Ngërçi politik/ “Të djathtët” kërkojnë sërish president, Nishanin!!!

Nga Ben Andoni

Në një akt normal, konform ligjeve të shtetit shqiptar, institucioni i presidencës shqiptare do t’i duhej të bënte një kërkesë te Autoriteti i Hapjes së Dosjeve dhe ky i fundit paçka radhës së veprimtarisë do t’i jepte mundësi që presidentit Nishani t’ia davariste mëdyshjet sa i përket virgjërisë morale të diplomatit Visar Zhiti. Në një akt të paprecedentë, presidenti Nishani jo vetëm e përfoli apriori poetin e njohur, por sot e kësaj dite nuk bëri një Mea Culpa publike, kur u zbardh dokumenti i shkrimtarit. Për hir të së vërtetës, mandati i tij, ka qenë një nga mandatet më të dobët presidencialë, së pari prej moslargimit të tij nga pozita e partisë së Djathtë që e ka propozuar në pushtetin e lartë dhe së dyti nga sulmet e pareshtura të së Majtës. Kjo e fundit nuk ka pasur fare ekuivokë për figurën e tij në një sërë përplasjesh institucionale të presidencës me hallkat e saj. Por, çfarë e bën kaq cinike në javët e fundit figurën e presidentit? Pak ditë më parë është folur në media dhe ai vetë e ka shprehur qysh më parë, paçka performancës aspak mbi palët, dëshirën e një mandati të dytë. Nëse para pak orësh, rizgjedhja e tij do ishte imagjinata më e çartur, në orët e fundit, ajo duket se po bëhet disi e pranueshme prej ngërçit të madh politik ku po kalon vendi.

Nga ana e saj, Partia Demokratike, në dukje ka treguar se është kategorikisht kundër zgjedhjeve me qeverinë ekzistuese Rama dhe për bojkot të gjithë aleatëve të saj të Djathtë. Të Majtët janë gati për negociata, por asesi me bërjen e një qeverie teknike, që do t’ia ulte shumë kredencat para elektoratit të saj dhe sidomos besueshmërinë para faktorit të huaj. Madje, në një akt të vullnetit të mirë, PS i blatoi tensionit dhe kokat e katër ministrave, dy prej të cilëve ishin më të përfolurit prej Kampit blu. Kjo do të thotë se mungojnë krejtësisht fijet e negociatave, teksa ora e zgjedhjes së presidentit është fare e afërt.

Deri më tani, do të thotë për zgjedhjet në vitet e demokracisë sa i përket tre institucioneve kryesore të vendit, Partia Demokratike nuk ka lëshuar askurrë pe. Flitet për Presidencën, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit. Nga presidenca shqiptare përveç pak muajve të inercisë së Ramiz Alisë, u konsumua vetëm një mandat i presidentit të Majtë Rexhep Meidani, kurse katër presidentë ishin të ardhur nga kampi i Djathtë. Nga prokuroria, përveç Arben Rakipit, të gjithë ishin propozime dhe u anatemuan paradoksalisht sërish nga të Djathtët; ashtu si edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, ku të pestë kryetarët e fundit rezultojnë të kenë ardhur nga kampi i Djathtë, respektivisht Alfred Karamuça, Blerim Çela, Mustafa Kërçuku,  Robert Çeku, Bujar Leskaj.

Historia zakonisht përsëritet paçka sesi trajtohet ajo. Kjo do të thotë që fjalët dhe propozimet aty-këtu tregojnë se përpjekjen e parë të daljes nga “çadra” mund të jenë ato që lidhen me negociatat e para për presidentin e ardhshëm. Dhe, kandidatura e Nishanit, sado e pabesueshme, e lehtëson shumë rrugën e daljes së PD-së nga çadra, por mund të jetë dhe një zgjedhje e tejsforcuar për PS-në që të zbusë ngërçin, por edhe sepse është mësuar tani me bashkëjetesën me një president që ka predispozitën t’ia kthejë çdo gjë.

Nga ana tjetër, presidenti Nishani do ketë mundësi të vazhdojë udhën e tij aksidentale, si presidenti i dytë më jetëgjatë, pas Haxhi Lleshit, por po kaq pa forcë si edhe ai në përçimin e vërtetë të imazhit të shtetit shqiptar.

Dikur Mbreti Zog bëri një akt të jashtëzakonshëm për atë që nuk pritej nga ai. Vendosi armikun e tij më të madh Konicën në një nga ambasadat e vendeve që po bëhej e rëndësishme në botë, në Uashington. Nishani, në mandatin e vet, ktheu kushedi sesa propozime diplomatësh me justifikime absurde për intelektualë asfare problematikë si Konica përfshirë dhe Zhitin. Nëse Nishani do të rizgjidhej thjesht për të zbutur “ngërçin” atëherë edhe në Shqipëri do të merrte jetë postulati i njohur se historia përsëritet një herë si tragjedi dhe tjetrën si komedi. (Javanews)

REMOTE_ADDR:[]

5 komente në “Ngërçi politik/ “Të djathtët” kërkojnë sërish president, Nishanin!!!”

  1. Plaka says:

    Pupupupu mos e dhenc o Zot. Edhe kjo gjeme na duhet, te kemi nishanin akoma neper kembe? o bobobobobooooo,aman o Ben Andoni aman, mos ja u shti ne mend, se jam e sigurt se dhe vet ata te tijte se duan, pervec saliut e lules.

  2. Bardhi Tolabi says:

    Po pse more,paskan mbetur akoma njeres pa u dekoruar,qe u dashka kthyer ky dekorataxhiu shakaxhi i “perparimit”?

  3. ZYBER says:

    ahahahahahahahahahah p-r-e-s-i-d-e-n-t…….leshi,me pelqen kur fryhet,me seriozitet te kendshem fshataresk……

  4. BUJARI JU DEGJON says:

    Une nje gje e di shume mire: Qe Nishani duhet nxjerre me shkelma nga Presidenca!!!
    Vetem kjo i qeteson deri diku shqiptaret…

  5. Loreta says:

    President te Republikes dy kandidatura, Daut Gumeni ose Visar Zhiti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *