Arben Duka: Letër të shkurtër për Agron Dukën…!

I dashur Agron! Të them të vërtetën gjithmonë ndihem ngushtë kur emri yt radhitet me emrat e Saliut, Lulit, Fatmirit dhe Dashamir Shehut. Ndihem ngushtë se të kam një mik shumë të afërt dhe se historia jote nuk ka asgjë të përbashkët me historinë e të tjerëve, aty në çadër.

Realisht dhe Fatmirin e kam një mik personal të lashtë, por ai ka qenë gjithnjë i rreshtuar në anën e keqe të historisë dhe mbetet miku më besnik i Sali Berishës, armikut më të madh të shqiptarëve, lirisë dhe demokracisë.

Unë e di, ndofta më mirë se shumë të tjerë, se nuk ka qenë asnjëherë dëshira jote të jesh aty ku je. Shkak i vajtjes aty është pa asnjë diskutim Edi Rama dhe shkaku i një qëndrimi kaq të gjatë në atë kamp është burrëria jote në mbajtjen e fjalës së dhënë.

Pavarësisht se baba Berisha të ka pagëzuar si “Duka i Krimit” unë e them me siguri matematike se ti je njeriu më i ndershëm i politikës shqiptare dhe një nga më të ndershmit e kombit. Nuk është faji yt që je në vendin e gabuar dhe jo në barrikadën që kemi qenë tok për më shumë se dhjetë vjet. Problemi është se dhe unë jam njeri i besës dhe i fjalës. Të kam premtuar se do të votoj për Ty dhe biles kam bërë me vete dhe disa shokë të tjerë.

Po kam shumë frikë se do më detyrosh të mos e mbaj fjalën e dhënë. Fakti që ti u çregjistrove nga KQZ-ja për zgjedhjet e 18 Qershorit dhe ideja e bojkotit është sunduese, më ka vënë në pozitë të vështirë. Nëse emri jot nuk do të jetë në fletën e votimit, unë nuk kam se si të të votoj dhe në pamje të parë duket sikur unë nuk po e mbaj fjalën e dhënë. Por unë jam qytetar i përgjegjshëm dhe do të votoj.

Nëse ti do më mungosh në fletën e votimit, unë do të votoj për atë që kemi votuar gjithnjë kur ishim bashkë. Nuk të këshilloj të shkëputesh nga të liqtë dhe të konkurrosh më vete, se e di mirë që kjo gjë nuk funksionon me një njeri të karakterit tënd të çeliktë. Ti je politikan karriere, je në një koalicion dhe nuk mund të bësh aventura. Megjithatë nëse kthehesh përsëri në ring, unë do ta mbaj fjalën, i dashur kushëriri im Agron Duka. Me dashuri, Arben Duka

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...