Kryebashkiakët e Veronës dhe Firences: Tirana qytet me energji, bashkëpunim për transportin publik

17 Mars 2017, 13:40Sociale TEMA

Transformimi që ka pësuar Tirana në dy vitet e fundit i ka surprizuar edhe dy homologët italianë të kryebashkiakut Veliaj, që vizituan sot kryeqytetin shqiptar. Të pranishëm në Tiranë, ku morën pjesë në konferencën me temë “Të jesh qytet sot”, kryetari i Bashkisë së Firences, Dario Nardella dhe kryetari i Bashkisë së Veronës, Flavio Tosi, nuk i kursyen fjalët e mira për kryebashkiakun, veçanërisht për energjinë që ai përçon për zhvillimin e kryeqytetit.

 Duke vlerësuar punën e bërë gjer më tani në Tiranë, kryetari i Bashkisë së Firences, Dario Nardella, u shpreh se gjithçka përballohet me pasion. “Falenderoj kryebashkiakun e Tiranës për këtë mikpritje shumë të bukur dhe shumë të dashur. Në këtë qytet të madh ndjej entuziazëm, dëshirë për t’u rritur; kjo është energjia e duhur që i shërben një vendi si Shqipëria dhe një vendi si Europa. Shpresoj që raporti që mund të rritet midis Tiranës dhe Firences mund të jetë një pikë drejt Europës që ndihmon për ta çuar Shqipërinë në Europën e Bashkuar. U njohëm sot, por pashë tek ai një entuziazëm, të njëjtin entuziazëm që kam unë për qytetin tim dhe besoj se e vetmja mënyrë për ta përballuar këtë punë, pra punën e kryebashkiakut, punën më të vështirë që një politikan mund të bëjë, është ajo e të bërit të gjërave me shumë shkathtësi dhe pasion. Qytetet janë të destinuara të shohin gjithmonë nga e ardhmja. Ato nuk vdesin kurrë dhe kushti që kjo të mos ndodhë është që të jetojnë gjithmonë me transformimin”, tha Nardella.

 Edhe Kryetari i Bashkisë së Veronës, Flavio Tosi vlerësoi ndryshimet që ka pësuar Tirana së fundmi, ndërsa vlerësoi edhe punën që po bëhet për reformimin e transportit publik. “Kemi folur sot në Tiranë për atë bashkëpunim midis popullit italian dhe atij shqiptar, që ka lindur midis qytetit të Veronës dhe Tiranës. Po bashkëpunojmë me qytetin e Tiranës që të shohim mundësinë për të bashkëpunuar edhe në fushën e transportit publik. Edhe aty kemi një eksperiencë të mirë që duam ta ndajmë me qytetin e Tiranës”, tha Tosi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje