Vizita enigmatike e Bashës në SHBA dhe pse Berisha nuk kërkoi qeveri teknike në takimin me Lu?

Ditmir Bushati dhe Lulzim Basha gjenden njëkohësisht në Uashington, por pak gjasa ka që të takohen me njëri-tjetrin dhe qëllimet e vizitës së të dyve janë të ndryshme, raporton Top Channel që ka bërë një analizë të detajuar të zhvillimeve të 24 orëve të fundit.

Ministri i Jashtëm, Bushati është ftuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, si një nga 68 përfaqësuesit e koalicionit anti-ISIS, një takim që do të mbahet në Departamentin e Shtetit.

Por përpara takimit të së mërkurës me Sekretarin e Shtetit, Ditmir Bushati ka biseduar me disa senatorë dhe kongresmenë amerikanë, të cilët i kanë shprehur ministrit të Jashtëm mbështetjen për kursin e reformave në vend, veçanërisht për reformën në drejtësi.

Axhenda e kryetarit të opozitës është akoma një enigmë. Lulzim Basha u nis të martën paradite për në Uashington, por ai nuk ka dhënë asnjë detaj se me kë do të takohet gjatë kësaj vizite të papritur.

Disa orë përpara udhëtimit, Basha tregoi vetëm qëllimin e vizitës në Uashington.

“Do të kem takime në Europë dhe në SHBA në funksion të axhendës për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe do t’ju informoj kur t’i kem këto takime dhe kur t’i zhvilloj ato”, deklaroi Basha për Ora News.

Ndërkohë, amerikanët e Tiranës kanë dalë nga pozicioni i vëzhgimit të situatës politike.

Ambasadori amerikan ishte në zyrën e ish-Kryeministrit Berisha në një takim kokë më kokë, ku ka dëgjuar prej tij 4 arsyet e protestës së opozitës.

Të gjitha ato lidhen me Kryeministrin Rama, për të cilin i tha ambasadorit Lu se lejoi mbjelljen e vendit me kanabis me qëllim blerjen e zgjedhjeve, se ka ndikuar në lirimin e bandave më të rrezikshme në vend, se po ushtron presion mbi administratën dhe se po censuron opozitën nëpërmjet kontrollit mbi median.

Sali Berisha e përkufizoi situatën si më kritiken në të gjithë ekzistencën e pluralizmit dhe i kërkoi ambasadorit Lu ta trajtojë Edi Ramen si Manuel Noriegën, të cilin Shtetet e Bashkuara e hoqën nga pushteti pasi e kishin mbështetur për disa vjet.

Njoftimi i zyrës së ish-Kryeministrit nuk jep asnjë detaj për qëndrimin e ambasadorit amerikan, por bie në sy se pavarësisht akuzave të rënda ndaj Kryeministrit, në njoftim mungon kërkesa për një qeveri teknike, e cila konsiderohet nga ndërkombëtarët si pengesë për nisjen e një dialogu mes palëve, thekson TCH.

REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Vizita enigmatike e Bashës në SHBA dhe pse Berisha nuk kërkoi qeveri teknike në takimin me Lu?”

  1. niki says:

    Basha ka shkuar ne A merike, qe mos te mbaj pergjegjesi per hyrjen ne parlament se shpejti.

    1. may says:

      Plehra Berisha u thote te tjereve ato qe ai ka bere apo ka ne plan te bej, eshte mashtrues dhe kriminel klasi, per koken e tij dhe familjen e tij hedh poshte dhe shkel me kembe kedo, por do vij dita do ta pesoj keq ky plak kriminel,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *