Starova: Duka nuk e do Partizanin kampion, unë jam legjendë e futbollit

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, i është përgjigjur me nota kritike presidentit të FSHF-së.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai i ka përmendur Dukës faktin që ka zhdukur demokracinë në institucionin e futbollit dhe ndikon drejtpërdrejtë në vendimet e organeve juridike të FSHF-së.

Dje, presidenti i federatës është pyetur për deklaratën e “Bobit” se FSHF po heq tifozët nga stadiumet dhe ky i fundit, ndër të tjera, e ka cilësuar si të dështuar Starovën…

Z.Starova, kur është pyetur dje Duka në lidhje me kritikat tuaja për tifozët në stadiume, ndër të tjera ka thënë….

Nuk e di nëse e ka pasur saktësisht për mua këtë deklaratë. Por, nëse e ka pasur për mua, po ju them se është tërësisht gabim dhe se dështimi i futbollit është ai dhe jo unë.

Pse mendoni se është Duka dështimi i futbollit?

Sepse ai zotëria, kur u ul në postin e presidentit të federatës, e gjeti atë institucion duke funksionuar me parimet demokratike. Kishte demokraci dhe zhvillim në futboll.

Po sot si e ka bërë?

Ka zhdukur tërësisht demokracinë dhe e ka privatizuar atë institucion. Ka dëm më të madh se ky për futbollin tonë?!

Në kampin e Partizanit e përdorni shpesh fjalën “privatizim” kur vjen puna te Duka, po çfarë ka privatizuar ai?

Po ju marr një shembull. AMA kafe është një biznes edhe i tiji, të cilin ai e sponsorizon nëpërmjet një ekipi pjesëmarrës në garën që FSHF organizon, pra kampionatin… Më thoni pak, a nuk është ky konflikt i pastër interesi?!

Dakord, por ka një frymë gjithnjë polemizuese nga kampi i Partizanit kundrejt federatës…

Nuk është e vërtetë. Shikoni si i trajton sot federata tifozëritë më të mëdha në vend. E kritikonin dikur “Fanatics”- at, i përzunë nga stadiumet për afro 20 javë. E, megjithatë, ata i shkuan në stadium me kollare dhe i dhanë një leksion. Tani fortesa e vetme i kishin mbetur tifozët e Partizanit, edhe ata i dënon sipas qejfit, ndërkohë që kanë qenë miq në një stadium ku janë provokuar…

Pse kështu veprohet? Del e na thotë që është rritur numri i tifozëve në stadium, po a ka ndonjë statistikë vallë? Kush ka logjikë dhe flet pastër, e sheh fare mirë se grupimet kryesore, ato pra që tërheqin vëmendjen e opinionit publik dhe të cilat nuk i kontrollon dot, i dënon sipas qejfit. Ndërsa, në stadiumet e tjera, nuk kemi parë ndonjë rritje. Le të na i thotë me shifra konkrete rritjen dhe të mos bëjë demagogji…

Pse Partizani ndihet gjithnjë i sulmuar nga federata?

Sepse Duka nuk dëshiron që titullin ta marrë Partizani. Natyrshëm që tifozët e Partizanit e kanë drejtuar gishtin nga ai. Pse kaq naivë i dinë njerëzit këta të federatës sa të besojnë se komisionet vërtet mblidhen dhe shqyrtojnë materialet që kanë para?! Jo mor jo, mblidhen dhe presin telefonatën e tij. Ai vendos se kush dënohet dhe sa dënohet dhe ky është shkatërrim i futbollit. Nuk mund të ketë zhvillim kur njerëzit e shohin se nuk funksionon as demokracia dhe as drejtësia.

Pse përmend “dështimin” Duka kur pyetet për ju?

E përsëris edhe një herë: nuk e di nëse e ka për mua, por i dështuari është ai. Më thoni vallë ku kam dështuar: Si futbollist? Kurrsesi, kam qenë pjesë e Kombëtares. Si trajner? Kam fituar tituj kampionë dhe e dinë gjithë shqiptarët. Si drejtues federate? Jo, shumë gjëra kur isha sekretar funksionin shumë më mirë se sa tani. Pastaj, nëse mendon se jam i dështuar, gënjen sërish, sepse pak muaj më parë më dha me dorën e tij medaljen “Legjenda e Futbollit Shqiptar”…

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *