Dështimi i Donald Trump

Nga Miodrag Soric

Shfuqizimi i “Obamacare”, reformës në shëndetësi të iniciuar e bërë realitet nga presidenti i mëparshëm, Barack Obama, ishte premtim elektoral i Donald Trump. Para çdo tubimi elektoral ai betohej, se do ta eliminonte këtë „katastrofë”. Dukej atëherë se edhe republikanët ishin të një mendimi. Tani ata e kontrollojnë kongresin dhe mund t’i bëjnë vepra premtimet. Por ata dështuan keqazi, sepse nuk janë të një mendimi, se çfarë duhet ta zëvendësojë „Obamacare”.

Kjo nuk është një situatë e re: Në 30 vitet e fundit republikanët nuk kanë rënë kurrë dakord për një reformë të sistemit të shëndetësisë. Pse duhet të jetë tani ndryshe? Vetëm sepse Trump kërcënon disa prej tyre? Kjo nuk i impresionon shumë deputetët, që janë të sigurtë për rizgjedhjen e tyre për shkak të situatës në qarqet e tyre zgjedhore. Kështu funksionon politika. Donald Trump duket se ngadalë po e kupton.

Padituria e presidentit amerikan të tremb

Nuk ka shumë kohë, që presidenti amerikan deklaroi, se askush nuk e kishte marrë me mend, se sa e komplikuar ishte reforma në sektorin shëndetësor. Një pohim i hapur, që vë në dukje një përmasë të frikshme të paditurisë. Trumpi është krenar që nuk është politikan. Edhe votuesit e tij shpresonin, se pikërisht një njeri i tillë që vinte nga jashtë do mund ta afronte Uashingtonin me qytetarët. Një dëshirë qëllimmirë.

Premtimin e tij kryesor anulimin e reformës „Obamacare” Trump nuk e mbajti. Ajo që të bie në sy është mospërfillja, me të cilën ai do ta kalojë këtë dështim të rëndë, ose përpjekja për mospërfillje. Sikur përgjegjësinë e qeverisjes e kanë demokratët opozitarë, dhe jo ai. Sikur detyrimin për uljen e kostos në shëndetësi e kanë kundërshtarët politikë dhe jo ai. Sikur e gjitha kjo nuk ka të bëjë shumë me presidentin.

Gërvishtje në autoritetin e Donald Trumpit

Administrata e tij do të përqëndrohet tek reforma tatimore. Tek kjo  detyrë gjigande kanë thyer dhëmbët disa presidentë. Ka mundësi, që tek kjo temë biznesmeni Donald Trump të ndjehet më i sigurtë. Por dështimi për shfuqizimin e “Obamacare” nuk kalon pa lënë gjurmë. Vezullimi i triumfuesit po dobësohet. Në këto kushte republikanët do ta ndjekin më me hezitim, se deri tani presidentin.

Nga ana tjetër demokratët ndjehen të inkurajuar. Ata kanë paralajmëruar që më parë nga mungesa e kompetencës së këtij presidenti dhe ndjehen të konfirmuar. Ata ndjejnë „momentin”, si thonë amerikanët, kthimin e drejtimit të erës politike. Gatishmëria e tyre për të bërë kompromis me këtë president do të ulet edhe më shumë. Partitë do të vazhdojnë të bllokojnë njëra-tjetrën. Sidoqoftë miliona amerikanë që kanë përfituar sigurim shëndetësor, falë “Obamacare”, do të mbeten të siguruar. Dështimi i Donald Trump është fitore për ta.

DW

REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Dështimi i Donald Trump”

  1. krysho ludovik says:

    fitonj hillaria mo?

  2. rigoni says:

    Cudi e madhe…..atje vajti edhe Lulashi adres se zeze…..si nuk e paskan degjuar senatoret dhe te ndihmonte Trapin!Vertete e pabesueshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *