Aurel Plasari: E vërteta e së kalurës sime “komuniste” dhe “lidhjet” e tim eti me Enver Hoxhën

Aurel Plasari ka reaguar pas disa aludimeve për lidhjet e familjes së tij me komunizmin.

Ja çfarë shkruan Plasari:

“Zhgani i shokëve enveristë, sa herë nuk ndërhyjnë dot në debatin e sotëm politik, rihedhin në qarkullim ndonjë përrallëz të shfaqur përsëri edhe këto dy-tri ditëve të fundit: Aurel Plasari qenkësh i biri i Ndreçi Plasarit, i cili paskësh qenë servil i Enver Hoxhës, shërbëtor i Nexhmije Hoxhës etj.

Rastësia ka dashur që personin e përgojuar të mos e kem pasur as edhe fis a farefis, qoftë të afërt a të largët. Por, edhe nëse do ta kisha pasur gjësend, çfarë peshe do të ngrinte ky fakt në debatin e sotëm politik? Që shkrimet e mia të lexoheshin thjesht si shkrime të një biri të Bllokut? Kontradiktore shumë, apo jo, sepse të kisha qenë bir i Bllokut shokët enveristë do të duhej të binin në dashuri më mua, sikurse me ata bij të Bllokut që sot ja ku i kanë: në pushtet. Dhe sa bukur shtiren sikur e kanë harruar kohën kur më ndiqnin me etiketën si bir i “Armikut të Popullit”. Jo të atij të Ibsenit, por të Enverit.

Nëse do të nisesha nga interesa familjarë, me Enverin dhe Nexhmijen do të isha në gjak për vrasje në tentativë të tim eti, Anastas Plasarit, qysh në kohën kur çifti i ri Hoxha-Xhuglini ushtronin veprimtarinë terroriste ende pa e marrë pushtetin. Nuk më ka shkuar për doresh të përmend fakte të tilla, mbasi ato janë bërë publike qysh prej fillimit të botimit të përmbledhjeve dokumentare nga Arkivi Qendror i Shtetit prej viteve ’90 e këndej. Por, meqë përrallëzat u përsëritkan shpesh, atëherë duhen përmendur edhe të vërtetat. Ja këtu vetëm disa prej tyre nga burimet dokumentare të AQSh siç rezultojnë nga vetë botimet e Arkivit:

Enver Hoxha letër Gogo Nushit, më 7 tetor 1943:

“Nastas Plasarin as që e kërkuam të vinte këtu, por ju dhamë urdhër që ay të qërohej aty sans bruit et sans trompettes [fr. pa zhurmë e pa bujë]. Më mos na pyesni […] Të fala Taras”. AQSh, fond 14, dosje 27/ fl. 7

Enver Hoxha letër Nako Spirut dhe Ymer Dishnicës, më 29 shtator 1943:

“Për Anastas Plasarin s’ju kërkuam aspak të vijë këndej, por ta dekoroje vetë atje. Trutharës sime [kjo Truthara është zonjusha Xhuglini] i thamë… […] Të fala shumë Taras”. AQSh, fond 14, dosje 20 / fl. 1.

Ishte angazhuar pra në organizimin e vrasjes të tim eti edhe një vajzë militante 23-vjeçare, që atëherë quhej Nexhmije Xhuglini, e cila në raportin të fejuarit të saj Enver Hoxha, të datës 14 tetor 1943 sqaronte:

“Për të gjitha ato që më porositët, për kontrollin dhe spastrimin e disave, unë ua komunikova shokëve. Siç të ka shkruar Deti [Nako Spiru], ata nuk janë të mendimit që vendosëm atje. Ata s’kanë besim që unë ta kem raportuar drejt çështjen e Anastas Plasarit e të tjerëve. Prandaj hezitojnë se mos bëjnë një veprim të padrejtë. Megjithëse s’më pëlqen të përgjigjem për akuza të vogla, por nuk kam qenë unë që kam vendosur të sjellin Anastas Plasarin atje […] Delegatja”. AQSh, fondi 14, dosje 26/ fl. 1-6.

Në një tjetër letër Gogo Nushit, të tetorit 1943, Enver Hoxha e pranon hapur shqetësimin nga frika e angazhimit të Anastas Plasarit në krijimin e një partie “socialdemokrate” (AQSh, fondi 14, dosje 27). Dhe këto rivalitete “shokët” qysh atëherë kishin filluar t’i zgjidhnin me atentate terroriste. Kur e kanë akuzuar në Plenumin e Beratit për këto urdhra vrasjesh, Enver Hoxha është mbrojtur kinse ato i kishte dhënë “Aliu”, që do të thotë Miladin Popoviçi. Edhe mundet, edhe s’mundet.

Për këtë arsye thashë që me Enver Hoxhën dhe Nexhmije Xhuglinin do të kisha qenë në gjak për vrasje në tentativë. Do të kisha qenë, them, sepse nuk jam. Dhe as që mund të jem. Luftën politike të të majtëve e shqyrton historia. Shqipëria e mendjes sime është – dhe unë shkruaj që të jetë – europiane. Dhe nuk mund të mos e dalloj, në fund të fundit, se për çfarë shërbejnë sot këto orvatje perverse kinse-biografiologjike: për të shmangur interesin publik nga debatet e sotme reale, jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Diktatorin dhe diktatoreshën, për gjithë sa kanë bërë më herët e më vonë, nuk i gjykoj për nga historia ime familjare, as për nga një gjysmë e jetës kur kam jetuar me dokumentin biografik si bir i “Armikut të Popullit”, madje as i quaj me ndonjë vlerë këto sot. Diktatorin dhe diktatoreshën i gjykoj për nga çfarë i kanë bërë ata Shqipërisë. Ata mund t’i ishin nënshtruar një gjykimi publik, kombëtar dhe ndërkombëtar, qysh në fillim të viteve’90. Ja që në një gjykim të tillë nuk u vunë. Ndoshta kështu duhej kryer “kalimi”: kështu kalon lavdia e krimit! Mbetet çështje historike përtej gjykimit të një individi.

Ndërkaq ja se ku një nga rrjedhojat e mungesës së një gjykimi të tillë është zelli në vijim i shokëve enveristë për të mos hequr dorë nga atentatet tanimë në stilin bashkëkohor, të dhunës strukturore, me shpresën e rreme se mund ta shuajnë debatin e sotëm politik për gjendjen reale në të cilën është katandisur Shqipëria duke e shmangur debatin “në drejtim të paditur”: të çaprashitjes së përrallëzave. Kështu siç më shmangën sot edhe mua”.

REMOTE_ADDR:[]

5 komente në “Aurel Plasari: E vërteta e së kalurës sime “komuniste” dhe “lidhjet” e tim eti me Enver Hoxhën”

  1. Demi says:

    Aurel, ti ke thene shume te paverteta dhe i ke sherbyer te gjitha rrymave e ngjyrave. Por tani po thua nje te pavertete tjeter. Qe nese do te kishte dhene urdher Enver Hoxha per te te eleminuar babane, ti do ishe ne gjak me te. Nese do te ishte keshtu, ti do ti rruaje b… kujtdo, duke filluar nga Enver Hoxha e deri tek i fundit. Enveri po ta ndante, te puthte halla ne te dy faqet. Ai ishte parimor. Kishte parime. Ti ke shkerdhatokracine. Jepi pergjigje per kete teme, atij debilit tjeter Kastriot Myftarajt. Jeni te dy te te njejtit kazan.

  2. Ju. says:

    Enveri i lidhur me krimin? !! “Heroi” i popullit.
    Si mund te behet ai vend kur vete krimi dekorohet.
    Krimi e mori pushtetin atehere,krimi e ka marre sot.

  3. fida says:

    O Plasaro,sikur nuk pashe gje ,se kush na paske qene ti gjate komunizmit.Ti fole e torrollise per babane tend,po jo per qendresen qe i paske bere ti komunizmit.Ore, se mos na del edhe ti si puna e atyre qoftexhinjve te deklasuar,por qe gelltiten nje here nje luge corbe te prishur,dhe po vjellin gjithe jeten,se mos na del dhe ti spajun/sapun/majmun…apo kush do hape dosjet thuaj….

  4. alphade says:

    ” Demi” ! Ke shume te drejte ne ato qe thua ?! Ky Aureli na mallengjeu !
    Ku dhe kur e mbaroi shkollen ky myteber ?! Sepse kur e kam njohur une
    ne fillimet e 90-tes ky e kushte mbaruar universitetin e Enver Hoxhes !
    Ka rrezik qe ndonje dite te dali e te thote edhe Sali Berisha se edhe Ai ka
    qene i persekutuar nga femijet e Enver Hoxhes: Sokolit dhe Lilianes duke
    shetitur me varke ne ajrin e paster te liqenit te Ohrit !
    Une kam te drejte te pyes : Po ata qe vertete jane burgosur , interrnuar,
    kulake e armiq cdo te thone kur degjojne perrallat me mbret te te “per-
    vuajturit” Aurel !!!

  5. Kola says:

    Respekt per kundershtarin ideologjik i cili sjell ato argumenta qe nuk jane pa baza. Tej kesaj Plasari duhet te kuptoje se 26 vjet nuk jane pak. Shqiperia e Enver Hoxhes ishte shume me koke larte se kjo e sotmja dhe kur flasim per katandisje duhet te kemi parasysh edhe faktin qe atdheu sot lihet ne bizhos, nga keta bastarde qe jane paasardhesit e Plasarit. Nuk po flas per krimet e sotme te cilat me motivet e qelbura per te cilat kryhen, kapercejne shume me teper ato te djeshmet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *