Hap dyert Panairi Ndërkombëtar i Turizmit “Tirana 2017”, Veliaj: “Tirana është i gjithi një muze që ia vlen të eksplorohet

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Panairi Ndërkombëtar i Turizmit “Tirana 2017”, çeli sot siparin në Pallatin e Kongreseve, organizuar nga Bashkia e Tiranës, Unioni Turistik Shqiptar dhe Albexpo Group.

I pranishëm në hapjen e këtij panairi, që ka si qëllim kryesor promovimin e bashkëpunimin rajonal për Turizmin e Ballkanit Perëndimor, ishte dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj

Kreu i Bashkisë vlerësoi se është tepër e rëndësishme që qytetet në Shqipëri, por dhe në vendet e tjera të Ballkanit të reklamojnë bukuritë natyrore dhe pasurinë që kanë. Veliaj theksoi se turizmi është një nga burimet kryesore të të ardhurave për kryeqytetin.

“Unë besoj se është fantastike për të stimuluar ekonominë. Më përpara nuk ka qenë kështu, por sot, në Tiranë një nga burimet kryesore të të ardhurave, jo vetëm për Bashkinë, por edhe për qytetin është turizmi”, tha ai.

Kryebashkiaku deklaroi se në ditët e fundjavës, Tirana është shndërruar sot një ndër destinacionet më të rëndësishmit në Evropë për turizmin që njihet si “city break”. “Për disa muaj rresht, disa nga gazetat kryesore të Europës e kanë cilësuar qytetin tonë një nga 10 qytetet kryesore, për atë që quhet një pushim i shkurtër qytetesh. Sot ka mjaftueshëm gjëra për të parë në Tiranë. Ne erdhëm nga Pazari i Ri, le të themi versioni i Tiranës, i asaj që quhet “old town” dhe besoj që sa më shumë atraksione të tilla që ne po investojmë, aq më shumë stacione dhe aq më shumë zgjatje e kohës për turistët që kalojnë në qytetin tonë”, tha Veliaj duke shprehur bindjen se ky panair  është një mënyrë fantastike që bizneset të mësojnë nga njëri-tjetri.

Duke  vlerësuar ritmet e zhvillimit të turizmit, kreu i Bashkisë deklaroi se ka rritje të numrit të turistëve në kryeqytet, ndërkohë që kanë filluar edhe kërkesat e para për ndërtimin e strukturave hoteliere përgjatë bulevardit të ri.

“Më vjen mirë po ashtu që Tirana sot ka një fluks aplikimesh për më shumë hotele. Në pjesën më të madhe të javës në Tiranë nuk gjen vend, sidomos në hotelet me 4 dhe 5 yje. Ndaj dhe më vjen mirë që edhe në zonën e bulevardit të ri, ne tashmë kemi kërkesat e para për hoteleri dhe për shtretër shtesë në të gjithë qytetin e Tiranës. Ndërkohë që unë besoj që na duhet të jemi edhe pak kreativë mbi ofertën tonë turistike”, tha ai.

Veliaj deklaroi se shumë shpejt do të jetë gati edhe sheshi “Skënderbej” që do të mund të vizitohet nga turistët. “Sheshi do të hapet në qershor dhe ashtu si shumë prej atyre që vizitojnë Tiranën, thonë Tirana është një lloj muzeu në qiell të hapur, ku ne shikojmë edhe arkitekturë e infrastrukturë otomane, edhe mozaikun e vjetër të Tiranës që është shumë herë më i hershëm, edhe modernen, edhe sovjetike, por edhe shumë gjëra origjinale e autoktone. Në një farë mënyrë, qyteti ynë është i gjithi një muze i cili ia vlen të eksplorohet”, tha kreu Veliaj  teksa shprehu gatishmërinë e Bashkisë së Tiranës për të ndihmuar operatorët në fushën e turizmit me qëllim rritjen e numrit të turistëve.

Panairi Ndërkombëtar i Turizmit “Tirana 2017” synon të tërheqë sa më shumë turiste e investitorë me synim rritjen e të ardhurave nga turizmi si edhe rritjen e numrit të vizitorëve.

Panairi Ndërkombëtar i Turizmit, do të qëndrojë i hapur nga datat 24-25 mars 2016.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *