Ilir Beqaj: 42 muaj në rrugën e vështirë të rilindjes së shëndetësisë

Në përmbyllje të punës së tij në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, ish ministri Ilir Beqaj, ka bërë një rezume të 42 muajve në krye të këtij dikasteri. Në një shkrim të tij ai ka evidentuar jo vetëm problematikën në të cilën e mori situatën në sistemin e shëndetësië, por ka evidentuar edhe arritjet brenda këtij harku kohor. Më poshtë shkrimi i tij:
Të nderuar miq,
Pas një rrugëtimi 42-mujor në krye të përpjekjeve për jetësimin e projektit madhor të rimëkëmbjes së sistemit tonë të kujdesit shëndetësor, vjen natyrshëm koha për të reflektuar dhe për të ndarë së bashku vlerësimet për punën dhe modelin e ri që kemi mundur të ndërtojmë.
Do të mund të zgjatesha pafundësisht, duke cituar mjaft të dhëna e tregues dëshpërues për gjendjen e mjerueshme ku e gjetëm sistemit shëndetësor kur morrëm detyrën, por, pavarësisht pengesave dhe vështirësive, ia dolëm që të realizojmë diçka që ishte thjesht, e paimagjinueshme, vetëm tre vjet e gjysëm më parë.
Pikënisja e përpjekjes sonë, ishin nismat e guximshme dhe projektet me një vizion të qartë dhe ndjenjë të lartë përgjegjshmërie që ndërmorrëm që në krye të herës për t’iu rikthyer shqiptarëve besimin e humbur tek shërbimi shëndetësor.
Dhe kjo do të ishte thjesht e pamundur pa besimin dhe mbështetjen, që së pari Kryeministri Edi Rama më ka dhënë personalisht këto tre vjet e gjysëm, duke më ngarkuar me përgjegjësinë për të udhëhequr ndryshimin rrënjësor të një sektori kaq të rëndësishëm për jetën dhe mirëqënien e çdo shqiptari, por edhe të kolegëve anëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetëve të mazhorancës, e sidomos, anëtarëve të Komisionit Kuvendor për Shëndetësinë.
Dhe, sigurisht, për të mbërritur deri këtu, na është dashur shumë punë, mund e përpjekje, dhe mbi të gjitha, një vullnet i qartë, që me gjithë shtrëngesat financiare dhe borxhet që trashëguam, të mund të realizojmë me sukses një reformim kaq rrënjësor dhe kaq të rëndësishëm në shëndetësi.
Në përmbushje të angazhimit tonë kyç të Programit Qeverisës për Mbulimin Universal Shëndetësor, ose siç nihet sot nga të gjithë, “Shëndet për të Gjithë” apo “Shëndetësia Falas”, hoqëm taksën e sëmundjes, TVSH-në 10% për barnat e shërbimet mjekësore, dhe TVSH-në 20% për materialet mjekësore të implantueshme.
Sikundër kishim premtuar, ja dolëm të ulim çmimin e barnave, duke e afruar me çmimin në vendin e origjinës. Sot shqiptarët paguajnë 30% më pak për barnat, duke kursyer nga buxheti familjar i tyre 70 milionë dollarë në vit.
Në tre vjet, shtuam 141 barna të reja në listën e rimbursimit, prej të cilave, përfitojnë për herë të parë mbi 150 000 qytetarë shqiptarë.
Në mars 2015 filluam të zbatojmë programin e kontrollit bazë shëndetësor të përvitshëm për këdo në moshën 35–70 vjeç. Pa dallim, i siguruar apo i pasiguruar. Në qendrën shëndetësore të vendbanimit, nën kujdesin e mjekut të familjes. Ofrojmë falas mundësinë e 44 analizave të ndryshme mjekësore. Për të parandaluar apo ngadalësuar sëmundje me përhapje të lartë në Shqipëri.
Prej janarit 2016, vizita te mjeku i familjes mundësohet falas për këdo. Për të pasiguruarit vizitat dhe ekzaminimet te mjeku specialist kanë pagesa thjesht simbolike, nëse ndiqet sistemi i referimit.
Po ashtu, prej janarit 2017, edhe barnat me rimbursim mund t’i marrë kushdo kur mjeku i familjes i përshkruan ato.
Kemi sot një Shërbim tërësisht të ri të Urgjencës Kombëtare Mjekësore me një Qendër unike të komandës dhe kontrollit, ndërkohë mundësuam për herë të parë edhe funksionimin e urgjencës kardiake 24/7, urgjencës vaskulare-cerebrale 24/7, ndërkohë që kemi mundësuar edhe funksionimin e 25 qendrave të përkohshme të urgjencës mjekësore 24/7 gjatë sezonit të verës.
Protezat ortopedike ofrohen sot falas në spitalet publike. Janë 1200 pacientë që përfitojnë çdo vit.
Transplanti i veshkës ofrohet falas në spitalet private të vendit. Janë realizuar tashmë 33 transplante.
Hepatiti C është tashmë një sëmundje e shërueshme në Shqipëri. Rreth 40 mijë euro shpenzohen për çdo pacient.
Funksionojnë kabinetet e kardiologjisë dhe diabetit në çdo spital rajonal në vend.
Radioterapia me akselerator linear ofrohet falas në spitalet publike.
50 mijë ndërhyrje kirurgjikale çdo vit realizohen në kushte steriliteti të lartë dhe teknollogjie moderne.
Rradhët e pritjes për rezonancë, skaner, koronarografi nga disa muaj janë më pak se një muaj.
Shëndetësia Elektronike është një realitet i prekshëm.  Me zbatimin e “e-Health” po ngremë dhe përditësojmë edhe regjistrin kombëtar të programit të kontrollit bazë mjekësor 35-70 vjeç, dhe po realizojmë Recetën Elektronike, Referimin Elektronik dhe Nënshkrimin Elektronik të profesionistëve të shëndetësisë.
Falë partneritetit të ngushtë me sipërmarrjen private arritëm të angazhojmë investime të mëdha, të nevojshme, por të munguara prej vitesh pa kërkuar asnjë qindarkë kontribut shtesë nga qytetarët.
Realizuam programin e dezinsektimit të bregdetit, për herë të parë pas 25 vitesh mungese.
Është tashmë fakt i gjithëpranuar që Shqipëria ka bërë hapa përpara në mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit dhe kjo provohet jo vetëm me sy të lirë nga kushdo, por edhe nga studimet, të cilat tregojnë qartësisht se duhanpirja në 2015 për të rinjtë 13-15 vjeç në Shqipëri u përgjysmua, duke u ulur në 6% nga 11.5% që ishte në 2009.
Për sa më sipër, por edhe për shumë të tjera, 50% e shqiptarëve besojnë tek institucionet shëndetësore publike. Nuk janë shumë, por në 2013 ishin vetëm 30%.
Për sa më sipër, por edhe për shumë të tjera, 40% të shpenzimeve për shëndetin shqiptarët i paguajnë nga xhepi i tyre. Ende shumë, por në 2013 paguanin nga xhepi 57% të shpenzimeve për shëndetin.
Padyshim që merita kryesore është e të gjithë mjekëve, infermierëve e personelit shëndetësor me të cilët pata fatin e madh dhe privilegjin të bashkëpunoj ngushtësisht në këtë rrugëtim të përbashkët.
Një FALEMINDERIT me zemër për gjithësecilin!
Së fundi, duke filluar nga 1 marsi 2017, ka një lajm të gëzuar për të gjithë profesionistët e shëndetit, dhe veçanërisht, për mjekët dhe infermierët që ushtrojnë detyrën në disa shërbime të veçanta.
Me rritjen e pagave për të gjithë personelin shëndetësor si dhe dyfishimin e shpërblimit mbi pagën për shërbimin e mjekut roje, të gjithë mjekët, infermierët dhe laborantët në shërbimin e urgjencës, të reanimacionit, të hemodinamikës, në njësinë e aksidenteve cerebrale, si dhe mjekët neonatë, përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune në masën 18 000 lekë në muaj. Ndërkohë që infermierët e këtyre shërbimeve do të përfitojnë një shtesë në masën 12 000 lekë në muaj. Po ashtu, mjekët e institucioneve spitalore universitare, të cilët në zbatim të sistemit të referimit dërgohen për konsulta dhe ndërhyrje kirurgjikale në spitale të tjera përfitojnë për çdo ditë shërbimi një shtesë në page në masën 10.000 lekë, ndërsa mjekët e spitaleve rajonale 5 000 lekë.
REMOTE_ADDR:[]

4 komente në “Ilir Beqaj: 42 muaj në rrugën e vështirë të rilindjes së shëndetësisë”

  1. drita says:

    Ke bëre ate qe nuk eshte bëre kurrë ne shqiperi per shendetesine. Jo shume larg, por deri para tre vitesh njerzit vdisnin nga ataket kardiake se rradha per nje koronare apo stende ishte deri një vit. Ne spitale duhej te shkoje me çarqafe e guzhine, rryshfeti ishte detyrim jo deshire. televizionet kane mbetyr pa lajme, pasi para tre vjetesh çdo jave kishim rezonancen , scanerin apo aparatin e kobaltit te prishur. Pacientet dendeshin ne antibiotik pas operconit sepse shendetesia ishte dorzuar para stafilokokut. Sot pothuajse nuk ka mungese barnash ne spitale. U ke bere keq edhe privateve se kane ulur çmimin e ekzaminimeve imazherike nga 24 mije lek qe ishte para tre vjetesh ne 13 mije dhe duke i nxjerer ofertat ne media e paguar per reklame. pra gjysëm per gjysem. Balta ju mbulofte fytyren atyre qe hodhen mbi ty e punen tende per mbi tre vjet, pasi nuk munden te shikonin rezultatet qe para tre vjtesh dukeshin utopi. Kush e ka provuar spitalin i din mire permirsimet.

  2. Cun-Tirone says:

    Çudi, e madhe !?
    Historikisht ky duhet te jete ditari i pare shkruar prej nje haduti …

  3. lumi says:

    Si s’te vjen turp more sojsez qe edhe mburresh.Zhduku me mire e mos te shohe njeri.
    Une jam i majte dhe me bindje votoj gjithmone majtas,po ti zoti Beqaj jo rilinde ,po e shkaterrove ate pap shendetesi qe ishte.
    Pa pike ndjenje meshire per moshen e trete te ciles i perkas edhe une,i hoqe ilacet e rimburshueshme dhe shkruan duke shitur P…dhe se ke bere namin.
    Ik gezo ato para qe ke “mare ” me tendera dhe mos u duk me;pa le te mburresh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *