Italia e frikshme, 10 vjet pa humbje në kualifikuese

21 Mars 2017, 16:19Sport TEMA

Italia është një kundërshtar i frikshëm. Për shumë arsye. Nga fakti që është katër herë kampione e botës dhe një prej përfaqësueseve më të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Emra si Immobile e Belotti në sulm, të mbështetur nga yjet Verratti, Candreva e De Rossi në mesfushë, pa harruar legjendën Buffon që ndaj Shqipërisë do të luajë ndeshjen numër 1,000 në karrierë dhe Bonuçin e Barzaglin në mbrojtje.

Italia paraqitet në sfidën e 24 Marsit ndaj Shqipërisë me një rekord të jashtëzakonshëm. 54 ndeshje pa pësuar humbje në ndeshjet kualifikuese ndërmjet Kupës së Botës dhe Kampionatit Europian. Ecuri e pabesueshme e “të kaltërve” që nuk humbasin në një ndeshje zyrtare kualifikuese prej më tepër se dhjetë viteve. Disfata e fundit ishte ajo e 6 Shtatorit 2006, kur Franca u hakmorr për finalen e humbur në Botërorin e Gjermanisë. Një ndeshje që u vendos nga dy golat e realizuar nga Sidney Govou dhe nga rrjeta e Thierry Henry. Në fund Italia u mposht 1-3.

Gjatë dekadës së fundit, futbolli italian është përballur me shumë ulje dhe ngritje. Një skuadër e mësuar me emra si Baggio, Del Piero dhe Totti, që për vite me radhë vuajti mungesën e yjeve që mund të bënin diferencën. Megjithatë, me brezin aktual shpresat për një Itali të madhe janë rindezur: trajneri Ventura ka në dispozicion një skuadër me kualitet dhe të rinj premtues, që në vitet në vijim mund të jenë protagonistë absolut. Ndoshta ky nuk ishte momenti më i mirë për Shqipërinë që të përballej me të kaltërit. Por, në një sfidë ëndrrash për të gjithë tifozët, kuqezinjtë do të provojnë që të bëjnë surprizën e madhe të premten në Palermo./SS/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje