Problemi i thjeshtë, Basha s’ngjall besim

Nga Ben Andoni

Lulzim Basha, kryetari i PD-së, në takimin e pak kohëve më parë për përvjetorin e Partisë, lëshoi një frazë panegjirike, të zakonshme për aktivitete të tilla: “Shumë parti kanë lindur dhe kanë vdekur përgjatë historisë 100-vjeçare të shtetit shqiptar. Disa me turp. Disa sepse iu erdhi dhe iu vjen dita”. Apoteoza e tij ishte se megjithatë PD-ja do të mbetet, ndryshe nga ato parti, me njerëz si ai dhe ata rreth tij!! Për fat të keq, të gjithë e dëshirojnë në kohën ku po jetojmë që PD-ja të mos jetë në parashikimin e tij ogurzi, veçse të shkëputet njëherë e përgjithnjë nga e shkuara e saj, që po mbahet paradoksalisht nga vetë Basha.

Në orët e fundit, kryetari i opozitës ose të paktën stadi që po i atribuon vetes, ka marrë dy goditje, që kanë venë në lojë seriozisht besueshmërinë e tij. E para prej CDU-së, partisë që i atribuohet shpesh- dhe e dyta zyrtarisht nga ambasada e SHBA-së në Tiranë. Të dyja deklaratat institucionale, më shumë sesa kanë pohuar qëndrimin e tyre, kanë shtuar atë që vetëm z.Basha nuk e sheh, respektin e institucioneve. Ai ka vazhduar sikur s’ka ndodhur asgjë, duke u kthyer në një personazh që jo vetëm të mos besohet diplomatikisht, por të humbë shumë edhe në vetë partinë e tij, që edhe kaq është e mbushur me siklete.

Nuk do shumë të kuptosh dasitë e mëdha, që janë mes të vjetërve dhe të rinjve në PD. Ardhja e Bashës u pa si një shenjë e mirë për shkrirjen e këtij dallimi, porse ai jo vetëm se bëri si duhet qarkullimin e elitave, porse sot ngrehina e PD-së i ngjan një strukture me shumë paradhoma, ku nuk dallon vartësit me drejtuesit. “Të vjetrit” që çapiten me zor në tendë jo vetëm nuk pranojnë kritikat dhe stigmën e merituar ndaj tyre, por vazhdojnë t’i venë shkopinj në rrota. “Të rinjtë” nuk e durojnë hyqmin e tyre moral. Dhe, kjo është më e pakta, pasi PD-ja po vuan të shkuarën e saj, mu atë që nuk i ndahet, por edhe që nuk e largon dot, sepse asnjëherë nuk i është vendosur përballë. Vetëm se pa parë të shkuarën, kurrsesi nuk mund të këqyresh të ardhmen. Kjo rrugë po turbullon edhe Aleatët e Djathtë, që janë futur në një qorrsokak duke besuar se mbështetja e Bashës nga të huajt mjafton, që të vazhdojë bojkoti. Përsëritja e vazhdueshme e kërkesave për qeveri teknike duket se nuk po thotë asgjë. Për më tepër, Edi Ramës po i dhurohet shumë më tepër sesa meriton, ndërkohë që qeverisja e tij është një mal me probleme, për të cilat opozita kishte mundësi që me ekspertizat e njerëzve t’i saj jo vetëm t’i evidentonte por edhe t’u jepte zgjidhje virtuale dhe institucionale.

Lulëzim Basha po imiton në formën më të keqe Berishën, por ndryshe nga ky i fundit, nuk di kurrë që të marrë përsipër humbje dhe gabime, si e bëri gjithsesi i detyruar ish-kryeministri Berisha, duke marrë me vete edhe të gjithë përgjegjësinë e humbjes së zgjedhjeve të fundit.

Në kohën kur Ballkani Perëndimor haset me sfida dhe përpjekje të vështira për demokratizimin, PD-ja është krejt e mbyllur për idetë e reja dhe me takimet e çadrës po mundohet të fryjë sa më shumë figurën e lodhur të Bashës, në vend të mbledhë intelektualët që kanë realisht se çfarë të thonë dhe kemi nevojë realisht t’i dëgjojmë. Nga ana tjetër, njerëzit që i dhanë frymë PD-së nuk kanë zë prej kinseve që nuk i njohin dhe as i respektojnë fare strukturat e PD-së. Këta ndjekin më së shumti Bashën në demagogjinë e tij sfilitëse.

Në momentet që po flasim dhe nga kjo ligjëratë e Bashës nuk mund të pritet më shumë. Teksa ai humbet kohë me retorikë, ishte koha që PD-ja të ballafaqohej me veten dhe të ishte e egër fillimisht me të korruptuarit e saj, të ofronte ide dhe të reja dhe të gjeneronte forcën te strukturat e saj dhe jo t’i shkelte syrin vazhdimisht Ilir Metës. Më saktë ka ardhur realisht koha që Demokratët të vendosin fillimisht ekuilibrin në gjirin e saj, mes atyre që janë ngopur me pushtet dhe të tjerët, mes radhëve, që duan pushtet me ngulm.

Kryetari Basha mund ta bëjë këtë duke qenë pak vetëkritik, por jo me hipokrizinë që po përdorin tashmë të Majtët, që e artikuloi këto ditë znj. Kryemadhi, që kërkonte falje në një zonë të varfër për investimet!!!

Për fat të keq, shumë gjëra po rrjedhin, por Basha vetë fatkeqësisht duket se nuk ka mbështetjen e vërtetë, atë që mentori i tij Berisha e reflektonte dhe e merrte besimin me karizmën, me miklimin dhe daravitjen e militantëve, kurse ky e lëshon edhe kur ia dhurojnë me demagogjinë tërësisht boshe. (Javanews)

REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Problemi i thjeshtë, Basha s’ngjall besim”

  1. Drejtësia says:

    Akoma se ke kuptuar ti oreeeee që është marrë vendimi për ta zhdukur përfundimisht PD nga skena e memorja e këtij populli.
    Ajo është një parti monstër që ka lyer duart me gjak shqiptari ore tutkune ska si të egzistojë më.
    Po ta përsëris është marrë vendimi popullir për ta groposur përgjithmon.

  2. Partizan Cene says:

    Ja per here te pare nje shkrim i mencur i Ben Andonit , pasi gjithmon ka fole kunder rrymes .. !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *