Pushimi i hetimit për Paktin Detar të Berisha-Karamanlis, firmosur nga Basha-Bakojanis dhe një kabllogram amerikan

24 Mars 2017, 08:55Politika TEMA

Kur kanë kaluar 7 vite nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për anulimin e marrëveshjes së kufirit detar me Greqinë, prokuroria e Tiranës pushon hetimin për ish zyrtarët e ministrisë së jashtme dhe ushtarakët që u përfshin në këtë marrëveshje.

Media është interesuar pranë prokurorisë e cila sqaroi se vendimi për pushimin e hetimeve është marrë në tetor të vitit 2016 dhe dosja për këtë rast është kaluar në arshivë.

Sipas ketij TV shkak i pushimit është mungesa e elementëve të veprës penale nga zyrtarët që përpiluan marrëveshjen dhe ata të cilët e firmosën.

Marrëveshja famëkeqe Berisha-Karamanlis është firmosur nga Basha e Bakojanis në 29 prill 2009.

Ajo u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese me vendimin nr.15, datë 15 prill 2010.  Gjykata e rrëzoi Paktin Detar duke e shpallur antikushtetues dhe në dëm të interesave kombëtare.

Shqipëria humbte 354.4 km katrorë sipërfaqe ujore prej marrëveshjes.

Prokuroria kishte nisur hetimet për veprën penale “Marrëveshja për dorëzim territori” të parashikuar nga neni 210 i Kodit Penal pas kallëzimit të bërë nga Ministria e Jashtme më 28 maj 2014.

Negociatorët
Ferit Hoxha Ish-Sekretar i Përgjithshëm MPJ
Kristaq Gërveni Ish-komandant i Flotës Detare
Enkelena Mërkuri Specialist MPJ
Suela Brahimi Specialiste MPJ
Anduel Cauli Përgjegjës sektori
Krenar Muço Ish-drejtor i shërbimeve pranë kufirit
Ferdinand Berberi, ish-përgjegjës sektori MB
Gazmend Turdiu ish-drejtor Juridik ndërkombëtar
Ilir Tepelena ish-drejtor juridik ndërkombëtar
Miranda Zeka Ish-drejtoreshë gjeografisë ushtarake
Ledia Hysi ish-drejtoreshë juridike Ndërkombëtar

Negociatat dhe këmbëngulja e Greqisë

Megjthë vendimin e Gjykatës Kushtetuese Greqia e ka kthyer këtë pakt në kartë politike.

Pakti është temë diskutimi pothuajse në çdo takim që bëhet mes zyrtarëve të lartë të dy shteteve.

Koloneli në lirim, hartografi prof.dr.Myslym Pasha, i cili sensibilizoi opinionin publik pas firmosjes thotë se  kjo zonë përmban rezerva të shumta nafte dhe gazi.

Sipas tij fshirja nga Kuvendi në 2008 i ligjit për kufinjtë me Greqinë ka qenë një manovër e qeverisë “Berisha” një vit para se në Tiranë të firmoste paktin për ndarjen e detit me Greqinë, në 2009.

Më poshtë DITA boton një kabllogram të Ambasadës Amerikane, zbuluar nga Wikileaks, nga të dhënat e të cilit kuptohet se në gjysmën e dytë të vitit 2008 qeveria shqiptare është vënë me shpatulla pas murit nga homologët grekë, të cilët kërkojnë fuqimisht paktin detar dhe varrezat e ushtarëve grekë.

Pra, Berisha, Basha dhe qeveria e asaj kohe e dinin çfarë po firmosnin.

Mbrojtja e mëpasme publike e Paktit ka qenë për t’i hedhur hi syve opinionit publik shqiptar.

Grekët madje u kanë thënë përfaqësuesve shqiptarë që të mbajnë jashtë “fuqitë e mëdha” dhe sidomos Uashingtonin.

Ambasada Amerikane është informuar për këtë situatë nga raportimet e disa zyrtarëve shqiptarë të rangut të mesëm.

Më poshtë kabllogrami që Ambasada e Tiranës i dërgon Uashingtonit, botuar nga DITA:

Titulli: Greqia i bën presion Shqipërisë për kufirin dhe çështjen e varrezave

Datë 9 tetor 2008

Dërguar nga Ambasada Amerikane në Tiranë

Merr Departamenti Amerikan i Shtetit

Firmosur: Zv. ambasadori Stiven Kristina

Material konfidencial, deklasifikohet më 10/08/2018

Qeveria greke po i bën presion qeverisë shqiptare që të pranojë kërkesat e saj për negociata dypalëshe për të bërë delimitimin e kufirit detar. Athina po kërcënon se do të refuzojë ratifikimin e MSA-së së Shqipërisë me BE-në për shkak të një çështje të debatueshme për ngritjen e varrezave greke në Shqipëri, të cilën qeveria shqiptare e sheh si një përsëritje që Greqia i bëri Maqedonisë që aspironte për në NATO. Bisedimet për varrezat vazhdojnë ende dhe raundi i fundit i negociatave u mbyll pa sukses.

Sipas Ledia Hysit, Drejtoreshë e Çështjeve Ligjore dhe Marrëveshjeve në MPJ, qeveritë greke e shqiptare po negociojnë prej muajsh për të caktuar kufijtë detarë. Negociatat po hasin probleme të mëdha për shkak të atyre që ajo i përshkruan si “standarde të dyfishta të grekëve”, të cilët përdorin metoda të ndryshme për pjesë të ndryshme të bregut, ndërsa Shqipëria përdor një standard bazë për caktimin e kufijve. Ky standard bazohet në konventat ndërkombëtare. Me pak fjalë, Shqipëria akuzon Greqinë se po zgjedh pjesët më të mira duke përdorur metoda të ndryshme për caktimin e pikave kufitare.

Gjatë një takimi të ndodhur përpara pak kohësh, zyrtarët grekë i dhanë homologëve shqiptarë një ultimatum. Qeveria greke është gati të bëj kompromis për bregdetin pranë Korfuzit (aty raportohet se ka një interes ushtarak amerikan që të ndërtohet një bazë ushtarake në Jalë, jugu i Shqipërisë). Gjithsesi zyrtarët grekë paralajmëruan delegacionin shqiptar që të vazhdojë me kërkesat e tij dhe të mos përfshijë “fuqitë e huaja”, duke përmendur SHBA-në, në negociata. Një frazë e tillë identike është përdorur edhe në Tiranë gjatë një takimi të ambasadorit grek me ministrin e Jashtëm Basha.

Një tjetër çështje e diskutueshme mes Athinës dhe Tiranës është kërkesa greke për të ndërtuar katër varreza në jug dhe lindje të Shqipërisë për të përkujtuar ushtarët grekë që vdiqën në Shqipëri gjatë përplasjes me forcat italiane në 1920. Qeveria shqiptare ka kundërshtuar propozimet greke pasi ato synojnë ngritjen e va5rrezave ushtarake në tokën shqiptare bazuar në ndarje fetare dhe etnike. Ajo është kundërshtuar edhe për faktin se i jep krahë pretendimeve historike të Greqisë se zotëron tokë në jug të Shqipërisë. Edhe pse qeveria shqiptare ka kërkuar disa herë ngritjen e një komisioni të pavarur ekspertësh që të zgjidhin këtë problem, Athina ka mbajtur një qëndrimit të tipit: Merre ose lëre!.

Më 30 shtator, negociatorët shqiptarë dhe grekë u takuan sërish në Tiranë po dështuan në gjetjen e një marrëveshjeje për varrezat. Sipas kreut të delegacionit shqiptar, Islam Laukës, Shqipëria refuzoi një propozim të Greqisë për katër varreza duke i ofruar në vend të tyre një varrezë në Tiranë. (Shënimi i ambasadës: Eshtrat e britanikëve, gjermanëve dhe pjesës më të madhe të trupave të huaja të vrarë në Shqipëri janë mbledhur dhe varrosur në Tiranë. Eshtrat e ushtarëve italianë janë mbledhur dhe dërguar në Itali. Asnjë trup i huaj nuk është varrosur në “fushën e betejës” në Shqipëri, ashtu siç kërkon qeveria greke. Fundi i shënimit të Ambasadës).

Sipas Laukës, pasi refuzimit të parë, Shqipëria ra dakord për një varrezë greke në jug të vendit, një ofertë të cilën Lauka e vlerësoi si lëshim të madh pasi të gjitha varrezat e tjera të trupave të huaja ndodhen në Tiranë.

Grekët bënë një kundër-ofertë për dy varreza në jug dhe opsionin për një të tretë më pas. Qeveria shqiptare e refuzoi këtë propozim dhe bisedimet u mbyllën pa rezultat…

Gjatë një raundi të mëparshëm negociatash për varrezat, pasi dha mesazhin që të mbante Uashingtonin jashtë, grekët i dhanë shqiptarëve një ultimatum të dytë, edhe më të fortë se i pari. Teksa Marrëveshja e Stabilizim Asociimit të Shqipërisë është firmosur nga 22 vende të BE-së, Greqia ndodhet mes tre vendeve të fundit që deri tani nuk e kanë bërë këtë gjë.

Ambasadori grek i tha Bashës së nëse qeveria shqiptare nuk bie dakord me termat e Athinës në lidhje me varrezat ushtarake, parlamenti grek nuk do ta ratifikojë asnjë herë MSA-në. Ai i tha se nëse bien dakord për varrezat, atëherë marrëveshja do ratifikohet.

Në çështjen e kufirit detar, pavarësisht faktit që negociatorët grekë kanë bërë kërkesa në kundërshtim me konventat ndërkombëtare, Athina ka thënë se ndarja do të bëhet sipas kushteve të saj, ose nuk do të bëhet fare. Hysi tha se pozicioni grek ishte një kërcënim serioz për planet e zhvillimit afatgjatë të bregdetit të jugut të Shqipërisë dhe do të ishin një pengesë për turizmin, transportin, peshkimin, naftën nën det dhe gazin. Madje ato mund të sjellin edhe incidente territoriale me Greqinë. Duke pasur në kujtesë rastin e freskët kur Athina vendosi veton për hyrjen e Maqedonisë në NATO, qeveria shqiptare mendon se pozicioni i Greqisë në çështjen e paktit detar dhe varrezave është një kërcënim serioz për sovranitetin dhe interesat e Shqipërisë.

Në këtë pikë, qeveria shqiptare nuk ka kërkuar për ndihmën e SHBA-së ose për ndërhyrje ndaj Greqisë duke preferuar që ta zgjidhë këtë çështje vetë”.

2 komente në “Pushimi i hetimit për Paktin Detar të Berisha-Karamanlis, firmosur nga Basha-Bakojanis dhe një kabllogram amerikan”

  1. To be or not to be says:

    Si mund te arkivohet nje ceshtje dhe te pushojne hetimet kur i akuzuari nr 1 eshte sali berisha pastaj basha etj me radhe, ligjet e kushtetutes mund te modofikohen vetem ne raste specifike qe jane te radhitura ne kusbtetute e jo per qef te saliut!!! Me te vertete gjykata shqiptare nuk ka fuqi te inkriminoje nje personazh qe ka vrare ka prere ka plackitur ka shitur ka modifikuar harten gjeografike te shqiperise si ne projektet e medha Nacertania dhe megali idea…kush eshte sali berisha?????? Nje anti shqiptar i betuar?? Per cfare arsye populli nuk ngrihet te kerkoje te drejtat e tij qe ky njeri ja ka shkelur per me shume se 20 vjet nen hijen e pseudo demokracise….jemi njerez qesharak, patetike qe rrime gjithe diten ne facebook e social media nuk hapim syte te shohim realitetin e trishte!!!! Urime shqiptare per perdet e reja qe ju kane ven para syve!!!!

  2. Asus says:

    Greket si gjithmone te pabese, kane biseduar me antishqiptaret, Sala dhe Basha. Edhe cadra per pislliqe te tilla eshte ngritur, te marre pushtetin permes sponsorit greko- Ruso – Serb. Asnje leshim ketyre qeneve. Aty ne cader te vdesin. Qeveria teknike synon cvendosjen e Rames dhe manipulimin e zgjedhjeve. Pastaj pazaret greko- ruso-serbe, permes Vangjel Dules, Bashes e co.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje