Neni 66 që rrëzon Lulzim Bashën: Shtyrja e zgjedhjeve bëhet vetëm në rast lufte

Ditën e sotme, Lulzim Basha përsëriti tezën për një shtyrje të mundshme të datës së zgjedhjeve, një kërkesë që duket e motivuar pikë së pari nga mosorganizimi dhe mospërgatitja e Partisë Demokratike për të dalë në zgjedhje në 18 qershor.

Pavarësisht arsyeve që përligjin kërkesën e opozitës, ligjet në fuqi parashikojnë shtyrjen e datës së zgjedhjeve vetëm nëse plotësohet një kusht i vetëm: futjen e vendit në luftë brenda tre muajve që mbeten deri në datën e votimit.

Të paktën, kjo është ajo që thotë Kushtetuta, e cila sanksionon gjendjen e luftës, si të vetmen arsye për të shtyrë përtej katër viteve mandatin e skaduar të një qeverie.

Nëni 65 i Kushtetutës specifikon se “Kuvendi zgjidhet çdo 4 vjet. Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Në çdo rast, Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur”.

Është neni 66, ai që specifikon përjashtimet nga ky rregull. “Mandati i Kuvendit zgjatet vetëm në rast lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo. Kur Kuvendi është i shpërndarë, ai rithirret vetiu”. Kushtetuta nuk njeh asnjë arsye tjetër për shtyrjen e zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, afati i mbajtjes së zgjedhjeve përcaktohet qartë në Kodin Zgjedhor. Neni 8 i këtij Kodi përcakton se: “Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor”.

Me zgjedhjet e vitit 2013 që u zhvilluan në datën 23 qershor, në përputhje me specifikimet e Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor, harku kohor për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve të përgjithshme shtrihej nga 15 marsi në 30 qershor, e Presidenti Nishani dekretoi nëntë muaj përpara përfundimit të mandatit datën e zgjedhjeve në 18 qershor.

Në këto kushte, vetëm dorëheqja e papritur e kësaj qeverie (çka do të afronte datën e zgjedhjeve) apo shpallja e luftës nga ana e Shqipërisë apo nga ana e një shteti të dytë ndaj Shqipërisë, mund të ndryshojë 18 qershorin si data në të cilën shqiptarët do të votojnë për mandatin e ardhshëm qeverisës.

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Neni 66 që rrëzon Lulzim Bashën: Shtyrja e zgjedhjeve bëhet vetëm në rast lufte”

  1. shpresa says:

    Po si do bejme me kushtetuten qe e percakton kaq qarte? Apo do ta çojme ne gjykaten kushtetuese dhe vendos ajo.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *