Edhe OSBE kundër PD-së: Bojkoti i zgjedhjeve dëmton Shqipërinë, duhet dialog

27 Mars 2017, 18:27Politika TEMA

Ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt, deklaron se bojkoti i zgjedhjeve të qershorit nga opozita do të dëmtonte vendin dhe vetë subjektet politike pjesë të saj.

Sipas tij, mënyra për të ecur para duhet të jetë dialogu për përmirësimet e kodit zgjedhor dhe jo kërcënimet për një bojkot dhe dhunë.

Besoj fuqimisht që shqiptarët meritojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, në kohë dhe me përfaqësimin e duhur të të gjitha partive. OSCE/ODIHR-i po përgatit një mision shumë të plotë për vëzhgimin e zgjedhjeve. Nëse partitë duan që zgjedhjet të bazohen te një ligj më i mirë zgjedhor – atëherë ato duhet të gjejnë konsensus për përmirësimet. I kemi nxitur prej më shumë se një viti që ta bëjnë këtë gjë. Kemi bërë shumë rekomandime për përmirësime. Mënyra për të ecur para duhet të jetë dialogu për përmirësimet e Kodit Zgjedhor dhe jo kërcënimet për një bojkot të zgjedhjeve; një bojkot vetëm sa do të dëmtonte vendin dhe ata që e fillojnë atë. Kërcënimet për të ndërprerë procesin e rregullt demokratik do të ishin shumë të papërgjegjshme; janë shumë të paktë ata shqiptarë që mund të duan që vendi të shkojë 20 vite pas. Thirrjet për dhunë janë një territor ku nuk duhet shkelur absolutisht.” -tha Bernd Borchardt.

Në një intervistë për gazetën në anglisht “Albanian Daily News” me rastin e 20-vjetorit të krijimit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt thotë se puna e OSBE është fokusuar tek  funksionimi i institucioneve dhe afrimi i tyre me qytetarët.

Prezenca ka vazhduar të zhvillohet paralelisht me vendin dhe puna jonë sot përqendrohet te sfidat dhe përparësitë e qytetarëve dhe institucioneve të sotme. Ndërsa në vitet e para u përqendruam te ndërtimi i institucioneve, aktualisht e vendosim shumë më shumë theksin te funksionimi dhe afrimi i tyre me qytetarët…OSBE-ja e sheh veten sot si partnere e institucioneve shqiptare dhe e shoqërisë civile. Ne përpiqemi të bindim partnerët tonë shqiptarë për rekomandimet tona dhe për standardet ndërkombëtare që përfaqësojmë. Por, vendimet i merr Shqipëria si shtet sovran dhe institucionet e saj.”-pohoi Bernd Borchardt.

Duke folur për kanabisin, kreu i prezencës së OSBE thotë se Shqipëria ka bërë përpara në këtë drejtim, por problemi ende nuk është zgjidhur. Ai nxit qeverinë të zbatojë plan veprimin për të luftuar kanabisin.

Ajo që ka ndryshuar sot është që politika dhe shoqëria diskutojnë për kanabisin, dhe që nga viti 2014, policia po e lufton në mënyrë shumë më intensive. Ky është një zhvillim pozitiv. Plantacionet e Lazaratit u shkatërruan në vitin 2014. Vitin e kaluar policia shkatërroi 2,5 milionë bimë kanabis. Ky është sukses – këto bimë do të kishin prodhuar sasi tejet të mëdha marijuane. Por kapjet e vazhdueshme të marijuanës dhe hashashit tregojnë që problemi nuk është zgjidhur. Qeveria ka hartuar një plan veprimi për të luftuar kanabisin, Prezenca e OSBE-së ishte e ftuar për të kontribuuar në këtë plan dhe e dha kontributin e saj. Ne e nxitim qeverinë që të zbatojë këtë plan veprimi me energji.”-u shpreh Bernd Borchardt.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje