Gjykata Administrative: Mbingarkesa po pengon gjykimin në afat

Numri i çështjeve që sot ndodhet në tavolinat e togave të zeza të Gjykatës Administrative është tejet i lartë.

Është pothuajse e pamundur që të arrihet të përmbushet afati i 30 ditëve të gjykimit. Përqindjen më të lartë të çështjeve e kanë ato të marrëdhënieve të punës.

Ndërsa privati ka arritur të fitojë bindshëm në përballje me shtetin (mbi 70% të rasteve).

Në një intervistë për “Monitor”, kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita, bën një bilanc të punës dhe jep zgjidhje sesi mund të ulet stoku i çështjeve.

Vrojtimet e fundit të shoqatave të biznesit në Shqipëri kanë treguar se shqetësimi kryesor mbetet funksionimi i sistemit të drejtësisë. Ndër to edhe vonesat që shkaktohen nga shqyrtimi i çështjeve nga gjykatat administrative, të ngritura enkas për të shqyrtuar në kohë të shpejtë çështjet dhe për të reduktuar burokracitë dhe përballjet.

Por, ajo që nuk ishte parashikuar ishte fluksi tejet i lartë i rasteve që do të trokisnin në dyert e këtyre gjykatave.

Stoku erdhi në rritje vit pas viti. Gjyqtarëve të këtij sistemi iu duhet të përballen me dy apo trefishin e rasteve për gjykim në krahasim me kolegët e tyre të çështjeve civile.

E si rrjedhim, afati i përcaktuar me ligj për shqyrtimin brenda 30 ditëve nuk është arritur dot të përmbushet (përjashtim bën periudha e sapokrijimit të këtyre strukturave).
Në këto kushte, ankesat që vijnë si nga biznesi, ashtu edhe nga individët janë konsideruar si të drejta në lidhje me vonesat.

Kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit, z. Kastriot Selita, në një intervistë për “Monitor”, tregon arsyet e krijimit të kësaj mbingarkese, përpjekjet për të mos cenuar cilësinë e gjykimit, si dhe zgjidhjet që mund të merren në konsideratë për të ulur stokun e krijuar.

Sipas të dhënave zyrtare nga kjo gjykatë, gjatë vitit 2016 numri i çështjeve të mbartura u llogarit në 11,200, të regjistruara në 6,508, ndërsa të përfunduara janë 5,176.
Konfliktet për marrëdhëniet e punës zënë pjesën më të madhe të çështjeve në këtë gjykatë, me rreth 40%, duke u ndjekur nga çështjet e pensioneve dhe titujt e pronësisë.
Për vitin 2017, numri i çështjeve të mbartura llogaritet në 12,563.
Për të gjithë vitin aktual, ritmi i çështjeve parashikohet të vijë duke u ulur.
Me zbatimin e Reformës në Drejtësi, parashikohet reduktim i numrit të personelit.

Mbingarkesa po pengon gjykimin në afat

Flet Kastriot Selita, kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit

Gjykata Administrative në Shqipëri po përballet me një numër tejet të lartë të çështjeve dhe shtim të ngarkesës. A mund të na bëni një bilanc të punës së institucionit që ju drejtoni për vitin 2016?

Gjykata Administrative e Apelit, që nga muaji prill 2014, ka pasur në mënyrë të vazhdueshme një ngarkesë që ka qenë tej parashikimeve. Kjo ka bërë që gjykata të gjendet në kushte pamundësie për të respektuar afatin 30-ditor të përcaktuar nga ligji për trajtimin e çështjeve.

Kjo situatë u krijua për shkak të Vendimit Unifikues të Gjykatës së Lartë të vitit 2013, sipas së cilës të gjitha çështjet administrative që prisnin të gjykoheshin nga gjykatat civile përpara funksionimit të Gjykatës Administrative të Apelit do të trajtoheshin nga kjo e fundit dhe Shkalla e Parë.

Në fillim, Gjykata Administrative e Apelit kishte në përbërjen e saj 7 gjyqtarë dhe vepronte për të gjithë territorin e Shqipërisë. Numri i çështjeve përballë numrit të gjyqtarëve e bënte të pamundur respektimin e afatit 30-ditor për gjykimin e çështjeve. Ligji parashikon një afat sipas të cilit në Gjykatën Administrative të Apelit, gjykimi duhet të përfundojë brenda 30 ditëve që nga momenti i depozitimit të çështjes.

Gjatë muajve të parë të vitit 2014 (janar-mars), ky afat u respektua duke qenë se numri i çështjeve ishte i përballueshëm nga ana e 7 gjyqtarëve. Por, nga prilli i 2014-s e deri tani, ky afat nuk është respektuar sepse numri i çështjeve ishte tepër i lartë. Në vitin 2014 u regjistruan 11,240 çështje, u gjykuan 4,745 dhe u mbartën 6,454 çështje në vitin 2015.

Në vitin 2015 u regjistruan 7,832 çështje, të cilave iu shtuan edhe ato të mbartura nga viti 2014, u gjykuan 3,021 çështje, ndërsa u mbartën për vitin 2016 11,200 çështje.

Në vitin 2016 u shtua numri i gjyqtarëve të Gjykatës Administrative të Apelit duke arritur në 13. Kjo ndihmoi në trajtimin e më shumë çështjeve, por numri i stokut të krijuar ishte shumë i lartë. Për këtë arsye, në vitin 2017 u mbartën 12,563 çështje.

Por, duke marrë në konsideratë numrin e gjyqtarëve që janë aktualisht dhe numrin e prurjeve të vijnë nga Shkalla e Parë është e pamundur që të ulet numri i stokut.
Si rregull, çështjet që vijnë më herët duhet të trajtohen në fillim.

Kjo ngarkesë e krijuar është një shqetësim i madh për të gjithë: për qytetarët dhe bizneset që kanë çështje, për vetë gjyqtarët të cilët përballen me një ngarkesë tej çdo norme të pranuar.

Ne duhet të mbajmë në konsideratë faktin se gjyqtari duhet t’i kushtojë kohë të mjaftueshme studimit të çështjes të saj në raport me ligjin, në mënyrë që të shkojë në një zgjidhje të drejtë dhe profesionale, por edhe arsyetimit. E gjitha kjo krijon pamundësi për të shqyrtuar një numër të lartë çështjesh nga kjo trupë gjyqtarësh.

Aktualisht në Gjykatën Administrative të Apelit referuar shifrave, rezulton se çdo gjyqtar ka shqyrtuar mesatarisht 45-50 çështje në muaj. Kushtet kanë qenë të vështira, duke qenë se edhe mbështetja me burime njerëzore ka qenë e mangët. Nuk është bërë e mundur që çdo gjyqtar të ketë një sekretar gjyqësor, gjë e cila është e domosdoshme për mbarëvajtjen e punës, por edhe për procedurën gjyqësore.

Aktualisht një sekretar mbulon dy gjyqtarë. Ndërsa ndihmësit ligjorë u atashuan pranë gjykatës në mesin e vitit 2015 dhe të 13 gjyqtarët kanë një të tillë.

Por, me ndryshimet që kanë pësuar ligjet në kuadër të Reformës në Drejtësi parashikohet që ky numër të shkurtohet dhe një ndihmës të jetë për dy gjyqtarë.
Megjithatë, kjo masë nuk është reflektuar ende në organikë.

Ne kemi kërkuar në mënyrë të përsëritur pranë Ministrisë së Drejtësisë që çdo gjyqtar të ketë një sekretar dhe dy ndihmës, sepse kjo do të ndihmonte në trajtimin e më shumë çështjeve.

Ky mekanizëm do të shërbente në reduktimin e numrit të çështjeve të mbetura stok.

Vonesat

Kjo ngarkesë e krijuar është një shqetësim i madh për të gjithë: për qytetarët dhe bizneset që kanë çështje, për vetë gjyqtarët të cilët përballen me një ngarkesë tej çdo norme të pranuar.
Ne duhet të mbajmë në konsideratë faktin se gjyqtari duhet t’i kushtojë kohë të mjaftueshme studimit të çështjes të saj në raport me ligjin, në mënyrë që të shkojë në një zgjidhje të drejtë dhe profesionale, por edhe arsyetimit. E gjitha kjo krijon pamundësi për të shqyrtuar një numër të lartë çështjesh nga kjo trupë gjyqtarësh.

A ndikon kjo mbingarkesë në cilësinë e shërbimit dhe në trajtimin e çështjeve që vijnë pranë kësaj gjykate?

Ky është shqetësimi më i madh kur tendenca e gjykatës ka qenë që të gjykohen sa më shumë çështje dhe në një kohë sa më të shpejtë.

Edhe shqetësimi që ngrihet nga të tretët, qoftë biznesi apo individë, ka të bëjë me faktin se pse nuk është shqyrtuar çështja, cilat janë arsyet. Kjo lloj kërkese është e drejtë, sepse i referohet parashikimit që bën ligji për trajtimin brenda 30 ditëve, por parë në kontekstin e volumit të punës që ka gjykata është e pamundur që ky numër gjyqtarësh të gjykojnë në një kohë më të shpejtë.

Kjo sigurisht që mund të çojë edhe në cedim nga pikëpamja e vëmendjes, por në mënyrë të vazhdueshme gjatë diskutimeve dhe mbledhjeve që ne realizojmë në Gjykatë i japim rëndësi këtij elementi.
Duhet të marrim në konsideratë faktin se gjykimi në Gjykatën Administrative të Apelit përbëhet nga një trupë nga tre gjyqtarë. Gjykimi bëhet në dhomë këshillimi dhe çështjet shqyrtohen pasi përgatitet një relacion i detajuar në lidhje me të gjithë aspektet.

Është vetë mekanizmi i gjykimit që bën të mundur shmangien e rasteve të pakujdesisë apo të mostrajtimit në mënyrën e duhur. Gjithashtu një element i cili garanton këtë ka të bëjë edhe me praktikat.

Një çështje që është trajtuar në një mënyrë të caktuar, për një tjetër që është e ngjashme si natyrë me të shërben për të dhënë zgjidhje të njëjtë. Është një standard që i ngjan “precedentit” në drejtësinë anglosaksone, më shumë sesa në vendet kontinentale. Por, në rastin tonë ky është një element shumë i rëndësishëm.

Nga sipërmarrja vendase apo edhe e huaj, të paktën në vrojtimet e fundit që janë realizuar nga shoqatat që i përfaqësojnë është rritur numri i atyre që kanë si shqetësim kryesor sistemin e drejtësisë, përfshi këtu edhe punën e gjykatave administrative. Cili është opinioni juaj?

Çdo shqetësim që ngrihet është i drejtë dhe duhet vlerësuar. Ankesat për kohën e trajtimit të çështjeve janë të drejta, por ky nuk është një problem i krijuar nga gjykata.

Të gjithë ata që ngrenë shqetësime në lidhje me gjykatat administrative duhet të bëjnë ndarjen mes problemit dhe shkaktarit të tij.
Gjykata në vetvete nuk e ka shkaktuar problemin e vonesave, pasi kjo ka të bëjë me numrin e gjyqtarëve, me të gjitha burimet njerëzore që nuk janë në duart e gjykatës. Pra, nuk është kompetencë e jona që të caktojmë numrin e punonjësve apo edhe gjyqtarëve. Nga i gjithë angazhimi ynë është bërë i mundur që çdo gjyqtar të gjykojë deri në 50 çështje në muaj. Në takimet që kemi bërë me homologët tanë, qoftë në Francë apo edhe në Gjermani kur është trajtuar kjo çështje nga ana e tyre, është nënvizuar fakti se kjo nuk ndodh në vendet e tyre dhe për ata është e pakonceptuar kjo ngarkesë.

Megjithatë, pavarësisht këtyre fakteve, shqetësimet që ngrihen janë të drejta. Ato unë i kam përcjellë edhe në organet kompetente për trajtim.

Rritja e numrit të gjyqtarëve në vitin 2016 erdhi si pasojë e këtyre përpjekjeve për të bërë të mundur shtimin e numrit të çështjeve dhe shkurtimin e kohës.
Vlerësojmë se ka edhe mekanizma të tjerë që mund të vihen në zbatim për të ulur numrin e stokut të çështjeve.

Një ide ka qenë që të bëhet i mundur delegimi i gjyqtarëve për çështje të caktuara në Gjykatën Administrative të Apelit. Ne kemi arritur ta zbatojmë këtë në vitin 2014, kur janë gjykuar rreth 750 çështje. Ligji njeh konceptin e delegimit nga njëra gjykatë në tjetrën për gjykim.}

Por, në rastin e Gjykatës Administrative të Apelit, ka një vështirësi për faktin se gjyqtarët janë të zgjedhur me konkurrim dhe kanë pasur të paktën 9 vjet përvojë. Ka qenë diskutimi që gjyqtarët e deleguar nga Apeli nuk kanë konkurruar.

Me ndryshimet në ligjet në kuadër të Reformës në Drejtësi ekziston mundësia e delegimit të gjyqtarëve. Ky mund të jetë një mekanizëm për të zgjidhur mbingarkesën që është në Gjykatën Administrative të Apelit.

Sipas të dhënave, rastet e marrëdhënieve të punës zënë pjesën më të madhe të gjykimeve. Sa e vështirëson apo sa e rrit ngarkesën natyra e çështjeve?

Sigurisht që ka çështje që mund të kërkojnë më shumë angazhim në aspektin e trajtimit. Pothuajse të gjitha çështjet që mbërrijnë në këtë gjykatë janë me administratën shtetërore, për shkak të natyrës që ka. Numrin më të madh të konflikteve e zënë ato të marrëdhënies në punë, që s’janë konflikte të vështira për t’u trajtuar.

Gjithashtu ka edhe çështje të tjera që duan trajtim më të madh kohor dhe njerëzor. Ky është edhe rasti kur ato nuk janë trajtuar në mënyrë të qartë apo kur pretendimet e palëve prekin aspekte më të ndërlikuara dhe çështja duhet të shkojë në seancë gjyqësore për dëgjim.

Si rregull, Gjykata Administrative e Apelit realizon seanca në dhomën e këshillimit, ndërsa kur rrethanat janë të paqarta, atëherë kalohen në sallë gjyqësore.

Ndërsa rastet që kanë të bëjnë me konfliktet me administratën tatimore ose doganore janë më të ndërlikuara në trajtim në raport edhe me përcaktimet e ligjit, që janë të karakterit më teknik e të profilizuara.

Ka pasur një propozim nga ana e Ministrisë së Drejtësisë “për të fshirë” rastet e çështjeve të pensioneve të apeluara nga shteti. Çfarë po ndodh me këtë ide dhe a mund të ndikojë kjo në uljen e stokut?

Kjo ide nuk u materializua në një vendimmarrje konkrete nga administrata shtetërore. Ka pasur raste sporadike, të pakta në numër kur administrata shtetërore ka hequr dorë nga ankimi. Por, nuk rezulton të jetë bërë një rregull i përgjithshëm për Gjykatën Administrative të Apelit.

Ndoshta do të ishte e nevojshme, veçanërisht kur kemi të bëjmë me rastet e trajtimit të marrëdhënieve të punës dhe me pensionet që të meritonin një zgjidhje të tillë.

Pra, jo vetëm të merrte rrugë vendimi i dhënë nga Shkalla e Parë, por mund të realizoheshin shumë efekte, si nga ana e subjekteve, ashtu edhe për Gjykatën Administrative të Apelit. Numri i çështjeve stok do të ulej, si dhe do të krijonte një vlerësim më të drejtë të çështjeve të ankimimit për vendimet e Shkallës së Parë.

Vendimi për të ankimuar çdo vendim të Gjykatës Administrative së Shkallës së Parë në atë të Apelit dhe më pas për të bërë rekurs në Gjykatën e Lartë rrit në mënyrë të konsiderueshme rastet.

Unë besoj se është e mundur që administrata shtetërore të tërheqë apelimin kur vendimi i Shkallës së Parë është i drejtë dhe kur vendimet e shkallëve të tjera kanë qenë të ngjashme. Kjo nuk bën gjë tjetër veçse rrit në mënyrë të panevojshme kostot për trajtimin e këtyre çështjeve në të gjitha shkallët.

A do të duhet të bëhet kjo me një vendim politik apo me një trajtim rast pas rasti?

Secila nga këto nuk është penguese dhe mund të jenë edhe plotësuese të njëra-tjetrës për të pasur një rezultat pozitiv.
Nëse ka një studim dhe zgjidhja është e drejtë, atëherë është e mundur të realizohet./ Monitor

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *