Kathleen Imholz: Bojkotet dhe “ngërçet” duhet të ishin më të qarta për njerëzit e reformës në drejtësi

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Juristja e njohur americans flet për ngërçin e reformës dhe rolin e të huajve, procesin e Vetting-ut dhe kundërthëniet e tij, duke mos harruar rolin tejet negativ të politikanëve shqiptarë

Intervistoi Ben Andoni

Juristja e njohur irlandezo-amerikane e asiston drejtësinë shqiptare prej fillimit të demokracisë. Ajo tashmë është në rolin e vëzhguesit dhe kjo i jep fushëpamje më të madhe për realitetin tonë. Ka shumë korrupsion, pak profesionalizëm dhe nepotizëm, thoshte pak kohë më parë dhe ky është edhe thelbi i mendimit të saj. Ajo ka qenë  shumë kritike për zvarritjet dhe hedhje-marrjet e përgjegjësive nga palët, ndërsa ka adresuar direkt problematika . këtë herë ajo ka qenë kritike shumë dhe më të huajt: “…do të kishte qenë e lehtë si për të huajt ashtu dhe për shqiptarët për të parashikuar bllokimin e mundshëm, por edhe të gjenin një mënyrë për ta anashkaluar këtë do të kishte qenë e vështirë edhe në rrethanat më të mira. Megjithëkëtë, nëse të gjithë ata që donin që procesi i reformës në drejtësisë të kishte sukses do të ishin ndeshur me problemet që mund të dilnin në të ardhmen dhe të vrisnin mendjen së bashku rreth zgjidhjeve të mundshme, ata ndoshta mund t’ia kishin dalë dhe mund të kishin gjetur një rrugë për t’i anashkaluar ngërçit me të cilin ata përballen sot”.

Ndryshimet e fundit kushtetuese po tregojnë se ishin jo vetëm të nxituara por dhe se as janë në përputhje me karakterin shqiptar. Duket se 140 votat e parlamentit shqiptar ishin më shumë të diktuara nga të huajt sesa nga dëshira apo vullneti për t’iu përshtatur e përmirësuar realitetin. Për pasojë ndodhemi përpara këtij ngërçi.  Pyetja është, a mendoni se të huajt dhe (veçanërisht) përfaqësuesit që ata angazhuan si ekspertë duhet ta kishin parashikuar këtë ngërç?

“Faleminderit që më bën këtë pyetje; sepse mendoj që ajo është e rëndësishme për disa arsye.. Përgjigja e shpejtë është po: të huajt duhet ta kishin parashikuar se një ngërç i tillë kishte shumë gjasa të ndodhte. Gjithçka që ju duhet të bëjnë është të shikojnë historinë e kohëve të fundit, si, për shembull, problemet e 1998-s në lidhje me refuzimin e opozitës për të marrë pjesë në procesin e hartimit të Kushtetutës. Ose të shikojnë se çfarë ndodhi vetëm përpara disa vjet kur komisioni i parë parlamentar për reformën territoriale-administrative, i cili ishte i ndarë në mënyrë të njëjtë mes shumicës dhe opozitës, nuk mundi të funksiononte për shkak të bojkotit.

Në atë rast, Kuvendi thjesht miratoi një vendim të ri duke krijuar një komision tjetër me koalicionin në pushtet duke pasur shumicën e një vote, me qëllim që komisioni të funksiononte dhe në fakt ai funksionoi. Për fat të keq, kjo teknikë nuk mund të përdoret me komisionet ad hoc për zgjedhjen e institucioneve të vetting-ut (të verifikimit), sepse ‘barazia’ shumicë/opozitë është e parashikuar në Kushtetutë. Shih pikën 9 të nenit C të Aneksit të Kushtetutës: “Kuvendi krijon … dy komisione përzgjedhëse të ndarë në mënyrë të barabartë midis shumicës dhe pakicës parlamentare …”

Kështu, formula për komisionet e deputetëve që zgjedhin anëtarët e institucioneve të vetting-ut nuk mund të ndryshohet pa ndryshuar sërish Kushtetutën, që kërkon të paktën disa vota të opozitës – i njëjti problem që u ndesh me ndryshimet e verës së kaluar.

Por ka disa fjalë më shumë për t’i shtuar “përgjigjes së shpejtë”. Së pari, ndërsa jam dakord me faktin se të huajt duhet ta kishin parashikuar se çfarë mund të ndodhte bazuar edhe në vështrim sipërfaqësor të historisë së re shqiptare, kjo histori dhe mundësia e bojkoteve dhe “ngërçeve” duhet të kishin qenë më të qarta për pjesëmarrësit shqiptarë në procesin e reformës në drejtësi.  Në fund të fundit, ata kanë jetuar me këtë histori, dhe ata duhet të siguroheshin që aktorët e huaj të kuptonin rreziqet, në vend që tua kalonin problemet të huajve.

E dyta, edhe pse isha një vëzhguese e procesit dhe jo pjesëmarrëse në të, me sa kuptoj unë. rënia e opozitës dakord për të votuar në favor të ndryshimeve kushtetuese në korrik 2016 u sigurua pjesërisht edhe për shkak të kësaj strukture mjaft bllokuese. Kjo do të thotë se koncesionet që iu bënë opozitës ishin pjesë integrale e dakordësisë së saj, prandaj çdo mekanizëm zhbllokues që mund të propozohej mund po ashtu të çonte në mosdhënien e pëlqimit të tyre.

Me fjalë të tjera, do të kishte qenë e lehtë si për të huajt ashtu dhe për shqiptarët për të parashikuar bllokimin e mundshëm, por edhe të gjenin një mënyrë për ta anashkaluar këtë do të kishte qenë e vështirë edhe në rrethanat më të mira. Megjithëkëtë, nëse të gjithë ata që donin që procesi i reformës në drejtësisë të kishte sukses do të ishin ndeshur me problemet që mund të dilnin në të ardhmen dhe të vrisnin mendjen së bashku rreth zgjidhjeve të mundshme, ata ndoshta mund t’ia kishin dalë dhe mund të kishin gjetur një rrugë për t’i anashkaluar ngërçit me të cilin ata përballen sot”.

Byroja dhe SPAK ende nuk janë krijuar, duke treguar edhe njëherë se ndryshimet kushtetuese tashmë i kanë kaluar afatet e vendosura. A mund të quhet rrjedhimisht i dështuar procesi i Vetting-ut, dhe më gjerësisht, Reforma në Drejtësi, sipas mendimit tuaj?

“Mendoj se duhet të shmangim thënien se procesi i vetting-ut, ose se edhe i gjithë procesi i reformës në drejtësi, ka “dështuar”. Përkundrazi, ne duhet të përpiqemi për të gjetur mënyra për ta bërë atë të funksionojë.  E kam thënë disa herë se e gjithë paketa e krijuar për reformën në drejtësi dhe vetting-un është jashtëzakonisht e komplikuar dhe se ligjet janë të gjatë, komplekse dhe plot me referenca që kryqëzohen me njëra-tjetrën. Edhe nëse çdo gjë do shkonte qetësisht do të ishte e vështirë për ta zbatuar atë plotësisht; por duke u nisur nga problemin që u diskutuan më sipër (“ngërçi” i cili nuk po e mundëson krijimin e institucioneve të vetting-ut), dhe të tjera. procesi po bëhet një sfidë kolosale.

Në vendet e mia (Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irlandë), ne i marrim afatet seriozisht, por sigurisht jam në dijeni se ato janë injoruar shpesh në Shqipëri. Kjo nuk do të thotë se ligjet nuk mund të zbatohen në fund të fundit; mendoj se është më mirë të përqendrohemi jo aq në periudhat kohore që mund të jenë ose të mos jenë tejkaluar, por tek substanca e ligjeve komplekse të ndërlidhura, si dhe të përpiqemi të gjejmë mënyra për të bërë ato të zbatohen. Është për të ardhur keq që shumë prej institucioneve të tjera – duke përfshirë, besoj, prokurorët e njësisë speciale (SPAK) që do të krijohet – duhet të “verifikohen” para se s ata të mund të fillojnë punën, por ata nuk mund të “verifikohen” deri sa institucionet e bllokuara të krijohen.  Unë shpresoj se të dyja palët, të huajt dhe shqiptarët, të përfshirë në procesin e reformave në drejtësi janë duke u përgatitur për momentin kur institucionet e vetting-ut (verifikimit) do të fillojnë të veprojnë, në mënyrë që SPAK dhe Byroja të jenë gati të funksionojnë, menjëherë sapo ato të plotësohen me personelin e duhur”.

Ndërkohë që pritej të bëheshin ndryshimet e disa kodeve që do t’i paraprinin procesit të Vetting-ut, praktikisht gjithçka duket se ka ngecur në vend ose po ecën me ritme tejet të ngadalta. Të paktën, duket se është identifikuar penguesi i këtij procesi, që është politika. A mundet që bllokimi të vazhdojë ose i njëjti bllokim të ndodhë edhe pas zgjedhjeve të 18 qershorit?

“Është e vërtetë, se kodet kanë shumë probleme që duhet të trajtohen, por këto ndryshime gjithsesi nuk janë të domosdoshme për kryerjen e procesit të vetting-ut. Problemi është se shumica e institucioneve të reja nuk mund të jenë plotësisht funksionale deri sa të kryhet procesi i vetting-ut. I jemi kthyer kështu sërish ngecjes dhe bllokimit të atij procesi.

Pyetja juaj në lidhje me atë se çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve të 18 qershorit është një pyetje e drejtë. Siç kam thënë në një intervistë të mëparshme, koalicioni i shumicës aktuale tani mund të grumbullojë 84 vota, që është numri i nevojshëm për të kaluar ligjet për të cilët kërkohet shumicë e cilësuar.  Ky është edhe numri, siç mund të shihni nëse do të lexoni ligjin e vetting-ut, që kërkohet edhe për çështje të tilla si zgjedhja e anëtarëve të institucioneve të vetting-ut.  Pra, nëse shumica e re qeverisëse nuk do të ketë këtë numër votash (84), situata do të bëhet edhe më e vështirë.

Është shumë e qartë se populli shqiptar dëshiron që vetting-u të bëhet, dhe ndoshta ata do ta shprehin vullnetin për këtë në një farë mënyre edhe me votimin e vet në qershor.  Megjithatë, vota e tyre nuk mund të ndryshojë Kushtetutën (përveç rastit nëse ata i japin shumicën prej 2/3 një partie apo një koalicioni).  Institucionet e vetting-ut do të duhet gjithsesi të krijohen në përputhje me Kushtetutën dhe cilado qoftë pakica “e re”, ajo do të ketë po ashtu të njëjtën fuqi bllokuese.

Ajo që është më e rëndësishme sesa pritja për zgjedhjet e qershorit, për mendimin tim, është që të kërkohet për mënyra për të mundësuar fillimin e procesit. Vetting-u është vetëm hapi i parë; pasi institucionet e vetting-ut të jenë krijuar dhe të funksionojnë, ato duhet të zhvillojnë mekanizmat dhe praktikat për trajtimin e shqetësimeve reale dhe të vazhdueshme të popullit shqiptar rreth asaj që ndodh me ta, kur atë vijnë në kontakt me sistemin e drejtësisë këtu”. (Javanews)

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *