Kodheli: Marsi tragjik për shqiptarët, më ’97 u shkërmoq FA për pushtetin e një individi që urdhëroi makabritete, më 2008 “Gërdeci”. Vrasësit bllokojnë Vetting-un

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga baza detare në Pashaliman, Vlorë  u përcoll kontigjenti i 3-të  i Forcës Detare në detin Egje.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, zëvendës Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Brigade Dedë Prenga, Komandanti i Forcës Detare Gjeneral brigade Ylber Dogjani, komandantë, drejtorë dhe familjarë të pjestarëve të këtij kontigjenti.

Gjatë fjalës së saj ministrja Kodheli kujtoi hapat e parë në rrugën drejt këtyre misioneve para dhjetë muajsh.

Ministrja e Mbrojtjes ka evidentuar rrugën e vështirë të Forcave të Armatosura drejt arritjes së kësaj dite dhe kthimit në një ushtri të denjë si vend anëtar i NATO-s.

Kodheli ka nenvizuar faktin se te njejten njerez qe shkermoqen Ushtrine ne mars 1997 per interesat e nje individi qe urdheroi madje dhe makabritete, bene dhe tragjedine e marsit 2008 ku u vrane 26 njerez te pafajshem ne Gerdec. Per te te njejten njerez po mbajne peng dhe reformat sot.

Duke shprehur vendosmërinë e qeverisë shqiptare për bërë Shqipërinë anëtare dinjitoze të komunitetit euro-atlantik, Ministrja e Mbrojtjes ka nënvizuar faktin se qeveria shqiptare është e angazhuar maksimalisht për reformat në vend.

Ndërsa Gjeneral brigade Ylber Dogjani gjatë këtij aktiviteti pasi shprehu krenarinë për suksesin e dy kontigjentëve të mëparshëm pohoi se dhe ky kontigjent do të eci shumë mirë në rrugën që shtruan pararendësit e tyre: “Kam besim të plotë se do ia dilni me sukses dhe se kontributi juaj do ta lartësoj emrin e Forcës Detare Shqiptare”, u shpreh Dogjani.

Në përfundim të aktiviteti ministrja Kodheli i dorëzoi flamurin kombëtar komandantit të kontigjentit të tretë, Kapitenit të rangut të tretë, Ermal Hila.

Ekuipazhi i anijes Oriku do të jetë në komandën gjermane, e cila ka komandën e radhës të grupit  “Standing NATO Maritime Group 2”.

Fjala e plotë e Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli:

“Të nderuar  ushtarakë të pranishëm, familjarë,

Sot është një tjetër moment i rëndësishëm për Forcat tona të Armatosura. Dërgimi i kontingjentit të tretë të detarëve me mision në Detin Egje, po shndërrohet në një proces tashmë të zakonshëm. Më kujtohet sesi 10 muaj më parë, nisëm diskutimin për të marrë pjesë në këtë eksperiencë të parë për Forcë tonë Detare jashtë vendit. Kujtoj me kënaqësi entuziazmin dhe dëshirën për të realizuar këtë ide fisnike, që Shqipëria t’i bashkohej misionit të NATO-s në detin Egje, në përpjekjen e përbashkët për të penguar trafiqet e paligjshme drejt kontinentit evropian.

Dhe ia arritëm. E nisëm anijen përkundër gjithë pengesave të fillimit, vështirësive që vinin nga të panjohurat, e madje edhe kundër skepticizmit që shpesh na karakterizon. Dhe prandaj po e përsëris se ndonëse kemi hyrë në normalitet, unë dua t’ju falënderoj një nga një për të gjithë përpjekjen e përbashkët e të suksesshme. Ky kontingjent i tretë është një histori e mirëfilltë suksesi e Forcës sonë Detare.

Ky normalitet na bën shpeshherë në fakt të harrojmë vështirësitë dhe ngjarjet e rënda në të cilat ka kaluar shoqëria shqiptare gjatë gjithë periudhës së tranzicionit. Muaji mars sjell gjithnjë kujtime të hidhura për të gjithë ne, e në mënyrë të veçantë për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Marsi i vitit 1997 shkërmoqi plotësisht strukturat tona ushtarake, sipas një skenari të qartë dashakeqës për të mbrojtur me çdo kusht pushtetin e një individi. I cili urdhëroi makabritete që asnjë udhëheqës europian nuk ia ka bërë vendit të tij.

E prapë, në marsin e 2008, po e njëjta klikë përmes abuzimit me pushtetin dhe me pasuritë publike, hodhi në erë një fshat të tërë, duke shkaktuar 26 të vdekur, qindra të plagosur e prona private të shkatërruara. Nga babëzia për të përfituar nga arsenali ushtarak i Forcave të Armatosura. Nga parimi i tyre i përhershëm se familja është mbi shoqërinë, individi mbi vlerat sociale. Vranë, vodhën dhe gënjyen. Edhe u fshehën pas procedurës. I kemi sot mes nesh, të lirë.

Janë po këta njerëz që sot, që të angazhuar me të gjithë forcat, pengojnë reformën në drejtësi, kushtin e vetëm për hapjen e negociatave të vendit tonë me Bashkimin Evropian. Pengojnë përparimin e Shqipërisë drejt familjes së madhe evropiane. A e ka menduar njeri pse kemi vendosur të nisim kontigjente ushtarake kudo nëpër botë? Nga Afganistani në Letoni, nga Çadi në Irak? Pse angazhohemi në misionet e NATO dhe BE në Bosnje, Kosovë apo në Detin Egje? Mos vallë për statistika, apo për koleksionim vulash në pasaportë?

Jo të nderuar ushtarakë. Kjo qeveri është e vendosur ta bëjë Shqipërinë anëtare dinjitoze të komunitetit euro-atlantik. Angazhimi ynë i pandërprerë do të bëjë që reforma të transformohet konkretisht në të mirë të vendit dhe shoqërisë, për të çrrënjosur përfundimisht kulturën e pandëshkueshmërisë si dhe për të kthyer besimin e qytetarëve tek drejtësia.

Reforma në drejtësi merr rëndësi parësore për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, për të vendosur sundimin e ligjit në gjithçka që lidhet me zhvillimin ekonomik të vendit. Ajo do të jetë edhe një mjet efikas në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Reforma në drejtësi do t’i shërbejë ecurisë se reformave në fusha të tjera, zhvillimit dhe qëndrueshmërisë ekonomike dhe shoqërore, pasi, forcimi i shtetit ligjor është një nga shtyllat kryesore të demokracisë.

Ne do të vazhdojmë të përpiqemi, që kontributi i çdo shqiptari të mos shkojë dëm. Do të bëjmë gjithçka që e ardhmja jonë të jetë më e mirë, më e drejtë, më europiane.

Rrugë të mbarë Kontigjentit të Tretë drejt Detit Egje. Mbarësi e suksese!”

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *