manipuluan. Gënjyem për abuzimet

13 Mars 2017, 09:32Kronika TEMA
INTERVISTA/ Rrëfehet skocezi, që ka bërë 11 vite burg

Intervistoi për gazetën Sunday Mail, Muhamed Veliu

Rasti i bujshëm i dënimit të tre britanikëve në Shqipëri në vitin 2009 për abuzime seksuale, në një shtëpi ku strehoheshin fëmijët e rrugës ka marrë një kthesë të papritur për njërin prej tyre.

John David Brown drejtori fondacionit “Fëmijët e Tij” i arrestuar në 2006 dhe i dënuar me 20 vite burg mund të lirohet.

Pas 11 vite në burgun 302 Mine Peza, Brawn shpreson të marrë pafajësinë dhe të lirohet pasi dy nga fëmijët që dëshmuan për prokurorinë kundra tij atëherë në moshën 6 dhe 7 vjeç, tani thonë se ata u manipuluan dhe u detyruan të thoshin se edhe David Brown krahas Robin Arnold dhe Dino  Christodoulou kishte abuzuar me ta.

Të dy djemtë tashmë në moshë të rritur po përpiqen të japin përpara gjykatës penale në Tiranë dëshmitë e tyre, për të treguar të vërtetën.  Ata mohojnë të jenë abuzuar edhe nga skocezi John David Brown.

Marrja e dëshmisë së tyre për efekt të rishikimit të dënimit nga Gjykata e Lartë, deri këto momente ka dështuar pasi prokuroria në tre seancat e zhvilluara në Shkurt dhe Mars 2007  për Sigurimin e Provës nuk ka dërguar prokuror.

Megjithatë Andon Qoshlli tani 22 vjeç  dhe Denis Aliu 18 vjeç, kanë dhënë dëshmitë e tyre për gazetën skoceze Sunday Mail, nga  ku me detaje tregojnë se si u manipuluan në dhënien e dëshmive kundra Brown.

Për herë të parë pas 11 vitesh në burgun shqiptarë, për këtë gazetë  ka folur përmes një interviste të gjatë edhe 66 vjeçari skocez i cili thotë se do të luftojë deri në fund për të marrë pafajësi. “Erdha në vendin tuaj për të ndihmuar fëmijët e rrugës dhe kjo më është mohuar ta bëj. Ajo që mora është burgu gjë e cila ma ka thyer zemrën time” thotë ai.

Kur ishte hera e parë që keni mbërritur në Shqipëri?

Në vitin 1999 lajmet në median e vendit tim raportonin për krizën kosovare. Në Skoci nisi një apel për ndihmë, ku unë isha menaxher për i një depoje ku grumbulloheshin ndihmat.  E pashë të nevojshme se ndihma më e madhe nevojitej në terren pra në Shqipëri. E ndjeva se duhet të vija në vendin tuaj. Mundësia mua dha duke shoqëruar një karvan me ndihma që u nis nga Skocia dhe në Maj 1999 mbërrita në Shqipëri, përmes portit të Durrësit. Qëndrova në qendrën Stivens për një javë. Gjatë qëndrimit në këtë qendër u takova me fëmijët e rrugës .

Si lindi ideja që ju të hapnit një shtëpi bamirësie për fëmijët e rrugës?

Pas kësaj vizite të parë unë u riktheva në Shqipëri, pasi e ndjeva që këtu ishte një nevojë e madhe për të ndihmuar këta fëmijë të rrugës dhe parë mundësitë së çfarë mund të bëja, që ti ndihmoja ata.  Fillimisht çdo ditë nisa ti shpërndaja atyre ushqime dhe medikamente.  Kjo që bëja nuk mjaftonte të ndryshoja situatën. Lipsej të bëja më shumë.  Në vitin 2000 njoha 4 fëmijë në Yzberisht të braktisur nga familja e tyre.  Ata ishin të pa shpresë dhe askush nuk i ndihmonte. Kjo më bëri që merrja me qira një shtëpi dhe të krijoja një fondacion për të shpëtuar nga rruga edhe të tjerë fëmijë.  

7 vite më vonë nga ardhja juaj në Shqipëri në vitin 2006 u arrestuat dhe u akuzuat për abuzime seksuale me fëmijët e qendrës tuaj. Në nëntor 2008 u shpallët fajtor për këtë akuzë dhe u dënuat me 20 vite burg për ti vuajtur në një burg të sigurisë të lartë. Gjyqtari Gert Hoxha duke lexuar dënimin u shpreh se ju “jeni një kërcënim për shoqërinë pasi e kthyet organizatën tuaj bamirëse në kamuflazh për abuzime seksuale”. Cili ishte reagimi juaj i parë ato momente menjëherë pasi iu dha dënimi?

Të jem i sinqertë me ju, e gjitha ishte tronditëse për mua. Kurrë nuk e besoja se do të arrinin ta bënin këtë. Të gjitha argumentet mbrojtëse  që u paraqitën nga avokatja ime nuk u morën në konsideratë. Akuzat ishin të tmerrshme, sepse ishin të pabazuara në prova për ato që thoshte prokuroria.

Në dhjetor 2004 rreth 18 muaj përpara se ju të arrestoheshit u takuan në Hotel Rogner me oficerë  britanik të National Criminal Intelligence Service (NCIS) të stacionuar në Tiranë. Cili ishte qëllimi takimit? Çfarë u tregove atyre?

Po. Takimi u zhvillua në hotelin Rogner, pasi atë moment fëmijët më kishin treguar se ishin abuzuar. Ishte Andoni një prej fëmijëve i cili më tregoi për abuzimin. Mësova se edhe të tjerë fëmijë ishin abuzuar. I intervistova të gjithë fëmijët . Mblodha një katalog të tmerrshëm dëshmish prej tyre se çfarë kishte ndodhur prej  Dino Christodoulout. Kur u zhvillua ky takim Dino ishte rikthyer në Britani. Meqenëse ai kishte ikur mendova se rruga më e mirë ishte të njoftoja oficerët e NCIS që kishin lidhje me Interpolin.  I dhashë atyre të gjithë informacionin që kisha mbledhur nga fëmijët për abuzimet ndaj tyre. U dorëzova atyre, të gjitha të dhënat e pasaportës të Dino Christodoulout etj. Ia lash atyre këtë çështje për të vijuar me hetimin kriminal në Britani sepse ai ishte atje.

Çfarë të thanë se do të bënin oficerët  britanik të National Criminal Intelligence Service (NCIS) kur i tregove atë që ti sapo e quajte një katalog të tmerrshëm me abuzime?

Më thanë se informacionin do tija kalonin autoriteteve në Britani për të vijuar hetimet për DinoChristodoulou atje dhe arrestuar atë. Atë moment mendova se ata do të njoftonin gjithashtu edhe autoritet shqiptare.

A e bënë ata një gjë të tillë?

Jo nuk e bënë dhe për mua kjo ishte e gabuar. Unë isha këshilluar mos të shkoja tek policia shqiptare sepse do të më arrestonin,  pasi   ngjarja ishte shumë e tmerrshme e si pasojë shtëpia ku strehoja fëmijët do të mbyllej. Këshilla që mora ishte të shkoja e të flisja me oficerët e (NCIS) që kishin lidhje me Interpolin për tu marrë në Britani, me personin që kishte bërë abuzimin. Kështu këtë çështje ia lashë në duart e tyre për tu marrë.

Kur u arrestuat si u soll prokuroria dhe policia gjyqësore gjatë procesit hetimor ndaj jush që zgjati dy vite e gjysmë?

Ishte e tmerrshme. (qesh).

Përse e tmerrshme David?

E gjitha më suprizoi. Fillimisht pasi emri im ishte përmendur nga oficerët e PAMECA në ministrinë e drejtësisë dhe më pas ndërmorën, një kontroll në shtëpi ku mbaja fëmijët. Kontrolli u bë nga të gjitha ministritë përgjegjëse për organizatat bamirëse.  Ata hartuan një raport të tmerrshëm dhe më lanë 1 muaj kohë tu përgjigjesha. Shpenzova 8 mijë stërlina për të përmbushur detyrat e lëna nga kontrolli. Kontrolli nuk u rikthye më. Një ditë, ishte data  16 maj po shkoja në bankë kur një nga fëmijët më telefonoi dhe më tha se në shtëpi kishte mbërritur policia.  Aty ishte edhe prokurori Sokol Senaj . U ktheva në shtëpi dhe ata më treguan fare pak se ç’po ndodhte.  E mora me mënd se kjo kishte të bënte, me situatën e krijuar nga Dino.  Më çuan tek zyra ime nga ku sekuestruan kompjuterët dhe të gjitha paratë e fondacionit. Më pas më çuan tek dhoma ime duke bërë një kontroll të imtësishëm.  Nga shtëpia më çuan në komisariatin 4, ku u zhvillua një intervistë e gjatë. Pavarësisht këtyre zhvillimeve prap mendoja, se e gjitha kishte të bënte me Dinon dhe Robin Arnold pasi unë gjatë intervistës shpjegova gjithçka për këtë çështje.  Gjatë darkës ata morën një grup nga fëmijët e mi në atë qendër për ti intervistuar ata dhe më thanë se dy prej tyre të kanë denoncuar. Thash me vete. Kjo nuk ka mundësi. Ata nuk mund ta bëjnë këtë. Më pas më akuzuan dhe më dërguan në paraburgim. Kështu nisi e gjithë kjo histori.

Çfarë mund të thoni tani për dy fëmijët që dëshmuan kundra jush? Pasi ishin dëshmitë e tyre që ju fundosën dhe sot ju jeni në këtë burg ku keni vuajtur 11 vite dhe keni edhe 9 të tjera?

Ata u detyruan me forcë që të më akuzonin. Andoni ishte detyruar. Nga ajo që di ai ishte goditur më shpullë dhe kërcënuar. Ishin detyruar të shkruanin dëshmi kundra meje. Nëna e Andonit ka dhënë dëshmi dhe ka deklaruar se dëshmia e djalit të saj është marrë pa lejen e saj dhe se e kanë  goditur Andonin,  gjatë marrjes së dëshmisë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Denisin. Jo vetëm ata por edhe me Edi Rexhepin, një prej fëmijëve që ishte në moshë më të madhe. E kanë kërcënuar atë me pistoletë në kokë për të dhënë dëshmi kundra meje. Ai dha një dëshmi përpara gjykatës duke qarë dhe tha se dëshmia që kishte dhënë  në prokurori nuk është e vërtetë. Ai tha se me anë të forcës ishte detyruar nga policia gjyqësore të bënte ato deklarime të cilat përpara gjykatës i quajti jo të vërteta. Denisi më pas më dërgoi një letër ku thoshte se nuk kishte treguar të vërtetën përpara gjykatës. Po ashtu edhe Andoni tha se, nuk kishte thënë të vërtetën në gjykatë.

Sipas jush përse i detyruan këta fëmijë të dëshmonin kundra teje? Çfarë qëndron pas kësaj? Cili është motivi?

Sipas meje arsyeja kryesore lidhet me gjetjen e motiveve për të mbyllur atë shtëpi, ku strehoja fëmijët e rrugës.  Kisha patur konfrontime të pafundme me ministrinë dhe kjo vinte si pasojë e mos komunikimit efikas dhe mungesë së përkthyesve gjatë takimeve me ata.  Nuk ma regjistronin shtëpinë pasi për çdo fëmijë, më kërkonin një listë prej 10 dokumentesh për secilin fëmijë që jetonin në atë shtëpi.  Ata nuk e kuptonin se qëllimi kësaj shtëpie nuk ishte e një jetimoreje të mirëfilltë por për të ndihmuar fëmijët e abandonuar në rrugë. Shumica e tyre vinte nga komuniteti Rom dhe shumica, nuk kishin asnjë dokument. Kur ne i morëm nga rruga në një gjendje dëshpëruese ata erdhën në atë shtëpi pa asnjë dokument.  Mu desh të nisja procesin e gjetjes së dokumenteve duke shkuar në Kukës, në Korçë për të patur certifikatat e tyre të lindjes. Shumë nga familjet e tyre ishin të pa regjistruara. Ishte një proces i ngadalë në gjetjen e dokumenteve. Pra ishte një betejë e vazhdueshme me ministrinë për dokumentimin e fëmijëve.  E dija që kishim hyrë në një konflikt që po rritej dhe për këtë ata donin një arsye të fortë për ta mbyllur shtëpinë.  Kur abuzimi ndodhi nga Dino, ata krijuan një lajm të madh, më akuzuan edhe mua pra i hapën rrugën në këtë mënyrë për ta  mbyllur shtëpinë.

Çfarë mund të na thoni për tërësinë e procesit gjyqësor ndaj jush të cilin e keni quajtur si “dita e kryqëzimit” tuaj. Përse e keni quajtur kështu?

Sepse ishte një padrejtësi nga fillimi gjer në fund. Ata bllokuan dëshmitarët. Refuzuan dokumente që mund të na ndihmonin ne. Nuk ishin të interesuar të dëgjonin të vërtetën. Futën në proces prova të falsifikuara. Në një moment avokaten time e pushtuan lotët. La për pak sallën e gjyqit, kur u rikthye më tha.  David, nuk ekziston drejtësi në këtë gjykatë.  Prokurori qeshte me të, gajasej me të gjatë gjyqit. E kuptova se në fund të gjyqit do të më dënonin pasi u pa qartë se ata nuk kishin interes të dëgjonin të vërtetën. Manipuluan dëshmitarët.

Çfarë faktesh dispononi ju se u manipuluan dëshmitarët?

Patjetër që kam. Po ju tregoj momentin kur sollën Andonin të dëshmonte përmes video-linkut.  Filloi të ipte dëshminë dhe tha se David nuk ka abuzuar me mua.  Davidi nuk më ka prekur mua.  Ai tha Jo Jo gjatë të gjithë dëshmisë.  Pyetjet e gjyqtarit ia bënin Andonit nëpërmjet psikologes. Por në një moment gjyqtari kërkoi të fliste direkt me Andonin. Kur gjyqtari nisi ta pyeste, Andoni shpërtheu së qari.  Gjyqtari tha se fëmija është shumë i trazuar dhe nuk mund të vijonte me dëshminë e tij duke e ndërprerë seancën.  E risollën në gjykatë dy javë më pas. Kësaj here ai ishte krejt ndryshe. Fëmijët që vinin në gjyq më thanë mua se kishin parë , gjyqtarin, prokurorin sëbashku me Andonin dhe Denisin në një kafe aty afër duke u blerë çokollata, biskota dhe kanoçe me Kokakola. Andoni erdhi në gjykatë dhe nga video-linku shihej se ai mbante në dorë biskota dhe një kanoçe Kokakole. Pra ata i prishën mendjen. Andoni ka edhe probleme mendore të shkaktuara nga një aksident. Në video link ai tha se David, Dino dhe Robim abuzuan me mua në krevat.  Kaq ishte.  Gjykatësi dhe prokurori më gozhduan mua. E gjitha ishte një sajesë.  Po ashtu edhe Denisi. Përmes video-link ai ishte i frikësuar të fliste.

Andoni dhe Denisi kur dhanë dëshmi kundra jush atë kohë ishin rreth 7 vjeç.  Tani ata janë mbi 18 vjeç dhe po tentojnë të dëshmojnë përsëri dhe të thonë se ishin detyruar të dëshmonin kundra jush.   Sipas jush cili është motivi për prokurorisë dhe gjykatën të realizonin  atë që ju e quani si “falsifikim të provave dhe marrja e dëshmive të rreme”?

Sepse gjykata donte me doemos që unë të shpallesha fajtor. Për këtë atyre u duhej dikush që ta bënte.   Ata përdorën disa njerëz. Njëri prej tyre edhe Edi i cili duke qarë ndryshoi qëndrim në gjykatë duke tërhequr akuzat ndaj meje. Ata përdorën Fredin, duke e mashtruar atë por prindërit e tij erdhën në gjykatë dhe thanë se kjo që po ndodh është e tmerrshme pasi David, nuk ka bërë asgjë tjetër përveçse e ka ndihmuar Fredin dhe familjen tonë. Fredi ditën kur prokurori më intervistonte në zyrën time qëndronte afër meje duke qarë.  Ata e detyruan të thoshte që unë  abuzova me të. Kjo ka ndodhur me disa fëmijë. Ditën që do të dëshmote Edi, ishin 8 kamera dhe gazetarë në gjykatë. Prindërit e Fredit ishin aty dhe dhanë dëshmi si dëshmitarë të prokurorisë. Dëshmia e tyre ishte  pro meje. Atë moment të gjitha kamerat u fikën dhe ikën. I gjithë procesi ishte një sajesë vetëm e vetëm që unë të shpallesha fajtor.

Pasi u shpallët fajtor dhe u dënuat me 20 vite burg, drejtësia shqiptare ju bëri një ofertë për të shkuar dhe vuajtur dënimin në vendin tuaj. Kjo ofertë u pranua nga dy të bashkakuzuarit e tjerë Robin Arnold dhe Dino Christodoulou, të cilët janë ekstraduar për të vuajtur dënimin në Angli. Ndërsa ju e refuzuat. Përse?

Së pasi pari e ndjej se Zoti më ka sjellë për të shërbyer në Shqipëri dhe së dyti nëse do të kishte ndonjë mundësi sado të vogël për të pastruar emrin tim duhet të ndodhë këtu. Nëse do ta pranoja ofertën për të shkuar dhe vuajtur dënimin në Britaninë e Madhe atëherë, do të shkoja atje si një i dënuar për pedofili dhe do ta vuaja dënimin në një burg ku mbahen të dënuar për veprën penale të abuzimit me fëmijët. Unë nuk jam pedofil dhe e shikova si të vetmen mundësi për të pastruar emrin tim, duke qëndruar në Shqipëri e vazhduar betejën ligjore. Fëmijët që u kujdesa janë këtu, po ashtu edhe dëshmitarët dhe avokatja ime. Ishte pa sens që unë të shkoja në Britaninë e Madhe.

Cili është apeli juaj për autoritet e drejtësisë shqiptare tani që  Denisi dhe Andoni dy dëshmitarët “yje” të prokurorisë në dënimin tuaj, thonë se e vërteta është krejt ndryshe dhe se ju nuk i keni abuzuar ata?

Vetëm për drejtësi.  Unë dua të pastroj emrin tim. Nuk dua të largohem nga Shqipëria. Gjyqtari Gert Hoxha më dënoi me 20 vite burg duke më shpallur person non-grata në Shqipëri duke theksuar se në fund të dënimit duhet të dëbohem për në Britani.  Kjo ma thyen zemrën time sepse erdha këtu për të ndihmuar . Nuk kam ndërmend të ndërtoj një shtëpi të ngjashme, me atë që kisha por ka shumë punë për të bërë në drejtim të ndihmës për fëmijë e komunitetit Rom dhe ata në rrugë. Mbrëmë pash në televizor kronikën e një familje të varfër. Më bëri të qaja. Për këtë erdha në vendin tuaj dhe kjo më është mohuar ta bëj. Ajo që mora është burgu gjë e cila ma ka thyer zemrën time.

JETA E NJË SKOCEZI 11 VITE NË “ADRESËN” 302 MINE PEZA

David si kanë qenë për ju këto 11 vite si  një njeri i shpallur fajtor dhe po vuan dënimin në burgun 302 Mine Peza?

Vitet e para ishin ekstremisht të dhimbshme.   Në 2007 më vdiq babai nga kanceri dhe unë nuk mund të isha në funeralin e tij. Kjo ishte shumë traumatike për mua.  Dy vite më pas në qershor Edi fëmija i parë  që e mora nga rruga të strehohej në atë shtëpi, ndërroi jetë në spital pasi nuk u mirë kurua nga apandesiti. Ishte një tjetër ngjarje që më traumatizoi.  Dy muaj më vonë ndërroi jetë edhe mamaja ime. Përpara se të ndërronte jetë qante në telefon dhe më thoshte se donte të më shikonte për herë të fundit pasi ishte e sëmurë. Investigimi dhe pastaj gjykimi që shkonte kundra meje ishin një traumë më vete. Gjatë të gjithë kohës që kam në këtë  burg, punonjësit e policisë dhe të dënuar e tjerë janë sjellë shkëlqyeshëm me mua duke shprehur keqardhje.  Me ndershmërinë që më buron nga shpirti dua t’ju them se të gjithë drejtorët dhe stafi i burgut më kanë ndihmuar dhe kujdesur për mua.

Si janë kushtet në këtë burg?

Nuk ka vend për mua të ankohem. Të gjithë kanë qenë të shkëlqyer me mua.  Më kanë ndihmuar duke më dhënë një punë si pastrues të zonës së ajrimit. Më promovuan më pas të pastroja pjesën e përparme të oborrit të burgut gjë të cilën kam 9 vite që e bëj çdo ditë.  Në dy vitet e para, gjendja ime shëndetësore u përkeqësua. Të gjithë më dëgjojnë dhe kanë shprehur simpati për mua.  Tashmë jam miq me oficerët e burgut madje ata janë miq shumë të mirë. Do të dëshiroja shumë të kisha mundësinë ti merrja ata për një drekë jashtë burgut.

A ke patur ndonjë kërkesë e cila nuk të është plotësuar gjithnjë brenda kuadrit rregullator të burgut?

Jo. Kur je i burgosur duhet të bësh edhe kompromise siç mund të jetë rasti kur ti kërkon të ndërrosh dhomën.  Unë i mirëkuptoj pasi ka të bëjë me situatën e gjetjes të qelive edhe për të tjerë të burgosur.  Nuk kanë ndërmarrë asnjë padrejtësi me pasoja për mua. Kanë qenë dëgjues të mirë,  të kërkesave të mija dhe më kanë ndihmuar.

Mund të më tregosh se si e shpenzoni ditën?

Zgjohem çdo ditë në ora 6 ku lexoj Biblën dhe lutem.  Në ora 7 pasi kam bërë një dush, vesh rrobat e punës dhe vijoj me pastrimin dhe mirëmbajtjen gjatë tërë ditës. Pastaj ndihmoj magazinierin, me sistemimin e ushqimeve për në dyqanin e burgut. Kur është nevoja riparoj rrubinetat e çezmave nëpër qeli. Pra ku ka nevojë për ndihmë unë nuk refuzoj.

Si i ke marrëdhëniet me të dënuarit e tjerë?

Kjo është një prej atyre gjërave që më ka mahnitur. Muajin e parë kur unë isha në lajmet e të gjitha televizioneve ndjehesha i kërcënuar. Nuk dilja në ajrim. Atë kohë ndodhën edhe dy incidente me të burgosur të tjerë në ajrim. Nuk dilja fare nga qelia. Më pas fillova të dal e të pastroja zonën e ajrimit. Për çudinë time natyrisht për mirë nuk kam patur, asnjë rast që të më kenë ofenduar për akuzën që jam dënuar. Gjatë këtyre viteve shumë nga të burgosurit këtu më kanë thënë se e dinë që jam i pafajshëm.  Unë laj rrobat e tyre, batanijet e kështu ata janë shumë miqësor me mua.

Gjatë këtyre 11 viteve në burg keni patur ndonjë problem?

Kam patur vetëm një problem me një të dënuar që e sollën në dhomën time. Ai ishte i radikalizuar dhe më kërcënoi se do të më priste kokën   (qesh) po po është e vërtetë.  Ishte tejet i radikalizuar. Gjatë 24 orëve vetëm lexonte Kuranin.   Ai po radikalizohej edhe më shumë nga dita në ditë duke shkruar në mur shprehje si “vritini të gjithë kudo ti gjeni”. Pse unë zgjohesha në ora 6 të mëngjesit, ai një ditë pasi unë u ktheva në qeli më kërcënoi se do të më priste kokën. Kur policët erdhën edhe ata i kërcënoi me prerje koke. E larguan menjëherë nga dhoma dhe  përfundoi në izolim për 21 ditë.

A keni ndonjë problem shëndetësor?

Gjatë dy viteve të para kur po hetohesha dhe më pas dola në gjyq edhe si pasojë e humbjes së prindërve vuajta shumë nga stresi. Edhe sepse qëndroja tërë kohës në dhomë pa bërë ndonjë ushtrim.  Më çuan në spitalin e burgut pasi pata tension të lartë të gjakut.  Tani vuaj nga diabeti dhe marr ilaçe, pasi kam nivelin e lartë të sheqerit në gjak. E gjitha kjo mu shkaktua ri rezultat i dy viteve të para kur u arrestova.

A kanë ardhur nga Skocia apo vende të tjera familjarë ose të njohur t’ju vizitojnë?

Po kam patur. Janë një grup i madh mbështetësish të mi, vinë e më vizitojnë nga shumë kisha nga e gjithë bota. Autoritet e burgut janë treguar shumë njerëzor me mua duke i lejuar ata të vinë e të më vizitojnë  pasi lejohen vetëm vizita nga familjarët. Kam patur vizitor nga Skocia, Holanda dhe Gjermania.

Ju keni një motër dhe një vëlla. A kanë ardhur t’ju vizitojnë?

Kur nëna dhe babai ndërruan jetë na u desh ta shisnim shtëpinë në Skoci pasi motra dhe vëllai jetojnë në Australi. Vëllai nuk ka ardhur pasi e ka të vështirë. Ai punon kapiten anije ka shumë pak pushime dhe është shumë e shtrenjtë për udhëtuar nga Australia në Shqipëri. Motra ka ardhur njëherë të më vizitojë.

Gjatë këtyre 11 vite në burg, po nga ambasada Britanike në Tiranë a vinë t’ju takojnë apo të interesohen për ju?

Shiko, kur u takova me oficerët e National Criminal Intelligence Service (NCIS) në Rogner dhe denoncova Robinin me Dinon, ambasada u vu në dijeni por nuk e njoftoi Ministrinë e Drejtësisë në Shqipëri.  Ambasada mbajti një profil të ulët.  I kam dërguar atyre shumë dokumente për rastin tim por ata gjithmonë thoshin të njëjtën gjë.  Nuk ndërhymë dot në vendimet e gjykatës shqiptare.  Më kanë vizituar rregullisht. Ishte një grua Leen Show e cila mbante kontakte me babanë tim kur ai ishte gjallë. Personi që e zëvendësoi Leen, vinte dhe më sillte gazeta. Por me kalimin e viteve ata kanë ulur buxhetin e shpenzimeve dhe kam patur vizita të rralla nga ambasada.

A është e vërtetë se dy deputetë të parlamentit Britanik i kanë dërguar një letër presidentit të republikës në lidhje me rastin tuaj?

Po. Njëri prej tyre është deputeti i zonës në zonën ku unë kam jetuar në Skoci. Ajo ka qenë shumë aktive në lidhje me çështjen time.  Fillimisht ata morën një takim me ambasadorin shqiptar në Londër dhe më pas, i kanë dërguar një letër presidentit ku i kërkojnë që çështja ime të rishikohet.

Kur prindërit tuaj ndërruan jetë, ju lëshuat një autorizimi dhe  e shitët shtëpinë në Skoci. Paratë i çuat në Indi për ndërtimin e dy shtëpive për fëmijët e rrugës. Çfarë mund të na thoni për këtë?

Po kjo është e vërtetë. Organizata “Fëmijët e Tij” kishte një shtëpi në Tiranë dhe dy në Indi në fshatin Ponnur. Në 2005 përpara të gjithë kësaj katrahure në Shqipëri shkova në Indi duke mbështetur punën e organizatës “Fëmijët e Tij” pas cunamit. Me shitjen e shtëpisë paratë i dërgova atje për të ndërtuar shtëpinë e dytë në zonën e Amondalapgli. Pjesa që më takonte mua nga shitja e shtëpisë ishte 80.000 stërlina që i dërgova në Indi.

Çfarë ju ka munguar më shumë gjatë më shumë se një dekade në burg?

Fëmijët e mi. (tregon një rryp të kuq të vendosur në dorë).  Këtë e kam vendosur në dorë që prej 10 vitesh për mos të harruar fëmijët e mi. Shtëpia në Tiranë nuk ishte një jetimore e mirëfilltë por një strehëz për fëmijët  e shpëtuar nga rruga. Ne ishim si një familje. Pyet Denisin dhe Andonin. Ata më konsiderojnë babain e tyre dhe thonë se do të më duan deri në vdekje.

(Fotot nga Gent Shkullaku)

Solli në shqip, TemA

2 komente në “INTERVISTA/ Rrëfehet skocezi, që ka bërë 11 vite burg në Shqipëri për abuzime seksuale. Dy dëshmitarët: Ishim fëmijë, na manipuluan. Gënjyem për abuzimet”

  1. Art says:

    O zot cfare te degjojne veshet. Po te kishte ndodhur ketu ne Angli ky pedofil nuk dilte Kurre nga burgu.

  2. dozeze says:

    Dmth vetem greku ka abuzuar me femijet? Duhet ta kishin marr parasysh se greket pederastine e kane ne gjak.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje