Brokaj: Ndryshimet në qeveri ishin të nevojshme, Rama nuk u ndikua nga protesta e opozitës. PD po bllokon “drejtësinë” nga frika për Berishën

15 Mars 2017, 09:31Politika TEMA

Surpriza e kësaj jave ishin lëvizjet e rrufeshme dhe të befasishme në kabinetin qeveritar ‘Rama’.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj, ka komentuar lëvizjet e ministrave nga kreu i ekipit qeveritar, Edi Rama.

Shumëkush, shkarkimin e katër ministrave e ka lidhur me protestën e opozitës, një strategji për të afruar opozitën në Parlament, që të votojë vetingun.

Por Brokaj nuk është i këtij mendimi. Ish-ministri i Mbrojtjes thekson se lëvizjet ishin të nevojshme, pasi qeveria ka nevojë të rinovohet për të promovuar kuadrot e veta.

Edhe nëse këto ndryshime do të ishin bërë pak më herët, do të ishin të mirëpritura për faktin se ministrat gjatë rrugës duhet të ndërrohen në të mirë të rezultatit të punës së reformave.

“Lëvizjet në qeveri i shoh shumë të arsyeshme; këto lëvizje nuk janë të ndikuara nga protesta e opozitës. Qeveria kishte nevojë për këto lëvizje dhe duhet të rinovohet për të promovuar kuadrot e veta.

Në prag të zgjedhjeve ka rëndësi kombinimi i detyrave të administratës me detyrat e fushatës elektorale”, theksoi Sabit Brokaj.

Ish-ministri i Mbrojtjes ka komentuar edhe protestën e opozitës, e cila duket se nuk ka ndërmend që të kthehet në Kuvend derisa të realizohet kushti i saj famoz; qeveri teknike shkruan “sot”. Sabit Brokaj thotë se opozita nuk e ka mendjen te qeveria teknike, por te bllokimi i reformës në drejtësi dhe vetingut.

Brokaj akuzon opozitën se po pengon integrimin e vendit, ndërsa vetëm të korruptuarit e mbështesin atë. “Vetëm një idiot nuk mund ta kuptojë, se është opozita ajo që po e bllokon reformën në drejtësi. Opozita nuk e do reformën, nuk e do integrimin dhe as vetingun, që është etapë shumë rrënjësore.

Reforma është kusht i domosdoshëm për integrimin, dhe është e qartë se opozita pengon Shqipërinë në procesin e saj për integrimin në Europë. Vetëm të ngatërruarit dhe të korruptuarit nuk e kuptojnë se është opozita ajo që po e bllokon integrimin”, u shpreh Brokaj.

Ai tha se kërkesat e saj në rritje kanë lidhje direkt me bllokimin e vetingut. “Çfarëdolloj operacioni që të bëjë, krijimin e një situate jo të stabilizuar, qeveri teknike ose çfarëdolloj zallamahie, synimin primar e ka që të mos bëhet Vetingu apo të shtyhet, në një kohë kur raportet politike të mund të ishin ndryshe.

Pra, edhe qeveria teknike, edhe kërkesat e tjera, janë në funksion të Vetingut”, tha Brokaj.

Sabit Brokaj thotë se dyshja Berisha-Basha ka dy vjet që po e bllokon reformën në drejtësi, dhe tani kjo kulmoi me çadrën para kryeministrisë.

“Dihet gjerësisht se Berisha, Lulzim Basha dhe shumë drejtues e politikanë, edhe gjetkë, por veçanërisht në PD dhe rrotull saj, janë objekt i Vetingut dhe institucioneve të tjera të drejtësisë.

Kjo është provuar. Ka gati dy vjet që po luftojnë me të gjitha forcat, me të gjitha mënyrat, kanë përdorur të gjitha mënyrat, që ta shmangin Vetingun ose ta deformojnë.

Kështu që, ky është një veprim tjetër i tyre kundër Vetingut, natyrisht shumë i sforcuar, por nuk kanë ç’të bëjnë sepse po e ndjejnë litarin që po u ngushtohet”, tha Brokaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje