LUP-JAVA, Kategoria Superiore, java e 25-të

15 Mars 2017, 16:58Sport TEMA

Nga Ervin Baku

Tirana ndal Skënderbeun dhe i shton vetes një pikë qetësie në tabelë. Në duelin e së premtes, skuadrat më të titulluara në këtë dekadë të fundit dhanë spektakël. Ndërsa shënuan nga dy gola në “Selman Stërmasi”. Hoxhallari mahnit me atë perlë nga jashtë zone, ndërkohë që golat e Salihit nuk e ndihmojnë Skënderbeun të ruajë kryesimin. Atë ia merr edhe njëherë tjetër Kukësi.

Që duhet të “falenderojë” sërish Tiranën në misionin për të shkuar te titulli. Veçse këtë radhë nga pranë skuadra e Gjokës ka dhe Partizanin, që në Elbasanin asnjanës kalon me vështirësi (2-1) Flamurtarin e Vlorës. Për statistikë, kryesuesit verilindorë mposhtën në të gjitha drejtimet Korabin e Peshkopisë, duke i shënuar plot katër herë. Mazrekaj lëshon sinjale të qarta se ai është shumë kualitativ dhe se Starova lipset ta përfshijë më shpesh në planet e të kuqve.

Ashtu sikundër dhe Cetkoviçin, dikur pjesë e kombëtares malazeze. “Rilind” Luftëtari. Pas dy barazimeve në fushën e tij, bluzinjtë ndrisin në Durrës. Ata kaluan me një gol pikërisht skuadrën më në formë të momentit, Teutën. Java e mbrapshtë për durrsakët bëri që bregdetarët të hedhin dhe njëherë shikimin nga zona e ftohtë. Aty ku Flamurtari dhe Laçi duket se janë në një betejë të fortë për të lënë pas njëra-tjetrën. Në fakt kurbinasit u shfaqën me pretendime në Shkodër ndaj Vllaznisë vendase. Bazuar në përballjet e fundit, por dhe në kërkesën për pikë, laçianët provuan të vendosin nën presion kuqeblutë. Goli do të vinte nga kahu tjetër. Është Vllaznia me Bakajn që përmes një penalltie të dyshimtë realizon fitoren.

Përfundimisht, java dha disa verdikte që me gjasë do të mbeten të pandryshuar deri në fund. Kështu gjirokastritët duhen llogaritur të shpëtuar dhe Milinkoviç, tashmë ka të gjithë të drejtën e botës të pretendojë edhe vendin e katërt. Nga ana tjetër titulli pritet të vendoset jo pak këtë fundjavë teksa Skënderbeu e Kukësi do të përballen në një duel extra.

Në fund, Korabi pret të “tërheqë” pas vetes Flamurtarin, Laçin, pse jo dhe njërën mes Teutës e Vllaznisë. Ndaj duelet e kësaj jave, Laçi – Flamurtari dhe Vllaznia – Teuta, pritet të hedhin “dritë” në fundtunelin e “zi”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje