Brokaj: “Drejtësia” s’ndalet, është projekt amerikan. Do ketë arrestime të peshqve të mëdhenj. Berisha ka hallin e kokës së vet

Reforma në drejtësi po zvarritet pa fund. Kuvendi rihapi garën për vetingun, si dhe për KLGJ e KLD, duke bërë që procesi të nisë nga e para.

Të gjithë pyesin nëse reforma në drejtësi do të nisë të zbatohet apo do të ketë fatin e shumë ligjeve e nismave të tjera, që asnjëherë nuk zbatohen por mbeten vetëm në letër.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj, në një prononcim për gazetën “Sot”, paralajmëron se reforma në drejtësi do të zbatohet me patjetër pavarësisht zvarritjeve dhe “shkopinjve nën rrota”, pasi është projekt amerikan, i cili ka mbështetjen e gjerë të popullit shqiptar. Brokaj shprehet se politikanët janë të kapur “mat”, nuk kanë rrugë tjetër veçse ta zbatojnë projektin amerikan.

Ish-ministri i Mbrojtjes thotë se kjo reformë është bërë me qëndrimin rigoroz të ndërkombëtarëve dhe në këto kushte, do të jetë sërish këmbëngulja e tyre që kjo reformë të zbatohet. Sabit Brokaj paralajmëron se shumë shpejt do të shkojnë para drejtësisë “peshqit e mëdhenj”, të cilët janë të korruptuar.

“Ata që nuk e duan reformën në drejtësi, patën fuqinë për ta zvarritur, por nuk e ndalin dot. Është projekt amerikan. Sepse përputhet edhe me dëshirën e popullit. Reforma në drejtësi është bërë për të kapur peshqit e mëdhenj.

Pa qëndresën rigoroze të ndërkombëtarëve, politika në Shqipëri mund të deformojë çdo lloj ligji dhe rezolute. Të gjithë kusarët dhe të korruptuarit përpiqen për të ndalur reformën; kusarët atë që vjedhin duan ta fshehin, atë që e zbulojnë duan ta eleminojnë”, u shpreh Brokaj.

Sabit Brokaj thotë se është e pritshme që klika politike të ndalë reformën në drejtësi ashtu siç ka kapur prej gryke Shqipërinë.

“Është e pritshme që të shfrytëzohet çdo lloj forme, mundësie dhe sebepi në mënyrë që reforma të mos bëhet. Në sjelljen e tanishme, është një strategji e caktuar që është e përhershme por shumë këmbëngulëse për të penguar realizimin e ndërtimit të shtetit ligjor shqiptar, një strategji e përdorur nga klika politike që ka kapur Shqipërinë për gryke”, tha Sabit Brokaj.

Ish-ministri i Mbrojtjes fajëson ish-kryeministrin Sali Berisha dhe gjithë njerëzit e tij, për pengimin e reformës. Sipas tij, ata kërkojnë të ruajnë kokën e tyre nga bëmat që kanë kryer gjatë 8 viteve në pushtet.

“Berisha dhe njerëzit e tij do të bënin përpjekje për të mbrojtur kokën e tyre pas abuzimeve të forta që kanë bërë vite e vite me radhë dhe ku reforma në drejtësi do t’i bëjë të paguajnë një më një për atë çka kanë bërë”, u shpreh Brokaj. Ai i bën thirrje mazhorancës të mos lëshojë pe për vetingun.

“Por ata që duan ta bëjnë reformën, kam parasysh mazhorancën që deri tani ka provuar se e do reformën, të jenë të vendosur dhe me guxim politik, dhe të mos lëshojnë pe në denatyrimin që kërkojnë t’i bëjnë reformës në drejtësi nëpërmjet shpëlarjes dhe çngjyrosjes së “vetingut”, tha Brokaj.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *