Ditari i Megi Pjeshkës: Qim Peka, një shpjegim për tërbimin e Doktorit dhe influencën ruse të ambasadorit Lu

23 Mars 2017, 19:35Antena TEMA

Pas sulmit të ashpër që bëri Doktori në çadër, analisti Qim Peka foli rreth kuptimit që kishte sulmi dhe si duhej kuptuar ai:

“Më pyeti dje në darkë Doktori se çfarë të them nesër në çadër.

I thashë normalisht duhet të flasësh fort dhe të kërcënosh me jetë Edi Ramën.

I thashë që do flas me Metën dhe të bëj dhe ai sikur është trembur.

Nga ana tjetër, fola me Lulin sapo kishte mbërritur në Uashington dhe më tha se ‘duhet gjetur një lidhje mes vizitës sime në Uashington, kërcënimeve të Doktorit, miratimit të Xhafaj dhe rrezikut rus’.

Atëhere i hyra punës dhe ka një lidhje.

Doktori duhet të kërcënonte Ramën patjetër, pasi Rama ka çuar raporte përmes ambasadorit Lu në Uashington, sikur Doktori është krahu rus në politikën shqiptare dhe për këtë ka përdorur si argument faktin që një tjetër tropojan në fillim të shekullit 20, i ka shkruar letër Leninit për t’i kërkuar ndihmë.

“Hazreti Lenin, Hazreti Lenin” ka pas shkruajtur Bajram Curri, dhe me këtë argument, Rama ka mbushur Uashingtonin sikur Doktori është më rusët.

Duke  kërcënuar fort Doktori, Edi Ramën, atëhere në Uashington del në plan të parë destabilizimi i Shqipërisë nga vrasja e Ramës, prej protestuesve në çadër.

Kjo i jep mundësi Bashës t’i fali jetën në Uashington, Ramës, dhe ndërkohë, të miratohet Xhafaj.

Me këto lëvizje ne arrijmë t’i bëjmë dy lëshime PS-së, d.m.th t’i emërojmë Xhafajn dhe t’i falim jetën Ramës, kurse Rama duhet të na japë qeveri teknike dhe presidentin.

Nuk di sa i qartë isha, por ky është shpjegimi më real.

Unë e e di vetë çdo të thotë ndërhyrje ruse në punët e brendshme.

Ata të manipulojnë me hakera dhe kur ti je duke shkuar të pish kafe me një shoqe tek Sheratoni, ata futen në trurin e makinës dhe ajo të çon në Mullet p.sh.

Biles po je i rrezikshëm, të bëjnë dhe aksident”.

-A ka shanse të na japë Rama, presidentin, dhe sa shanse ka që ne të bëjmë Jarin president, pyeti dikush nga çadra?

-Shiko, Jari më mori dje në telefon dhe më kërkoi takim, por i thashë që nuk kam kohë dhe se s’është ezauruar si rast ende dekretimi i Xhafaj. I thashë dhe Berishës të mos e presë. Dhe Aldua më tha “nuk e pres”.

-Kam një propozim, tha Ruli, pasi dëgjoi shpjegimin e Qimit.

Ne si parti kemi traditë që presidentët i zgjedhim gjithnjë e më gomerë. Unë kam idenë se Jari ka ardhur duke u përmirësuar. Kështu që më mirë të lëmë Jarin, se mund ta në vijë një më keq se ky.

-Ja, ky është ndikimi rus, tha Qimi. Kjo interpretohet nga ambasadori Lu, si shenjë që edhe kryeministri duhet të rrijë ky që është, se mund të gjejmë një më të keq, dhe kështu bën lojën e rusëve, pasi siç dihet, një nga xhaxhallarët e ambasadorit Lu, ka pas qenë i martuar me një grua sovjetike, e cila kur u prish Mao Ce Duni me Hrushovin, mbajti anën e Hrushovit dhe iku në SHBA, dhe pastaj i bëri garanci Lu të shkonte për bashkim familjar.

Që atëhere është peng i rusëve. Po t’i shtojmë dhe faktin e sotëm që Lu tha në Shkodër, se ka respekt për njerëzit me aftësi të kufizuara, është e qartë se ai është dakord me Nishanin për president, dhe kjo forcon boshtin Moskë –  Uashington – Surrel.

Nuk di sa i qartë jam, përfundoi ai?

Duartrokitje në çadër.

1 komente në “Ditari i Megi Pjeshkës: Qim Peka, një shpjegim për tërbimin e Doktorit dhe influencën ruse të ambasadorit Lu”

  1. iBaba says:

    Haaaa Antene Brilante!!!!!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje