Kriza është ndërkombëtarizuar. Kush fiton prej këtij fakti?

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Mentor Nazarko

Mesazhet e fundit të dy europarlamentarëve që merren me Shqipërinë, Flekenshtajn dhe Kukan, ju shtuan korit ndërkombëtar të zërave në lidhje me krizën shqiptare. E përbashkëta e mesazheve të tyre, ashtu si dhe e shefes për politikë të jashtme në BE, Mogherini, ndaj opozitës është: kthehuni në parlament sepse Vetingu është interesi primar i Shqipërisë dhe perëndimit. Ndërkohë nuk ka asnjë zë zyrtar perëndimor, pra ambasadorë, ministra, etj., që të jenë shprehur pro protestës. Dallimin e vetëm mund ta përbëjnë 6 senatorët  e rëndësishëm amerikanë me letrën e tyre, apo politikanë të caktuar në baza individuale.

Po atëherë si t’i marrim mesazhet e ndërkombëtarëve? A vlejnë dy evropianë sa gjashtë amerikanë? Mollët me dardhat nuk krahasohen në përgjithësi, por në disa parametra dhe mundet. 6 senatorët amerikanë vlejnë me gjasë më shumë se 2 evroparlamentarët nga efektet që mund të prodhojnë nëse nuk e harrojnë Shqipërinë menjëherë sa mbaruan letrën. Por ajo çka  mbetet megjithatë, është se në korin ndërkombëtar përgjithësisht qëndrimin zyrtar e shprehin ekskluzivisht ambasadorët dhe funksionarët e lartë të vendeve përkatëse.

A ka ndonjë ndryshim megjithatë? Domethënë a ka evoluim të qëndrimit të tyre, për shkak të vendosmërisë së opozitës, kalimit të një muaji në çadër proteste? Diçka dhe duhet të ketë ndodhur, por ama ky ndryshim nuk bëhet publik. Dhe duhet të interpretohet prej produkteve të disa prej negociatave apo takimeve të fundit.

Për shembull, a u larguan 4 ministra? Kush mendon se për këtë largim, ambasadorë të caktuar, në veçanti, ai amerikan nuk janë njoftuar, nuk kanë dijeni, apo nuk kanë ndikuar eventualisht, gabon. Në një shkrim të paradokohshëm, në listën e faktorëve që kishin ndikuar në këtë largim ne kishim vendosur ambasadorin amerikan, i cili kishte takuar intensivisht Ramën dhe Bashën. Dhe me realizëm duhet menduar se largimi i 4 ministrave (dy prej tyre, shumë të rëndësishëm) nga ana e tij, quhet konçesion i arsyeshëm. Kjo është arsyeja madje pse çadra, pa komandë festoi, apo pse ideologë  pranë PD-së, filluan madje të imagjinonin në editoriale për një bosht Basha-Rama.  Pavarësisht se ndonjë ideolog tjetër nën ndikimin e Berishës e përgënjeshtroi sakaq. Nëse është kështu, është e lehtë të imagjinohet se ambasadori i SHBA-së, ka zgjeruar rrethin e ndikuesve për të zgjidhur krizën. Për ta konsideruar krizën shqiptare si diçka me të cilën duhet të përfshihen dhe evropianët që e kanë Shqipërinë në oborrin e tyre,  ai ka përfshirë në takime dhe ambasadorët e vendeve të tjera. Prandaj kemi takime kaq masive të diplomatëve sa me njerën aq dhe me tjetrën palë. Dhe ky është mesazhi më i rëndësishëm nga takimet e fundit, madje më shumë sesa prononcimet e dy evrodeputetëve. Vrimën e hapur nga ambasadori amerikan, po mundohen ta zgjerojnë kolegët e tjerë evropianë të tij.

Përfshirja e kaq ambasadorëve është rezultat se kriza shqiptare është ndërkombëtarizuar. Vijimi i saj, bllokimi i jetës institucionale në vend, për shkak të mbarimit të afërt të mandateve të disa krerëve të institucioneve,  është diçka alarmante për perëndimin. Dhe me gjasë, një angazhim kaq të madh, me ofertat përkatëse që vijnë prej tyre, është vështirë ta refuzojë kush, as Rama dhe as Basha.

Sigurisht, ambasadorët po përpiqen të ruajnë publikisht imazhin e një vendimmarrjeje sovrane të Shqipërisë. Por është krejt e qartë se ata janë brenda çdo lloj zgjidhjeje të krizës. Vetingu mbetet prioritet i tyre, por se si do të bindin palët t’i hapin rrugë para zgjedhjeve, kjo është për t’u sqaruar. (konica.al)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

3 komente në “Kriza është ndërkombëtarizuar. Kush fiton prej këtij fakti?”

  1. DriniA says:

    DriniA. O Mentor. Te them te drejten, shkrimet e tua, ne pergjithesi jane perhithesisht te mira por je pak i hallakatur. Fut ca argumenta dhe ben ca krahasime si puna e 2 europianeve me 6 senatoret qe jane pa vend dhe jashte thelbit. nje fjali e shkurter qe mund ti permbledhe eshte: qendrimi zyrtar europian dhe amerikan eshte kundra bojkotit dhe pike, nuk ka nevoje te hallakatesh. Shiko vellain tend Shpetimin qe eshte i sakte, i qarte, kap thelbin e problemit dhe ka fuqi shprehese.

  2. SHVEJK says:

    KRIZA NUK ESHTE AS E SHQIPETAREVE E AS ISTITUCIONALE NE NJE VEND KU 27 VJET NUK KA TE TILLE,OR TI MIK,PO ESHTE KRRIZE BANDASH PER PIUSHTET KUR SHQIPETARET NA KANE LENE SHENDENE.

  3. Ana says:

    Fiks fare Shvejk…ngrihen disa te padenuar per krimet dhe vjedhjet nje mengjes te bukur, dhe flasin per krize e per revolucion “mbarepopullor” pa pasur popullin me vete. Me vete ka disa sahanlepires pushteti dhe sigurisht dhe disa te shkrete te papune nga administrata shteterore , per shkak te ndryshimit te pushteteve dhe flet per amerikane e europiane qe gjoja solidarizohen me protesten e opozites, duke harruar kryesoren, voten popullore. Prandaj do flasim ne 19 Qershor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *