INTERVISTA E PLOTE/ Bujar Nishani: Dekretimi i Xhafajt? Më të mërzitur dhe sterrosur janë njerëz pranë Qeverisë. Tahiri më ka përgjuar mua dhe familjen time

Presidenti i Republikes Bujar Nishani duke komentuar reagimet që solli deklarata e tij nje dite me pare per dekretimin e Fatmir Xhafajt si minister i Brendshem, ka thene se ata qe jane merzitur me shume jane persona prane Qeverise dhe kete ai e ka quajtur te çuditshme.

I pranishem ne emisionin “5 pyetjet nga Babaramo”, i pyetur se përse nuk e refuzoi dekretimin e Xhafajt duke dhënë dorëheqjen, Nishani tha:

“Nëse do jap dorëheqjen domethënë që s’jam i aftë të bëj detyrën time kushtetuese, ate qe bera.

Disa reagime më cudisinin, emocionet që vijnë nga partitë politike… e mirëkuptoj emocionin që vjen nga përfaqësues të opozitës…

Me të dytët më të mërzitur dhe të sterrosur janë njerëz pranë Qeverisë.

Kjo për mua ka qenë e cuditshme, por koha do e tregojë pse janë mërzitur kaq shumë këta njerëz pranë qeverisë”, tha Nishani.

Nishani ndërkohë ka shperthyer kunder ish-ministrit te Brendshem Saimir Tahiri, duke e akuzuar per politizim te Policise se Shtetit dhe duke sjelle si prove kete edhe konstatimin, sic tha ai, qe ka bere Prokuroria per pajisjen e paligjshme te pergjimit prane baneses se presidentit.

“Ka pasur tentativa per te pergjuar jeten private te Presidentit dhe familjareve te mi”, tha Nishani.

Z.Nishani, do të doja ta nisnim bisedën nga deklarata juaj e djeshme për atë që sot e dekretuat si ministër të Brendshëm, Fatmir Xhafajn, kur deklaruat se është një kandidaturë e papërshtatshme. Pse është një kandidaturë e papërshtatshme?

Unë edhe dje u mundova t’i përcjell opinionit publik argumentet dhe arsyetimet e këtij konkluzioni tim, si President i Republikës, në dy aspekt, apo le të themi në dy anët e medaljes. Së pari, në kontekstin e zhvillimeve politike në vend aktuale dhe të pritshme. Dhe së dyti, në anën e konfigurimit individual të figurës së personit që vinte si kandidat për Ministër të Brendshëm në vijimësi të kontekstit politik.

Dua të rikthehem edhe njëherë tek rëndësia e madhe që ka Ministria e Brendshme në Shqipëri për vetë fushën e përgjegjësive që mbulon, lidhur me funksionimin e Policisë së Shtetit, rendit dhe sigurisë së vendit, lidhjet me pushtetin e drejtpërdrejtë te qytetari përmes pushtetit vendor dhe lidhjes së tij me pushtetin qendror, pra, përmes Prefektit. Ashtu edhe me një sërë çështjesh të rëndësishme që lidhen me procesin zgjedhor që është ai i hartimit të listave të votuesve dhe gjithë infrastrukturës së nevojshme. Konteksti politik është shumë problematik. Jemi në një situatë kritike të një tensioni të eskaluar politik. Opozita është jashtë parlamentit, është në protestë, ka kërkuar si kushte të panegociueshme dhe unë mendoj se jo vetëm por opozitën, por në tërësi për shoqërinë tonë standardi i të pasurit të paktën zgjedhje të lira është i panegociueshëm si standard. Dhe kjo jo se e kërkon opozita por gjithsecili prej nesh, në momentin që kemi hyrë në sistemin pluralist kërkojmë që të kemi kushte të lirisë në ushtrimin e të drejtës së votimit.

Pra, kemi një situatë ku policia e shtetit ka pasur dukshëm, demonstruar, edhe për shkak të drejtimit politik të viteve të fundit, politizim problematik dhe jam i gatshëm të jap shpjegime edhe për këtë. Si dhe ka edhe një problematikë të agravuar të individëve pjesëtarë të grupit të krimit të organizuar dhe jo të krimit ordiner të rrugës, në tentativë për t’u përfshirë në politikë dhe për të ndikuar në politikën e vendit. Në këtë kontekst figura e Ministrit të Brendshëm merr një rëndësi akoma më të madhe nga sa e ka në të vërtetë, krahasuar me institucione të tjera të cilat jo se nuk janë të rëndësishme, por kjo ka një specifikë të veçantë. Në këtë situatë, do të duhej Kryeministri pse jo edhe në një konsultë institucionale me Presidentin e Republikës, si një aktor që qëndron jashtë përplasjes politike që vjen dhe agravohet, acarohet edhe më shumë në prag fushate, edhe në situatën konkrete që po kalon Shqipëria, të kishte ofruar një figurë e cila të ndikonte në uljen e tensioneve politike, çtensionimin e situatës së shkëmbimeve politike mes palëve. Por, jo vetëm që kjo nuk u bë, por pas dekretimit, pas shpalljes së emrit nga Kryeministri, patëm dëshmi publike nga individë që kandidati, apo i dekretuari për Ministër i Brendshëm, gjatë kohës së sistemit diktatorial, kish ushtruar dhunë dhe torturë jo vetëm ndaj subjektit që hetohej për një çështje të caktuar, por edhe ndaj familjarëve të tij.

Për më tepër që dëshmia publike pasohej me qëndrimin që hetimi dhe kjo dhunë e tepruar vinin për shkak të entuziazmit që kishte shprehur subjekti që po hetohej, për shkak të vdekjes së diktatorit. Në këtë kontekst dhe ajo që ne presim përpara, pra procesi zgjedhor ku duhet të garantohet paanshmëria maksimale dhe krijimi i besimit mes palëve, sepse qeveria ka mandatin e saj legjitim për të qeverisur vendin brenda mandatit që ka fituar nga vota e qytetarëve, përsa kohë do ta ketë mbështetje në Parlamentin e Shqipërisë. Por, procesi zgjedhor nuk është avantazh i një qeverie. Duke ardhur drejt këtij procesi edhe për shkak të situatës, edhe për shkak të këtyre dëshmive që u bënë publike, në gjykimin tim, kandidatura ishte e papërshtatshme.

Ndaj, në këndvështrimin tim, nëse Kushtetuta do ia njihte Presidentit të drejtën që të refuzonte kandidaturat për ministra të kabinetit, unë pa asnjë mëdyshje do ta refuzoja dhe do ta ktheja. Por, kjo e drejtë i jepet dhe nuk i njihet Presidentit në Kushtetutë. Presidenti është një përcjellës i dekretimeve për në Parlament dhe është Parlamenti ai i cili miraton ose jo propozimin e Kryeministrit për anëtarin e qeverisë, sepse jemi një Republikë Parlamentare. Unë kam kryer vetëm detyrimin Kushtetues, por nuk mund të rrija pa shprehur shqetësimin tim institucional, me dëshirën e mirë që të shikohet dhe të ketë mundësi për reflektim qoftë nga ana Parlamentit, qoftë nga ana e qeverisë në proceset në vijim.

Shqetësimi juaj bazohet vetëm në dy dëshmi mediatike, apo në cilësinë dhe zyrën e kryetarit të Shtetit keni mundësi të merrni të gjithë informacionin e mundshëm përmes dokumenteve dhe arkivave se çfarë ka ndodhur. Pasi pati dëshmi, por pati edhe kundërdëshmi, pra u relativizua dhe ajo çka thanë ata të dy që akuzuan Xhafajn për torturë…

Nuk kam asnjë relativizim të atyre dëshmive. Ka dëshmi publike të atyre që janë dënuar dhe nuk ka asnjë reagim apo përgënjeshtrim të personit që është akuzuar. Interpretime, komente që mund të bëhen në faqen gazetash apo komentesh, nuk i përgjigjen dëshmisë dhe akuzës së bërë publike. Por, ajo që thoni ju është e vërtetë që këto dëshmi duhen verifikuar. Unë edhe dje e kam kërkuar këtë verifikim dhe kam gjykuar që e vetmja mënyrë për të bërë një verifikim të tillë është të hapet një proces hetimor parlamentar, në mënyrë të tillë që të merren dëshmitë zyrtare nga ana e parlamentit dhe t’u kërkohet institucioneve që janë na varësi të Parlamentit si Prokuroria dhe Ministria e Brendshme, pasi dokumentacioni i pretenduar është dokumentacion i administruar nga kjo ministri, pasi hetuesia në atë kohë ishte pjesë e Ministrisë së Brendshme dhe arkiva e hetuesisë së diktaturës është pjesë e arkivës së Ministrisë së Brendshme. Pra, Presidenti nuk ka kompetenca për të verifikuar dhe hetuar as në veprimtarinë e Prokurorisë, as në atë të Ministrisë së Brendshme.

Dosjen që ju kërkoni për z.Xhafaj të para 30 viteve do ua sjellë z.Xhafaj?!

Nuk është tagri i Presidentit të kërkojë hetim tek institucionet që nuk varen nga Presidenti. Presidenti i Republikës ka disa institucione të cilave u adresohet për të marrë informacione për kandidaturat për ministra për informacione që kanë të bëjnë vetëm me ato që e lejon Kushtetuta për një ose dy arsye që cenojnë Sigurinë Kombëtare. Këto informacione Presidenti i ka disponuar dhe ky komunikim me institucionet e sigurisë kombëtare nga ana e presidentit për të gjithë kandidaturat që vijnë te Presidenti i Republikës është zhvilluar.

Po flasim për dëshmi qytetarësh për ushtrimin e dhunës dhe torturës, pra për dhunim të drejtpërdrejtë të lirive dhe të drejtave themelore të qytetarit. Në çdo kod, edhe në atë kohë, hetimi nuk mund të bëhej në bazën e torturës, nuk ka pasur ligj që mund të torturoje një subjekt për çfarëdolloj hetimi, nuk mund ta torturoje, për efekte të procedurë hetimore. Pra, ky është një proces që edhe nëse Presidenti do të kishte mundësi t’i adresohej Prokurorisë, afatet Kushtetuese janë të tilla që pamundësojnë angazhimin e Presidentit të Republikës. Janë çështje që medoemos duhet të verifikohen nga ana e Parlamentit. Procesi i dekriminalizimit dhe hapjes së dosjeve janë procese që kryhen nga institucionet te tjera. Presidenti, në rastin e emërimit të ministrit ka vetëm një hapësirë për të vlerësuar kriterin Kushtetues të emërimit të ministrit dhe kriteri Kushtetues është ai që barazohet me zgjedhjen e deputetit.

Po në kuadrin e ligjit të dekriminalizimit dhe ca më tepër të Vettingut, pasi nëse një gjykatësi apo prokurori nuk i lejohet të ketë një background të tillë, si mund t’i lejohet një ministri?

Absolutisht nuk mund t’i lejohet. Dhe kjo duhet të fillojë nga Presidenti i Republikës, kryeministri, ministri dhe deri te gjykatësi dhe prokurori. Por këto janë ligjet që kemi sot në fuqi. Për gjyqtarët dhe prokurorët tashmë pas ndryshimeve kushtetuese është parashikuar moslejimi i tyre që janë përfshirë në akte të tilla, por për fat të keq nuk është përfshirë ajo për ministrat.

Pse në opinionin publik pati një perceptim që ju do ta rrëzonit këtë kandidaturë. Pati ndonjë ndryshim gjatë kësaj jave, që nga momenti i dekretimit e deri në momentin e çuarjes së dekretit nga ju në parlament, pati luhatje në gjykimin tuaj apo keni qenë konstantë?

Absolutisht që jo. Nuk e di pse është krijuar një perceptim i tillë, sepse nuk ka pasur asnjë prononcim apo qëndrim nga ana e institucionit të Presidentit të Republikës. Unë nuk kam qenë për disa ditë në vend, për shkak të një angazhimi jashtë vendit, në Azerbajxhan dhe sapo kam ardhur, çështja e parë me të cilën jam marrë ka qenë pikërisht kjo e dekreteve dhe kam njoftuar komunikimin me opinionin dhe median.

Keni pasur kontakte me faktorin ndërkombëtar lidhur me këtë çështje?

Asnjë kontakt nuk kam pasur. Nuk ka arsye që ambasadorë të huaj të kontaktojnë Presidentin për ta orientuar atë si të ushtrojë të drejtat kushtetuese. Në rast se do të binim në një standard të tillë, mendoj se Presidenti i Republikës nuk do mbronte dot dinjitetin e zyrës.

A mund të ishte një formë tjetër, që të konsultoheshit me kryeministrit, p.sh, për 1, 2, 3, 4 arsye kjo nuk shkon. Pse nuk e bëtë?

Kjo është një praktikë që në normalitet, në një logjikë normale, duhet të funksionojë në një shtet dhe duhet të jetë Kryeministri ai i cili duhet të vijë te Presidenti i Republikës dhe për poste të tilla, jo për çdo lloj ministrie. Kjo nuk do të thotë se është e detyrueshme, unë po i referohem logjikës civile, qytetare dhe normale të një shtetin. Por, për ministrin e Brendshëm, ministrin e Mbrojtjes, ministrin e Jashtëm dhe të Integrimit, do të ishte e udhës që Kryeministri të informonte paraprakisht Presidentin, jo t’i merrte leje, por ta informonte për të marrë reagimin e presidentit rreth kandidaturave të cilat ngarkohen për objektiva madhore të vendit sepse janë institucione që kanë të bëjnë me Sigurinë Kombëtare. Përsa kohë Kryeministri nuk e bëri, dinamika në vijimësi tregoi se ne e ndjekim jetën publike dhe politike e institucionale me shumë kujdes. Kryeministri reagoi publikisht kundër dhe i hodhi poshtë pretendimet e dëshmive. Ishte krejt e pavend pastaj që Presidenti të kërkonte Kryeministrin çka do të bënte edhe afatet kushtetuese që kanë të bëjnë me presidentin të tejkaloheshin duke çuar kështu drejt komprometimit kushtetues të Presidentit.

Që nga deklarata juaj ka pasur reagime në rrjetet sociale dhe shumë të djathtë kanë qenë të zhgënjyer nga ky qëndrim i juaji duke e çuar për të dekretuar z.Xhafaj ministër. Madje ka pasur edhe qëndrime të tilla pse nuk e refuzoi Presidenti në mënyrën duke dhënë dorëheqjen…Ju e menduat ndonjëherë këtë?

Nëse unë jap dorëheqjen do të thotë se nuk jam i aftë dhe i zoti të kryej detyrën Kushtetues pikërisht atë që bëra. Unë i mirëkuptoj reagimet e ndryshime. Disa i mirëkuptoj, disa më çudisin. Unë jam në zyrën e Presidentit të Republikës si një institucion që qëndron jashtë reagimeve të partive politike. Nuk jam në zyrën e Presidentit të Republikës për të reflektuar emocionet që vijnë nga partitë politike. E mirëkuptoj emocionin që vjen nga përfaqësues të opozitës sepse e lidhin pikërisht me të shkuarën e kandidatit për ministër, me aktivitetin e tij në Parlament, me qëndrimet politike që ka mbajtur në raport me opozitën, pra, të gjithë këtë qasje të qetarëve që janë në opozitë me qeverinë e mirëkuptoj. Por, ajo që më çudit është fakti që njerëz pranë qeverisë janë të mërzitur me dekretimin e ministrit të Brendshëm. Megjithatë, ndoshta koha në vazhdimësi do ta tregojë se pse janë mërzitur kaq shumë këta njerëz pranë qeverisë.

Duke kaluar dekretin në Parlament, ju mbyllët shtegun e një precedenti që mund të krijojë shumë probleme të politikës, duke e bërë këtë vend gati të pamenaxhueshëm. Një president në një republikë parlamentare, duke shfrytëzuar një lloj evaziteti lidhur me dekretet presidenciale, ndodhet në rrethanën që sa herë të ketë bashkëjetesë mes presidentit dhe kryeministrit do krijohej një precedent që ministrat vështirë se do kalonin. Në këtë rrethanë, mendoni se duhet një ndërhyrje në Kushtetutë për t’i dhënë fund këtij evaziteti kushtetues?

Kjo që thoni ju është shumë e vërtetë. Duhet të jetë pjesë e diskutimi dhe diskursi politik në vazhdimësi. Por unë mendoj se Kushtetuta jonë është mjaft e qartë. Së pari, duhet të kemi parasysh se njeriu që shkon në zyrën e Presidentit të Republikës, duhet të demonstrojë përgjegjshmëri dhe seriozitet. Nëse ne biem në nivelin kur njeriu i cili për shumë arsye, rrethana, angazhime, shkon në zyrën e Presidentit të Republikës dhe çedon te serioziteti dhe tek integriteti, atëherë është një problem shumë i madh për shtetin dhe vendin. Ndaj e kam parë dhe do ta shoh si një post i cili nuk është personal, por është një institucion delikat dhe shumë i rëndësishëm për integritetin e shtetit shqiptar për sot dhe mijëra vjet që do të pasojnë.

Kushtetuta është e qartë, presidentit nuk i lejohet që të diskutojë, apo të kompromentojë, refuzojë, kandidatin e propozuar nga Kryeministri për anëtarin e qeverisë. Kjo sepse kryeministri ka marrë dekretimin nga Presidenti dhe votëbesimin nga Parlamenti për të krijuar qeverinë që në momentin kur ka marrë shumicën e votave. Po të lexosh nenin kushtetues për kompetencat e presidentit për dekretin, renditet dekretimin i ambasadorëve, i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Drejtorit të SHISH, të ligjeve, nuk është përfshirë dekretimi i ministrave. Tek ky nen që përcakton direkt kompetencat e Presidentit, nuk është i vendosur emërimi dhe shkarkimi i ministrave, pra nuk është njohur si tagër Kushtetues. Së dyti, nuk merr fund miratimi i ministrit me dekretimin e presidentit, siç ndodh drejtorin e Shërbimit Informativ i cili propozohet nga Kryeministri dhe dekretohet nga Presidenti e aty merr fund procedura e emërimit të tij. Emërimi i ministrit, pavarësisht dekretit të Presidentit, duhet të shkojë në Parlament.

Brenda të majtës ka pakënaqësi dhe mos është kjo arsyeja që ju e çuat në Parlament, për të verifikuar mazhorancat…?

Presidenti këtë rol ka. Disa keqpërdorin edhe gjuhën shqipe, thonë noter. Por e marre tek çështja që përcakton Kushtetuta. Në rastin e emërimit të ministrave, Kushtetuta i kërkon Presidentit nëse ky kandidat i plotëson kriteret kushtetuese që barazohet me ato të deputetit, duket t’i kalojë Parlamentit për vlerësim. Nuk ka rrugë tjetër kushtetuese, aq më tepër nuk mund të vendoset një precedent antikushtetues që një president në një moment të caktuar t’i thotë Kryeministrit se ky ministër mua nuk më pëlqen se pastaj krijohet një kolaps i sistemit çka nuk ta ka dhënë Kushtetuta. Në këtë sens, nuk kam bërë asgjë tjetër, përveçse plotësimin strikt të detyrës së Presidentit të Republikës.

Në hyrje të bisedës hapët shumë tema. Thatë jeni i gatshëm të jepni prova se Policia e Shtetit është e politizuar. Cilat janë këto prova?

Unë nuk përgjithësoj Policinë e Shtetit. Kam pasur rastin të jem dy herë Ministër i Brendshëm i këtij vendi dhe kam respektin maksimal dhe nderimin maksimal për Policinë e Shtetit sepse kam parë nga afër dhe kam përjetuar jetën e vështirë, përgjegjësinë e madhe dhe kontributin që jep policia për sigurinë tonë jo vetëm gjatë ditës, por edhe natën kur ne me familjet tona jemi duke pushuar, ndërsa ata janë në gatishmëri për të na garantuar rendin dhe sigurinë. Policia e Shtetit vepron mbi bazën e drejtim-komandimit dhe në momentin kur politizohet drejtim-komandimi, atëherë e gjithë struktura e saj shkon drejt politizimit. Ka mjaft raste, por po e nis me një fakt.

Gjatë kohës që isha Ministër i Brendshëm, lideri i opozitës së kohës, për çështje pune dhe elektorale, kishte komunikimin normal dhe të drejtpërdrejtë me ministrin e Brendshëm vetëm për çështje pune, në mënyrë korrekte dhe serioze. Kultura e komunikimit institucional ka qenë krejt e hapur dhe krejt normale. A mund ta imagjinoni që kryetari i opozitës të komunikojë me ministrin e Brendshëm qoftë me atë që iku apo me atë që do të vijë? Unë mendoj se ky është një tregues shumë esencial.

Por ata që nuk e marrin si tregues, po kaloj te çështja më konkrete dhe që media duhet ta kishte trajtuar si kambanë alarmi dhe jo njëherë, por në mënyrë të përsëritur, ministri i Brendshëm që u lirua dhe vetë Kryeministri, në prani të shumë drejtuesve të policisë ka artikuluar akuza të rënda në drejtim të opozitës. S’ka ndodhur kurrë në Shqipëri pas vitit ’90. A mundet një Ministër i Brendshëm, një Kryeministër përballë drejtuesve të lartë të policisë, ta akuzojë politikisht dhe shantazhojë opozitën? Kjo nuk ka ndodhur vetëm njëherë, por në mënyrë të përsëritur. Kam denoncuar për të përgjuar jetën private të Presidentit të Republikës. Disa e morën si me gallatë.

Këtë shqetësim e keni ngritur edhe gjatë një interviste që keni zhvilluar para një viti…

Sigurisht. Dhe koha tregoi që kisha të drejtë. Fakti që u zbulua nga Prokuroria aparatura e paligjshme e përgjimit, u kërkua të vihej në dispozicion, u verifikua përdorimi i kësaj pajisje gjeografikisht pranë territorit ku banon Presidenti dhe u refuzua nga Policia e Shtetit të dorëzohej në Prokurori për të investiguar. Kështu që, mendoj që këto akte, jo vetëm e konfirmojnë, por janë shqetësuese për politizimin e policisë dhe kur them politizimin e policisë nuk e kam fjalën për komandantin e togës, inspektorin që kryen gjithë ditën punën, apo për oficerin e policisë kriminale.

Pajisja e përgjimit ka qenë pranë rezidencës?

Atje ku banon Presidenti është konstatuar nga ana e Prokurorisë. Është një evidencë e bërë me dije.

Në çfarë distance?

Distancën nuk e di se është çështje në hetim.

Objekt përgjimi ka qenë banesa juaj?

Nuk e di kush ka qenë përveç banesës tuaj. Por, aparatura e paligjshme e përgjimit u identifikua, u kërkua të dorëzohej për të parë se kush është përgjuar, pse është përgjuar, me urdhër të kujt është përgjuar, u refuzua. Dhe jo vetëm u refuzua, por Ministri i Brendshëm dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit bënin demonstrime publike përpara institucionit të Presidentit. Këto janë fakte, prova të pakundërshtueshme dhe nuk fshihen. Patjetër do të jenë pjesë e proceseve hetimore dhe verifikuese, por të gjitha këto tregojnë ato që unë kam deklaruar si aspekt problematik, politizimin e Policisë së Shtetit. Dhe Parlamenti të nisë, m.q.s jemi tre muaj përpara zgjedhjeve, të nisë depolitizimin e Policisë së Shtetit.

Çadra e opozitës e vendosur mes Kryeministrisë dhe Kuvendit dhe gjuha ultimative e kryetarit të PD për të dalë nga kriza, pra largimi i kësaj qeverie dhe krijimi i qeverisë teknike…?

Presidenti është goxha i limituar në adresimin dhe në qasjen e vlerësimeve të veprimtarisë së partive politike. Ky është karakteri që i jep Kushtetuta Presidentit. Presidenti e ndjek situatën dhe është i gatshëm të japë kontributin e tij.

Pse nuk thërrisni një tryezë?

Tryezat thirren kur palët janë të gatshmë të ulen në tryezë. Unë nuk mund të bëj akte dhe veprime që e komplikojnë situatën dhe të krijojnë më pas barriera edhe më të pakapërcyeshme në vijimësi. E drejta e protestës është një e drejtë e opozitës në çdo vend të lirë dhe demokratik. Kauza që ka ngritur opozita është një kauzë e rëndësishme. Kauza e cila pas zgjedhjeve të 2015-ës na ka vendosur në një pikëpyetje për standardet e lirisë në zgjedhje. Standard i cenuar nga individë me rekorde kriminale të afruar partive politike të cilët kanë kompromentuar proceset elektorale. Këta janë toleruar nga partitë politike. Qytetarët duhet të vendosin me padiskutuim të lirë se kush do ta qeverisë vendin, por procesi i votës duhet të jetë i lirë, vullneti i qytetarëve duhet të jetë i lirë për t’u ushtruar. Unë mendoj që kemi eksperienca se s’është hera e parë që opozita proteston. Partitë duhet të komunikojnë me njëra-tjetrën dhe të udhëheqin nga standardi i kompromisit dhe të krijojnë një ambient më të paqtë për vendin dhe qytetarët.

Sa herë ka krizë, zgjidhja formalizohet në këtë zyrë. Çfarë jeni i gatshëm t’u ofroni palëve për kompromis?

Presidenti i Republikës nuk ka mekanizma detyrues.

 Nëse palët bien dakord për shtyrjen e zgjedhjeve…

Do të reflektoj vullnetin politik të palëve politike.

Do ishte shkelje kushtetuese?

Jo, sepse do të reflektohej në legjislacion.

Çfarë jeni i gatshëm t’u ofroni?

Duhet të dëgjoj pretendimet e palëve dhe kjo bëhet duke ardhur te zyra e Presidentit. Presidenti i ka pasur gjithmonë dyert e hapura. Deri sot nuk ka pasur asnjë tentativë. Dua që të shprehet ky vullnet me ardhjen te Presidenti, me prezatimin e  pikëpamjeve të gjithsecilit dhe patjetër që presidenti mund të garantojë që qëndrimi i tij do të jetë në çdo rast tërësisht interesit të ngushtë të një apo një pale tjetër politike.

Gjatë konferencës tuaj, paralelisht ishte dhe mesazhi javor i Kryeministrit. Ai tha qartë se do të përfundojë mandatin e tij, pa qeveri teknike. La të kuptohej se ishte i gatshëm të shkonte në zgjedhje edhe pa opozitën…

Siç nuk komentoj qëndrimet e liderit të opozitës nuk komentoj as të kryetarit të qeverisë. Patjetër që është e drejtë e gjithsecilit të shprehë qëndrimet e tij. Flasim për një sistem pluralist dhe si i tillë duhet të jepet garanci për zgjedhje të lira dhe kjo është detyrë e qeverisë.

Kush mund të jenë garancitë?

Kushdo që do ishte president, nuk ka fuqi të flasë as për njërën dhe as për tjetrën forcë politike, sepse nuk je ti vendimmarrësi i akteve të mazhorancës apo opozitës. Je një i institucion i gatshëm që të vendosësh autoritetin dhe ligjshmërinë e procesit. Që të mbështetësh procese kompromisi midis palëve. S’mund të marr përsipër se cilat janë garancitë që kërkon opozita dhe ato që mund të ofrojë mazhoranca. Ajo bëhet në diskursin dhe komunikimin e opozitës dhe mazhorancës. Mund ta bëjnë edhe pa prezencën e Presidentit, por jam i gatshëm t’ua lehtësoj nëse do ta kërkojnë.

Në Azerbajxhan takuat presidentin maqedonas. Mund ta bëni publike se çfarë diskutuat?

Ishte një takim me kërkesë të Ivanov. Patjetër që e mirëprita takimin. Ndamë pikëpamje të përbashkëta për miqësitë mes dy vendeve, për rëndësinë e stabilitetit dhe ruajtjen e integritetit të Maqedonisë. Ndamë pikëpamje të përbashkëta për rolin shtetformues dhe garantues të stabilitetit të Maqedonisë që kanë shqiptarët në Maqedoni. Ndamë pikëpamje të përbashkëta mbi zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

E sqarova homologun Maqedonas që Shqipëria dhe Tirana zyrtare as ka ndërhyrë dhe as nuk ndërhyn, nuk e ka as në qëllim, as në platformë dhe as në interes ndërhyrjen në punët e brendshme të një shteti tjetër aq më tepër të një vendi fqinj si Maqedonia. E sqarova që programi qeverisës që kanë shpalosur partitë shqiptare nuk është një platformë e Tiranës, e Kryeministrisë apo Presidencës. Është e drejtë e partive politike që pas zgjedhjeve të paraqesë program qeverisës dhe pastaj të negocionojë dhe bisedojë që pjesë dhe ky program të inkorporohet në programin e qeverisë që miratohet në Parlament më pas. I thash se sa e rëndësishme është zbatimi i marrëveshjes së Ohrit dhe programi qeverisës i partive politike shqiptare është mekanizmi që do të garantojë atë që nuk është bërë deri tani nga marrëveshja e Ohrit.

I sqarova fare mirë se në një situatë të betejës politike për pushtet do të ishte në dëm të Maqedonisë dhe rajonit transferimi i këtij konflikti ndërpartiak si një konflikt artificial ndëretnik. I sqarova se për ne është shumë e rëndësishme se siç kanë bashkëjetuar shqiptarët dhe maqedonasit të bashkëjetojnë në respekt reciprok dhe në interes të integrimit euroatlantik të Maqedonisë. I bëra me dije se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe politika e saj e jashtme është brenda politikës së Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në këtë frymë mbështetet edhe anëtarësimin e Maqedonisë. Ndaj, thash se çdo retorikë jashtë këtij konteksti nuk e ndihmon procesin. Çështja se kush do të jetë Kryeministri nuk e zgjidhim ne në Tiranë. Por nuk mund të mohohen partitë politike shqiptare në Maqedoni që janë pjesë e drejtimit të vendit atje. Por, gjeta mirëkuptimin e Presidentit Ivanov.

Me Greqinë raportet vijojnë të jenë të tensionuara. Ka shenjë zbutje?

Marrëdhëniet me Greqinë janë të rëndësishme. Është një vend fqinj, kemi një histori të përbashkët, kemi ndarë historinë me njëri-tjetrin. Shqiptarët kanë lëvizur, kanë marrë dhe kanë dhënë për njëri-tjetrin. Greqia ka mbështetur dhe mbështet Shqipërinë në BE, është një vend që demonstron frymën dhe parimin e mentalitetin europian. Kanë mirëpritur një numër të madh emigrantësh atje. Por, kemi dhe disa çështje për të diskutuar dhe për të gjetur zgjidhje me Greqinë, të cilat duhet të bëhen në tryezën e negociatave.

Kalojmë në Kosovë. Ka një debat për krijimin e Ushtrisë. Homologu juaj, z.Thaçi është i vendosur që edhe pa pëlqimin e politikës, pa praninë NATO-s, Uashingtonit, kërkon ta bëjë në mënyrë të njëanshme transformimin e FSK-së…Ç’mendim keni?

Do të jem së shpejti në një vizitë në Kosovë, ku do të diskutojmë çështjet me interes të të dy vendeve. Kosova është një shtet i pavarur, është një shtet sovran dhe si i tillë ka të gjithë të drejtën për të ngritur institucionet që i takojnë një shteti në sferën e ekonomisë, sigurisë, kulturës e me radhë. Ushtria e Kosovës është një e drejtë dhe detyrë. Një shtet nuk mund të garantojë sigurinë e tij pa pasur mekanizma, në rastin konkret ushtrinë e saj. Kemi aktualisht FSK-të në Kosovë, por të mos harrojmë që kemi një prezencë të pazëvendësueshme, të domosdoshme të NATO-s. Kemi prezencën e forcave ushtarake të SHBA-së.

Dhe unë mendoj, siç dhe kam dëgjuar nga Presidenti Thaçi, që ndërtimi i ushtrisë dhe FSK-së të bëhet në bashkëpunim të plotë me NATO-n. Ne si vend i NATO-s jemi në bord të Aleancës dhe do të kërkojmë të njëjtën gjë që do të kërkojë NATO, pra që ndërtimi i ushtrisë së saj të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe posaçërisht me SHBA-në. Nuk mendoj se ushtria e Kosovës mund të ndërtohet në mënyrë të suksesshme dhe të funksionojë në mënyrë të suksesshme nëse nuk do të ketë bashkëpunimin e NATO-s dhe nuk do të ketë asistencën dhe bashkëpunimin e SHBA-së.

1 komente në “INTERVISTA E PLOTE/ Bujar Nishani: Dekretimi i Xhafajt? Më të mërzitur dhe sterrosur janë njerëz pranë Qeverisë. Tahiri më ka përgjuar mua dhe familjen time”

  1. sit... back..and relaks →→→ says:

    ahahhahahahaha, paskan pergjuar Trumpthin shqiptar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Top
Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
X