Kavaja, eksperimenti i majit për në qershor

Nga Lorenc Vangjeli

Ndonjëherë, para se të ndodhë tek e tëra, prova bëhet tek pjesa. Kësaj here eksperimenti i krizës do të bëhet në Kavajë, një nga ish-bastionet blu dhe marrë nga socialistët në qeverisje lokale prej disa vjetësh. Trajektorja e 25 vjetëve të Kavajës ka kaluar nga mandati i parë i deputetit të zotit Sali Berisha, deri në mandatin e ndërprerë nga ligji i dekriminalizimit të zotit Elvis Rroshi.

Vetëm dy javë më pas, dekreti presidencial i zotit Nishani udhëron mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Kavajë. Mbas Korçës që la dikur Niko Peleshi i ardhur në qeverisje në Tiranë, mbas Dibrës me mandat të frakturuar nga videoja seksuale dhe Ersekën me mandat të ndërprerë nga humbja e jetës së kryetarit të bashkisë saj, Kavaja bëhet shtrati i katërt i një eksperimenti paraelektoral. Fati dhe rasti nuk mund të shpiknin rast më të shkëlqyer për palët sesa ky; pothuaj një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme ato kanë mundësi të bëjnë një sprovë paraprake të matjes së forcave të tyre. Për të parë ku janë, ku shkojnë, si duhet të programojnë taktika dhe strategji, për të ftuar tjetrin në debatet dhe ndeshjet verbale për bilance dhe premtime, për premtime dhe kontraste, për kontraste dhe parashikime. Fatkeqësisht, Kavaja kësaj here duket se do të jetë eksperimenti i përkundërt. Për të dy palët. PD-ja, menjëherë mbasi u mësua data e zgjedhjeve, vendosi t’i bojkotojë ato. Me po të njëjtin arsyetim që ka afruar dhe për bojkotin e mundshëm të zgjedhjeve të përgjithshme: nuk do të ketë zgjedhje me Ramën kryeministër. Duke i bërë kështu një dhuratë të paçmuar elektorale pikërisht Ramës si kryeministër. Sepse i japin kështu fitoren e parë në tavolinë, pa hyrë fare në ndeshje. “Keqardhje për PD-në, por kriza e saj nuk është e nuk do të bëhet krizë e vendit”, thotë Rama.

Ka një mori arsyesh se pse PD-ja duhet të rishohë vendimin e saj, sa kohë që ka ende kohë dhe është ende në kohë. Njëra nga to është dhe kthimi i kryetarit të PD-së Lulzim Basha nga vizita në SHBA. Ideja se Basha do të vijë nga Toka e Premtuar me një trilemë të zgjidhur, por fiton terren: edhe mënyrën e daljes nga kriza, edhe biletën për hyrje në zgjedhjet e përgjithshme, edhe garancinë e monitorimit të rreptë të 18 qershorit. Pesë javë mbas hapjes së çadrës, ajo ka prodhuar më shumë nga sa ishte pritur në fillim prej saj. Çadra vizatoi identikitin e liderit të ri të opozitës. Së paku deri në mes të qershorit, askush, as nga miqtë e partnerët dhe as nga kundërshtarët dhe rivalët, nuk ka mundësi të mos e marrë seriozisht Lulzim Bashën. Gjithashtu, çadra krijoi një mundësi të artë për të krijuar një fushatë paradhënie dhe një sprint paraprak të opozitës drejt fushatës zyrtare duke i bërë më reale dhe pragmatike llogaritë e maxhorancës përpara ditës së zgjedhjeve. Shumë raporte në politikë nuk janë siç kanë qenë deri në 18 shkurt, ditën e rikthimit në protestë të opozitës. me distancën e një mandati, nga zullumet dhe mëkatet e dy mandateve të saj, PD-ja ka avantazh nga gara dhe jo nga bojkoti. E qara para se ta rrahin, humbja pa tentuar për asnjë çast fitoren, viktimizimi ekstrem i saj, është ndoshta një gafë proverbiale e nivelit parapolitik. Mungesa e saj në 18 qershor nuk do t’i pengonte zgjedhjet, por do t’i helmonte ato. Do të kishte zgjedhje, por jo zgjidhje. Ai do të ishte akti i parë serioz i një reaksioni zinxhir që dihet si nis në Tiranë, por as nuk merret me mend sesi bitis në Tropojë e Sarandë.

Pa opozitën në 18 qershor do të prodhohej një legjitimitet numerik, por jo politik, do të kishte padyshim një legjitimitet kushtetues, por jo moral. Një mandat katër vjeçar do të duhej megjithatë të mbahej në këto katër kolona, kushtetuese, politike, morale dhe numerike. Mungesa e tyre, me të gjitha gjasat, vërtet do të çonte në zgjedhje të parakohshme, por opozita do të kishte kryer vetëvrasje me stil kamikaz. Shpërthimi i krizës në Tiranë, ndërkohë që po vizatohet një Ballkan gjithmonë e më i ngatërruar, i trazuar dhe i turbullt, me një përzjerje kritike të nacionalizmave lokale dhe ndërhyrjeve gjeopolitike, do të ishte pothuaj fatal për shumëkënd. Duke nisur me të varfërit e këtij vendi, por dhe me të pasurit që do të kenë shumë më shumë për të humbur.

Në Shqipëri ndodh shpesh që për politikën të flitet si për një zeje që mësohet lehtë, nga gjithkush në shkollë nate. Shpesh politikës në vend i kanë dhënë zë njerëz që kanë me politikën po atë lidhje që ka një sharrë druri me muzikën klasike. Qoftë dhe për këtë arsye, jo më shumë se katër – pesë emra, në pozitë dhe në opozitë duhet të bëjnë hapin e parë të nevojshëm për të shuar krizën kryesore të vendit: krizën e besimit mes palëve dhe divorcin nga servilët parapolitikë që këshillojnë luftë për të vendosur paqe, në vend të luftës për paqe.

Politika duhet të merret në mënyrë urgjente me këtë krizë që nesër kriza të mos merret me gjithë politikën. Kavaja është një mundësi e artë. Qyteti antikomunist i dikurshëm ka të gjitha gjasat të shërbejë si shembull i mirë. Nuk ka nevojë për shumë. Edhe në kushtet e mungesës totale të dashurisë, edhe në kushtet e urrejtjes ekstreme mes palëve, ajo që vlen është qetësia, dhe mbi të gjitha, është interesi. Ai lloj interesi që komunistët e djeshëm e quanin interes i përgjithshëm. Dhe në këtë pikë nuk e paskan pasur shumë keq, pavarësisht mëkatit të madh të shndërrimit të të gjithë vendit në një laborator të pjesshëm për eksperimentin fatal të komunizmit botëror. Më saktë, të pushtetit lokal në Tiranë. (Javanews)

REMOTE_ADDR:[]

3 komente në “Kavaja, eksperimenti i majit për në qershor”

  1. dymi says:

    Iliri flet me gojen e te tjereve. Ne kete shkrim flet me halen e Lorencit, sherbetorit te dikurshem te Rama-Metes Kthejuni qofte dhe perciptas betejave televizive dhe shkrimeve te tij ne mbrojtje qeveritare.

  2. xheJ eN Bi says:

    Shkrimi i L. Vangjelit eshte dhenia e mendimit te nje intelektuali neutral,
    po nuk vlene per politikanet shqiptare,se shume bukur eshte shprehur ne
    paragrafin e fundit.

    “…Edhe ne kushtet e mungeses totale te dashurise, edhe ne kushtet e
    urrejtjes ekstreme mes paleve ,ajo qe vlen eshte qetesia dhe mbi te gjitha,
    eshte interesi.Ai lloj interesi qe komunistet e djeshem e quanin interes i
    pergjithshem …”

    Kjo eshte shume e vertete ,por sot eshte ndryshe ,nuk eshte : nje per te
    gjithe ,e te gjithe per nje .Kurse sot eshte : NJE KUNDER TE GJITHVE DHE
    TE GJITHE KUNDER NJERIT.

  3. Ilir says:

    Kavaja mer rendesi shume me shume se nje eksperiment. Kavaja, rastesisht e kerkuar dhe e percaktuar nga vet PD, do te behet varrmihesi i PD-se. Me dt.7 Maj qytetaret e Kavajes kane ne dore voten qe do te sherbeje si lopate per gropen e Berishisteve, ata kane kohe qe kuptuan se kush ishte Sali Berisha dhe sherbetoret e tij besnike, duke ia perplasur ne fytyre se nga nje qytet ku Ai manipuloi perkohesisht qytetaret kavajas dhe qe e besuan duke e votuar masivisht, por te braktisur ne lemerine e shpirtit te zi te Berishes dhe berishisteve, qytetaret kavajas braktisen me bindje dhe neveri Berishen me te Tijte, per te shpetuar nga e Keqja qe Berisha dhe berishistet i shkaktuan.
    Ndaj PD-istet kane tmer te shkojne dhe te komunikojne me Kavajsit, jo me t’i kerkojne votat.
    Ata nuk kane rruge apo menyre tjeter shmangijeje, vec te shpallin bojkotin dhe sabotimin e procesit qe do ta varrose si force politike.
    Votimi masiv i qytetareve kavajas eshte varrosje e garantuar e PD-se.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *