Veliaj tregon projektet madhore: Bulevardi i ri, Tirana e 100 viteve të ardhshme

Hapja e Pazarit të Ri duke krijuar kushtet për tregtim sipas standardeve europiane,  ka lënë të kënaqur edhe vetë tregtarët, të cilët shohin si mundësi rritjen e shitjeve, pas fluksit të shtuar të qytetarëve. Në një intervistë ndryshe për “Njerëz në Fokus” të gazetares Ola Bruko, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka treguar gjithçka për rikonstruksionin e realizuar nga ambientet e Pazarit të Ri.

“Të gjitha dyqanet janë rikonstruktuar, disa prej tyre kanë kaluar në pika shërbimi. Zona e Pazarit të Ri për shkak të ndotjeve evitohej, shmangej kalimi aty, por tashmë çdo gjë është transformuar. Ne në të gjitha rastet kemi bashkëpunuar me pronarët. Ka një miks shërbimesh. Nuk është e thënë që njerëzit të bëjnë Pazar e të ikin me vrap, por ka edhe hapësira të ndryshme ku njerëzit mund të marrin një kafe, mund të ushqehen, mund të pushojnë, ka hapësira për fëmijët. Sot besoj se është një xhevahir. Edhe numri i turistëve që e vizitojnë është rritur”, tha Veliaj.

 Kreu i Bashkisë u shpreh se falë kësaj ndërhyrjeje janë një numër i madh familjesh të cilat zhvillojnë ekonominë e tyre. Kryebashkiaku Veliaj deklaron se nuk do të ketë asnjë rritje takash për tregtarët të cilët shesin produktet e tyre në zonën e Pazarit të Ri. “Bashkia e Tiranës ka krijuar bashkë me fondin amerikan në themelin e një shoqate. Paguhet një çmim 100 lekë për tezgën. Në fund të muajit, të gjitha të ardhurat që mblidhen, i shkojnë shoqatës. Shoqata ka zgjedhur disa anëtarë të bordit, që marrin vendime nëse duan të bëjnë aktivitete. jemi munduar që të krijojmë një model, ku paratë të shkojnë tek qytetari”, tha ai.

 Veliaj u ndal edhe te projektet e tjera madhore të cilat janë në përfundim dhe që priten ta trasnformojnë tërësisht kryeqytetin. “Kemi disa projekte. Mezi po pres hapjen e sheshit “Skënderbej” që sigurisht është diamanti i kurorës i gjithë investimeve në Tiranë. Besoj fundi i Majit, fillimi i Qershorit. Nuk dua të bëj premtime ekzakte, por punët po ecin mirë. Mbi 65% e sheshit tashmë është kompletuar, po përfundon parkimi nëntokësor, kemi mbjellë mijëra pemë me të gjithë lulishtet. Pra pjesa e qendrës është shesh, për të pasur një piacë kryesore në qytet, por pjesët e tjera krijojnë mikro-ambiente të gjelbërimit, kopshteve, të shëtitjeve. Do jetë shumë bukur”, tha Veliaj duke shtuar se në përfundim është edhe Bulevardi i Ri.

“Në km e parë ne kemi mbjellë pemë, pisha të rritura, një gjelbërim tashmë të rritur, që do të japi ndjesinë e një bulevardi prej vërteti që në fillim, shkurret, lulet dekorative. Këtë javë zgjedhim ndriçimin, që do të jetë i aksesueshëm edhe natën. Do të jetë një surprizë shumë e këndshme. Tek stacioni i trenit do të jetë e paimagjinueshme ajo që njerëzit do të shohin. Do të jetë e paimagjinueshme potenciali që ka gjithë ajo zonë për t’u zhvilluar. Unë besoj do jetë Tirana e 100 viteve të ardhshme”, tha ai duke theksuar se shumë shpejt do të jetë gati edhe Parku Olimpik. Ndërkohë shumë shpejt jemi gati me Parkun Olimpik. Por për vijimin e investimeve me intensitet, Veliaj theksoi rëndësinë që ka vota më 18 qershor, ku qytetarët duhet të zgjedhin për vijimin e reformave të qeverisë “Rama”

1 komente në “Veliaj tregon projektet madhore: Bulevardi i ri, Tirana e 100 viteve të ardhshme”

  1. Strong says:

    Bravo Veliaj! Mos u ndal me projektet, vazhdo t´u sherbesh njerezve me pune te ndershme. Malokeria e cadres do te donte te zhdukte gjithcka te mire qe u be keto 4 vite. Megjithese jane shum pak, te mbledhur rreth nje burri kriminel dhe dashakeq, prape ata jane te zot te bejne keq. Ruani dhe vigjiloni qe te mos ua shkaterrojne keto gjera te mrekullueshme qe u bene.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *