Presidenti i Maqedonisë këmbëngul te refuzimi i mandatit për Zaev

13 Mars 2017, 17:06Rajoni TEMA

Zyra e presidentit maqedonas, Gjorge Ivanov të hënën tha se pengesat që e ndalonin atë nga dhënia e një mandati për liderin social demokrat të opozitës, Zoran Zaev nuk ishin hequr.

Kjo pavarësisht thirrjeve të opozitës dhe komunitetit ndërkombëtar që presidenti të mos e vonojë formimin e një qeverie të re.

“Presidenti Ivanov i qëndron pozicionit të tij nga dalja publike e 1 marsit. Pengesat që parandalojnë dhënien e mandatit për një qeveri të re nuk janë larguar,” tha kabineti i Ivanov në një deklaratë për shtyp.

Ivanov refuzoi t’ia japë Zaevit mandatin për formimin e qeverisë më 1 mars, pavarësisht se opozita mblodhi një shumicë në parlament.

Ai pretendoi se pranimi i kushteve të “Platformës Shqiptare” nga Zaev mund të shkatërronte vendin.

Të premten e shkuar, Zaev zbuloi platformën e tij të re qeveritare në një përpjekje për të bindur presidentin t’i jepte mandatin, duke thënë se platforma përmbante prova se qeveria e re nuk do të shkelë kushtetutën.

Ndërkohë, partitë politike që formojnë shumicën e re në parlament të hënën filluan bisedimet për të zgjedhur një kryetar të ri parlamenti, në një përpjekje për të zgjidhur pengesën e dytë “procedurale” që Ivanov përmendi për mosdhënien e mandatit.

Sipas vlerësimeve, nëse bisedimet mes LSDM dhe partive shqiptare shkojnë mirë, sesioni i parlamentit mund të mbahet të mërkurën ose të enjten.

“Shpresojmë ta zgjidhim këtë sa më shpejt, që gjërat të mund të ecin përpara,” tha për BIRN një burim nga LSDM të hënën.

Partia e social demokratëve tani ka 67 deputetë në parlamentin me 120 deputetë.

VMRO DPMNE gjatë fundjavës përsëriti se zgjidhja më e mirë do të ishin zgjedhjet e reja të parakohshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje