Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në ceremoninë për nënshkrimin e paktit kombëtar të mirëqenies sociale.
E pranishme ka qenë edhe ministrja e re e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaçka.
Gjatë fjalimit të tij, Rama ka vlerësuar atë që ka bërë qeveria e tij për reformën e pensioneve.
Në fjalimin e tij, nuk kanë munguar as disa batuta për Vangjush Dakon.
“Ka plot që mendojnë se mos të prishen me ata, e këta, po jo se shiko se po të prekim pensionet nuk do na kuptojnë, se na duhen votat e me radhë.
Por ne e bëmë.
Kujtoj kur shkuam me Vangjushin dhe Erjonin kur ishte ministër, për pak na humbi Vangjushi se ishte një gropë e tmerrshme në lagje.
Por nuk gjenim dot as derën, por hynë këta, unë hyra kërrusur se ishte kaq dera, nga ato apartamentet e lodhura të epokës së parë të zhvillimit kaotik të Durrësit”, tha Rama.
Kryeministri ndërkohë, iu përgjigj edhe kritikëve për zyrat e punës.
Sipas tij, ato sot janë histori suksesi.
“Le të thonë ca të duan, le të flasin ca të duan, kanë ndërmjetësuar 26 mijë vetë, kaq janë punësuar, nga zyrat e punës që marrin rrogën me punë dhe paguajnë taksat në shtet.
31 mijë vende të lira pune në zyrat e punës”, tha Rama.