Mësuesja me burrin rrahin nxënësit se u gjuajtën lokalin me vezë

Një grup nxënësish të klasës së nëntë në  shkollën “16 Shtatori” në Pezë të Madhe, janë rrahur nga mësuesja Anila Çelmeta dhe bashkëshorti i saj. Ngjarja ka ndodhur në festën e Ditës së Verës, jashtë ambienteve të shkollës.

Nxënësit fillimisht nuk u kanë treguar familjarëve për këtë ngjarje. Ata kanë vendosur të flasin me prindërit vetëm një ditë më pas, ku mësuesja ju ka bërë “presion” psikologjik në ambientet e shkollës.

Prindërit, pasi janë informuar rreth situatës, e kanë denoncuar mësuesen dhe bashkëshortin e saj në komisariatin e policisë në Kombinat dhe në emisionin Fiks Fare.

Fëmijët tregojnë para kameras së Fiks Fare se kanë frikë nga “hakmarrja” e mësueses.

“Ditën e Verës ne dalim dhe festojmë siç e ka tradita. Atë natë kemi kaluar pranë lokalit të mësueses. Sa jemi larguar pas nesh ka ardhur kjo e fundit së bashku me bashkëshortin me makinë. Na prenë rrugën me makinë, ndaluan dhe filluan të na godisnin. Bashkëshorti i saj më kapi në fyt dhe filloi të më gjuante në fytyrë”, shprehet një nga nxënësit.

Disa të tjerë thonë se ka qenë mësuesia e cila i ka goditur me shpulla në fytyrë. Arsyeja, sipas tyre,  ka qenë se disa fëmijë kanë qëlluar me vezë në ambientet e biznesit të saj.

Nxënësit tregojnë se pasi janë goditur, të nesërmen mësuesja u është drejtuar në shkollë me fjalë të rënda duke u bërë presion psikologjik.

“Unë u fsheha në kanal nga frika, por e pashë që kërciti shpulla”, shprehet një tjetër nxënës. Disa nxënës të tjerë shprehen: “Na goditi dhe të nesërmen. Na tha që do ja u rregulloj unë vitin që vjen kur të bëjmë mësim së bashku”. Frika e këtyre nxënësve është “hakmarrja” dhe nga kjo ata pohojnë se duan të largohen nga shkolla. Së bashku me ata të shqetësuar për këtë ngjarje janë edhe prindërit.

“Fillimisht djali nuk më tregoi, por më pas e morëm vesh dhe na tha gjithçka. Si mund të godasësh fëmijën dhe mbi të gjitha t’i bësh presion ditën e nesërme në shkollë?! Është e patolerueshme”, shprehet një nga prindërit.

Një tjetër thotë se tashmë ankesa ka vajtur në polici dhe në drejtorinë e shkollës. Prindërit njëzëri thonë se nuk duan ta falin këtë incident të rëndë. “Djalin tim e ka dhunuar madje në shtëpi i ra gjak nga hundët. Ne e kemi denoncuar. Nuk është normale kjo gjë”, pohon i revoltuar një prind.

U interesuam në drejtorinë e shkollës nëse ishte në dijeni të situatës përsa i përket “kërcënimit” që mësuesja u ka bërë nxënësve në ambientet e shkollës. Drejtorja e shkollës, Afërdita Belba tha se ishte në dijeni të situatës, por ajo u shpreh për Fiksin se nxënësit duhet ta çojnë në drejtori ankesën me shkrim.

Drejtorja e shkollës do të ngrejë komisionin etik, i cili më pas do të vendosë nëse duhet të kalojë çështja në komisionin disiplinor për të shqyrtuar situatën.

“Nxënësit më thanë se mësuesja ju ka thënë do ua rregulloj unë ju vitin që vjen. Unë kërkova që nxënësit ta bëjnë me shkrim këtë ankesë. Do të mbledh komisionin të shqyrtojmë këtë situatë. Përsa i përket dhunës që ka ndodhur jashtë shkollës, do flasin institucionet e tjera. Vazhdimisht ne i çojmë formularë nxënësve për të bërë ankesa në lidhje me raportin e tyre me mësuesit, por ata hezitojnë. Kanë frikë”, u shpreh drejtoresha Belba.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *