Fitorja e liberalëve në Holandë qetëson Bashkimin Evropian

16 Mars 2017, 14:22Bota TEMA

Bashkimi Evropian ndihet i lehtësuar pasi Partia Popullore për Liri dhe Demokraci e kryeministrit Mark Rutte fitoi betejën ndaj PVV-së të populistit Gert Wilders.

Por liberalët morën 8 vende më pak sesa në parlamentin e mëparshëm. Holanda i tha “jo” populizmit  deklaroi njeriu që me këto vota, vendoset në rrugën e mandatit të tretë në krye të ekzekutivit.

“Populli i Holandës dha dy mesazhe: i pari, se nuk duhet të eksperimentojmë, por të vazhdojmë politikat që kanë forcuar ekonominë dhe së dyti, i tha “stop” populizmit të gabuar”, tha Mark Rutte, kryeministër i Holandës.

Beteja mes partisë së kryeministrit dhe PVV-së u pa si test për partitë nacionaliste që kanë fituar terren në mbarë Kontinentin e Vjetër. Wilders këmbëngul megjithatë se “pranvera patriotike” , ende mund të ndodhë.

“Jam shumë i gatshëm të luftoj. Ne jemi një prej fituesve të këtyre zgjedhjeve. Sigurisht, do të preferoja të dilnim forcë kryesore, por ne nuk humbëm. Fituam katër apo pesë vende më shumë dhe ky është një rezultat me të cilin mund të krenohesh”, u shpreh Gert Wilders, lider PVV.

Pas numërimit të mbi  90% të votave rezulton se partia e Rutte-s ka siguruar 33 nga 150 vendet e parlamentit, Wilders është i dyti me 20, kristiandemokratët dhe liberaldemokratët rreshtohen pas tyre me nga 19 vende secili.

Të gjelbrit dolën mirë gjithashtu me 14 vende, nga 10 që mbanin përpara.  Partia Laburiste, partnerja e vogël në koalicionin qeverisës pësoi një disfatë historike duke marrë vetëm 9 vende e duke humbur 29. Pjesëmarrja u llogarit në mbi 80%, më e larta në 30 vjet, e duket se pikërisht këtij fakti i detyrohet triumfi i forcave pro-BE dhe partive liberale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje