Greqia është shteti që ka fituar nga marrëveshja e Detit

Nga Beqir Gërbi*

Nxitje për këtë shkrim shërbeu veprimi i Prokurorisë që “për mungesë të elementëve të veprës penale”, vendosi të mbyllë hetimet për paktin detar Shqipëri- Greqi dhe dosja për këtë rast është kaluar në arshivë në tetor 2016.

Bashkohem me mendimin e shumicës së shqiptarëve, të cilët këtë vendim të prokurorisë e konsiderojnë një komplot të ri, dikush e konsideron verbëri të qëllimshme etj. Besoj se në këtë marrëveshje të ‘qelbur’, të ish-qeverisë dhe tani të prokurorisë, çdo shqiptar të mos konkludojë se, këtu ka tradhti.

Berisha, nga foltorja e parlamentit ka bërë të ditur publikisht versionin e tij se,”çështjen e marrëveshjes së detit Shqipëri-Greqi nuk e çuam ne, po e çoi Edi Rama, duke e akuzuar se e çoi për llogari e interes të një pale të tretë. Unë, edhe pse dija çdo gjë për këtë, përsëri palës greke u sugjeroj çojeni në Arbitrazh në gjykatat e detit”.

Prokuroria, në argumentin e përdorur në vendimin e pushimit, thekson se, është mungesa e elementëve të veprës penale nga zyrtarët që përpiluan marrëveshjen dhe ata të cilët e firmosën.

Në titull theksova se Greqia është shteti që ka fituar nga marrëveshja e detit. Me të drejtë gjithkush mund të pyesë: Konkretisht ku dhe çfarë sipërfaqe ka fituar Greqia?

Së pari: Greqia ka fituar nga kufiri shtetëror shqiptar, përballë gjirit të Korfuzit. Kjo padrejtësi është krijuar nga metoda e gabuar që është përdorur.

Së dyti: Greqia ka përfituar territor të shelfit kontinental, përsëri nga metoda e gabuar, në trajtimin e kushteve të veçanta gjeografike të ishujve.

Për mungesë të hartës dhe të marrëveshjes, nuk mund të përllogaritet sipërfaqja e fituar nga shteti grek.

Për të argumentuar për sa deklarova, më duhet t’i referohem Konventës detare UNCLOS-82, i cili  është dokumenti bazë në realizimin me drejtësi, barazi e paanshmëri për delimitimin e hapësirave ujore detare, ku të dyja shtetet janë palë. Në mungesë të hartës dhe marrëveshjes së firmosur, po i referohem  edhe intervistës së znj. Anastasia Strati, një studiuese dhe eksperte e njohur e të drejtës së detit, e cila për më tepër, ishte anëtare e delegacionit grek në negociatat me palën shqiptare dhënë gazetarit Robert Goro.(Gazeta “Tema” dt.17.06.2015).

Sipas intervistës del se, znj. Strati ka botuar edhe librin të titulluar: “Zonat detare greke dhe delimitimi me shtete fqinje”, ku zbardh plotësisht pikëpamjen e palës greke mbi marrëveshjen e 2009-s me Shqipërinë.

Argumentet e paraqitura nga znj. Strati, i marr si të dhëna zyrtare të qeverisë  greke, por edhe të qeverisë shqiptare. Në deklaratë znj.Strati thekson: “Në rastin konkret, pas një shkëmbimi esencial pikëpamjesh të dy qeveritë konkluduan bashkërisht në marrëveshje e cila bazohet në dispozitat e të drejtës ndërkombëtare dhe në një rezultat të ndershëm, që u zyrtarizua me nënshkrimin e marrëveshjes”.

Marrëveshja për delimitimin e hapësirave ujore detare arrihet duke përcaktuar:

Vijën e drejtë baze, Deti Brendshëm; Deti territorial dhe Shelfin Kontinental.

Vija bazë: Është vija e drejtë që bashkon dy kepat më të dalë të bregdetit, të shtetit bregdetar. Është një nga konceptet bazë, të përfshirë në konventën detare. Ndërtimi dhe shpallja e vijës së drejtë bazë është një akt i njëanshëm i shtetit bregdetar (neni-16/1). Ajo duhet të bëhet në përputhje me kërkesat e nenit-7, ku saktëson: “Gjatësia e vijës bazë, nuk duhet të jetë më e madhe se 24 milje detare.

Deti brendshëm: “Ujërat nga vija bazë në drejtim të tokës, formojnë detin e brendshëm të një shteti bregdetar. Shteti bregdetar gëzon sovranitet të plotë mbi detin e brendshëm. Kalimi i vijës bazë, nga mjetet lundruese dhe anijet e huaja, për në detin e brendshëm, bëhet me miratimin e shtetit bregdetar.

Deti territorial: “Ujërat nga vija bazë në drejtim të detit, formojnë detin territorial të një shteti bregdetar. Gjerësia e detit territorial-12 milje detare.

Në drejtim të detit, kufiri shtetëror i shtetit bregdetar është kufiri i detit territorial (tokë-ujë -ajër). Shteti bregdetar gëzon sovranitet të plotë mbi detin territorial. Anijet e huaja (edhe luftaraket), kanë të drejtën e “kalimit paqësor” në detin territorial, sipas farvatereve (kurseve ) të rekomanduara nga shteti bregdetar. Hapësirat ujore detare, përtej detit territorial, janë ujëra detare ndërkombëtare,ku zbatohet parimi i “lirisë së lundrimit”.

Shelfi kontinental i një shteti bregdetar përfshin fundin e detit dhe nënburimet e zonës nënujore që shtrihet përtej detit të tij territorial, nëpërmjet një zgjatimi natyral të territorit të tij tokësor në qoshen e jashtme të kornizës kontinentale ose në një distancë prej 200 milje detare nga vijat bazë, nga të cilat matet gjerësia e detit territorial kur qoshja e jashtme e kornizës kontinentale nuk shtrihet deri në këtë distancë. (Neni-76).

Meqenëse, sipas znj.Strati, gjiri i Korfuzit përmbush kriteret e nenit-10 të konventës për të drejtën e detit,”të dy qeveritë kanë konkluduar të zbatojnë përballë gjirit të Korfuzit kriteret e nenit-10″.

Sipas konventës detare,kriteret e nenit-10, shërbejnë për korrektimin e vijës së kufirit të shelfit kontinental.

Për të qenë më i qartë, konventa KUT-58 dhe UNCLOS-82, saktësojnë se: Statusi ligjor i gjireve përcaktohet me nenin-7 dhe nenin-10.

Këto dy nene, kanë përmbajtje juridike dhe terminologji të njëjtë.

Vendin kryesor e zë metodologjia e ndërtimit të vijës së drejtë bazë, nga ku fillon dhe matja e detit të brendshëm; detit territorial dhe shelfit kontinental. Kërkesat e nenit-7, ku thuhet se vija bazë nuk duhet të jetë më madhe se 24 milje detare, shërben për korrektimin e detit të brendshëm dhe detit territorial.

Kur gjiri plotëson kërkesat e gjysmë-rrethit ose kriteret e nenit-10, vija mbyllëse e gjirit, shërbejnë për korrektimin e vijës së shelfit kontinental.

Për zonën që diskutojmë, në kanalin e Korfuzit, saktësisht, përballë gjirit të Korfuzit,ku është zbatuar kërkesa e nenit-10, a kemi vijë të shelfit kontinental Shqipëri-Greqi? Sipas UNCLOS-82,neni-76-jo.

Për këto arsye:-Hapësira ujore detare, përballë gjirit të Korfuzit është e kufizuar është më e vogël se 24 milje detare dhe si pasojë deti territorial i Shqipërisë e i Greqise eshte me pak se 12 milje detare.Sipas nenit-76, shelfi kontinental, matet nga vija baze por shtrihet përtej detit territorial.

Prandaj, më lartë e theksova se deti territorial i Shqipërisë dhe deti territorial i Greqisë gjerësinë prej 12 milje detare e arrijnë përballë Himarës dhe në veri të ishullit Otonoi.

Vija e shelfit kontinental e Greqisë në këtë zonë të kufizuar të hapësirës ujore detare shtrihet në perëndim të ishullit të Korfuzit, përtej detit të tij territorial prej 12 milje detare; në mesoren e hapësirës ujore detare të baraslarguar nga bregdeti perëndimor i Korfuzit me bregdetin e Italisë. Në qoftë se, gjiri do ishte në perëndim të Korfuzit, e të përmbushte kriteret e nenit-10, do shërbente për korrektimin e vijës së shelfit kontinental midis Greqisë dhe Italisë.

Vija që korrektohet përballë gjirit të Korfuzit është vija që ndan kufirin e detit territorial Greqi-Shqipëri. Sipas meje, është një sajesë për të fituar nga kufiri shtetëror shqiptar.”I jep diçkaje një emër që i përket diçkaje tjetër”.

Nuk e besoj se komisioni këtë vijë të kufirit detit territorial gabimisht ta konsiderojë si vijë të shelfit kontinental,kur në konventën detare UNCLOS-82 theksohet shumë qartë se:”Në rastet kur distanca midis dy shteteve është e kufizuar, vija kufitare shtetërore duhet të jetë e baraslarguar përkatësisht nga vija bazë e bregdetit të shteteve që janë përfshirë në përcaktimin e kufijve detarë, duke marrë për bazë zbatimin e parimit të baraslargësisë, paanshmërisë dhe drejtësisë (neni-15). Sipas nenit-15,kur zona e hapësirës ujore detare është e kufizuar,nuk ka vend për të zbatuar kërkesat e nenit-10,UNCLOS-82.

Nga sa më sipër,mund të konkludojmë se metoda e përdorur përballë gjirit të Korfuzit në zbatim të kërkesës nenit-10-të, është e gabuar.

Korrektimi i vijës së kufirit të detit territorial Greqi-Shqipëri, është një sajesë, për të fituar nga kufiri shtetëror shqiptar, duke e justifikuar me kërkesat e nenit-10.

Ky gabim i bërë në metodë, ka prishur parimin e baraslargësisë, paanshmërisë dhe drejtësisë. Ka cenuar integritetin territorial të shtetit shqiptar. Duke iu  referuar hartës së marrëveshjes, mund të përcaktohet territori (tokë-ujë-ajër) i fituar nga shteti Grek.

Lind pyetja, a përbën vepër penale një veprim i tillë i gabuar, që i jep padrejtësisht pjesë të kufirit shtetëror (tokë-ujë-ajër) Greqisë?

Për mua përbën vepër penale.

Së dyti:Greqia ka fituar edhe territor (fund-deti) nga shelfi kontinental, nga metoda e gabuar në trajtimin e kushteve të veçanta gjeografike të ishujve.

Në marrëveshjen e detit Shqipëri – Greqi, kushtet e veçanta gjeografike nuk janë trajtuar në mënyrë të plotë sipas kërkesave të konventës detare UNCLOS-82. Po i referohem intervistës së znj. Strati, ku thotë se:”Gjykata Kushtetuese (shqiptare-b.g.) nënvizon se, nuk janë marrë parasysh ishujt si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare. Gjykata Kushtetuese (shqiptare-b.g.) i referohet si precedent marrëveshjes detare Shqipëri-Itali”.

Në përgjigje znj. Strati vëren se:”Metodologjia e përdorur në marrëveshjen e Italisë, nuk vlen për atë me Greqinë. Këtu vija e mesit u përcaktua në mënyrë strikte duke garantuar një rezultat të ndershëm ( dhe përmbushur parimin e Ekitesë)”, dhe duke njohur ndikimin e plotë në të gjithë ishujt, përfshi edhe atë Otonoi(Fanos).

Ky rregull është shumë i rëndësishëm pasi, pjesa e mbetur e delimitimit të shelfit kontinental Greqi- Shqipëri, aq edhe delimitimi i shelfit kontinental Greqi – Itali, influencohet nga ishulli Otonoi”.

Nga sa deklaron znj.Strati kuptohet se:”në marrëveshjen e miratuar midis Greqisë e Italisë është marrë si pikë referimi ishulli i Otonoi.

-Më duket e pabesueshme që ishulli Otonoi të merret si objekt referimi në delimitimin e shelfit kontinental nga të tre shtetet ( Greqia – Shqipëria dhe Italia), kur marrëveshja bëhet midis dy shteteve?!

Në marrëveshjen detare-2009,ishujt(Korfuzi;Erikuza;Otonoi dhe shkëmbi Barketa)kanë ndikuar në mënyrë të plotë në delimitimin e hapësirës ujore detare të detit të brendshëm dhe detit territorial, ndërsa ishulli Otonoi ka ndikuar në mënyrë të plotë në përcaktimin e vijës së shelfit kontinental Greqi – Shqipëri. Mendoj se, ishulli Fanos(Otonoi) është marrë në mënyrë të gabuar, si pikë referimi.

Kjo është realizuar pasi komisioni firmëtar shqiptar e grek,nuk e ka trajtuar çdo ishull për kushte të veçanta gjeografike.

Po i referohem konventës detare UNCLOS-82.

Si e përkufizojnë konventat detare ishullin?

Mbështetur në dispozitat ligjore, neni-10/1 dhe neni 121/1, përkatësisht të KUT-58 dhe UNCLOS-82, ishulli përkufizohet si hapësirë tokësore e formuar në mënyrë natyrore, e cila është e rrethuar (kufizuar) plotësisht nga ujëra detare dhe ndodhet mbi sipërfaqen e detit gjatë aktivitetit të baticave detare.

Nga pikëpamja juridike çdo ishull, pavarësisht madhësisë së tij, jo vetëm që duhet të zotërojë “Ujërat e tij territoriale” por nëse gjendet mjaftueshëm pranë vijës bazë dhe brezit bregdetar të shteteve, mund të ndikojë masivisht drejt një zgjerimi në drejtim të detit të hapur të Ujërave Territoriale.

Nga sa më sipër kuptohet se:-Çdo ishull, kudo që ndodhet, shumë afër, mjaftueshëm ose larg, në raport me vijën e drejtë bazë, duhet të zotërojë “Ujërat e veta Territoriale”. Kështu,ishulli i Korfuzit,Sirakuza dhe Fanos (Otonoi) duhet të zotërojnë “Ujërat e veta Territoriale”.

-Së dyti: Jo çdo ishull, përfiton vijë të drejtë baze. Ishulli që plotëson disa elemente të përcaktuara nga konventa detare, mund t’i zbatohet parimi i vijës së drejtë bazë.

Një ndër konceptet juridike themelore të së drejtës së detit është dhe vija e drejtë bazë. Ndërtimi i vijës së drejtë bazë bëhet në përputhje me nenin-7.

-Elementët që duhet të merren në konsideratë në përcaktimin e vijës drejt bazë: Gryk derdhjet e lumenjve-Gjiret dhe grykat-Cekinat e përkohshme,

Portet, skalieret,kalatat,punimet në rada-gjiret historike-ishujt-shkëmbijtë.

Në rajonin e kanalit të Korfuzit, si elementë që duhet të merren në konsideratë

për kushte të veçanta gjeografike, janë ishujt (Korfuzit,Sirakuza,Fanos) dhe shkëmbi Barketa.

Elementët që duhet të kihen parasysh në zbatimin e parimit të vijës së drejtë bazë, për ishujt janë:

a-brezi bregdetar konsiderohet i përthyer dhe i copëzuar,

b-Në një distancë shumë të afërt me bregdetin ndodhen grupe të caktuar ishujsh ose shkëmbinjsh mbi ujë.(neni-4/1 KUT-58;neni 7/1 UNCLOS-62).

c-Vija e drejtë bazë, duhet të ndjekë vijën bregdetare.

d-Nuk duhet të krijoj zhvendosje të mëdha të kufijve të detit territorial, duke futur nën juridiksionin hapësira të mëdha të detit të hapur,

Mbështetur në nenin-4/2 KUT-58 dhe nenin-7/3 UNCLOS-82 kërkohet.

e-Vija e drejtë bazë nuk duhet të shtrihet në drejtim të ishujve ose

shkëmbinjve të cilët ndodhen mjaftueshëm larg drejtimit të përgjithshëm të vijës bregdetare kontinentale dhe pika f.

f-Hapësirat ujore detare që shtrihen brenda vijës bazë duhet të jenë të lidhura

ngushtësisht me pjesën tokësore të brezit bregdetar të shtetit. Kjo dispozitë ligjore konsiderohet e paqartë dhe e ndërlikuar nga pikëpamja e zbatimit praktik nga shumë juristë duke krijuar hapësira për keq interpretim dhe për zbatimin praktik të kësaj dispozite, sipas interpretimit të lirë ose sipas interesave të palëve të përfshira në konflikte detare.

g-Vija e drejtë bazë, nuk duhet të pengojë ndërpresë detin e hapur, të pengojë daljen e anijeve në det të hapur.

Duke u mbështetur në këto elemente, po analizoj çdo ishull,

Ishulli Fanos (Otonoi).

-Nuk plotëson kërkesat e (pikës-b),nuk ndodhet në një distancë shumë të afërt me bregdetin. Ishulli ndodhet mjaftueshëm larg drejtimit të përgjithshëm të vijës bregdetare, në një distancë mbi 15 milje detare me bregdetin. Si distancë orientuese merret gjerësia e ujërave territoriale e cila është sanksionuar-12 milje detare. Distanca shumë e afërt mund të jetë distanca më pak se 3 milje detare, ndërsa distanca mesatare më pak se 6 milje detare. Distanca është llogaritur duke matur hapësirën ujore detare:

Kështu: Hapësira ujore detare nga vija e drejtë bazë e bregdetit kontinental – ishulli Sidero është mbi 4 milje detare; hapësira ujore detare ishulli Korfuzit -ishulli Fanos (Otonoi) është mbi 11 milje detare.(shuma =mbi 15 milje detare).Nuk plotëson kërkesën e pikës-b.

-Nuk plotëson kërkesën e (pikës-c ).Vija e drejtë bazë për në ishullin Fanos nuk ndjek vijën bregdetare. Vija bregdetare kontinentale, ndjek drejtimin Jug-Juglindje,ndërsa vija bazë për në ishullin Fanos,ndjek drejtimin për në perëndim.

-Ishulli Fanos (Otonoi) krijon zhvendosje të madhe të kufijve të detit territorial, mbi 27 milje detare.(pika-d)

-Nuk plotëson kërkesën sipas (pika-e).Vija e drejtë bazë për në ishullin Fanos shtrihet në drejtimin Perëndim, kur drejtimi i përgjithshëm i vijës bregdetare kontinentale është Jug-Juglindje. Ishulli ndodhet mjaftueshëm larg drejtimit të përgjithshëm të vijës bregdetare.

-Nuk plotëson kërkesën e (pikës-f ). Hapësira ujore detare që shtrihet brenda vijës bazë të ishullit nuk ka asnjë lidhje me pjesën tokësore të brezit bregdetar të shtetit. Kjo dispozitë ligjore mund të konsiderohet e paqartë dhe e ndërlikuar nga pikëpamja e zbatimit praktik nga pala greke, duke krijuar hapësira për keqinterpretim dhe për zbatimin praktik të kësaj dispozite.

-Nuk plotëson kërkesat e (pikës-g ),pasi duke i dhënë vijë të drejtë bazë, pengon daljen e anijeve nga bregdeti për në det të hapur dhe anasjelltas.

Ishulli Fanos (Otonoi ), për kushtet gjeografike, nuk plotëson elementët për zbatimin e parimit të vijës së drejtë bazë.

Ishulli Erikuza: Ishulli Erikuza,rezulton me të njëjtat të dhëna.

I vetmi ndryshim qëndron në distancë. Ishulli ndodhet mjaftueshëm larg drejtimit të përgjithshëm të vijës bregdetare,mbi 8 milje detare.

Kjo distancë konsiderohet e largët.

Edhe ishulli Erikuza, për kushtet gjeografike që ka, nuk plotëson elementët për zbatimin e parimit të vijës së drejtë bazë.

Si veprohet për ishujt të cilët nuk plotësojnë elementët e vijës të drejtë bazë?

Nga pikëpamja juridike, mbështetur në dispozitat ligjore,( nenit-10/1 KUT-58 dhe neni-121/1,UNCLOS-82), çdo ishull, pavarësisht madhësisë së tij, duhet të zotërojë “Ujërat e tij Territoriale”. Në zbatim të nenit-10/1 dhe nenit-121/1 ishullit Fanos (Otonoi) dhe ishulli Erikuza, u jepet “Ujërat e veta Territoriale” dhe nuk marrin pjesë (konsiderohen se nuk ekzistojnë), në përcaktimin e shelfit kontinental Greqi-Shqipëri.

Lind pyetja, se sa do jetë gjerësia e ujërave territoriale e ishujve Erikuza dhe Fanos?Ajo duhet të jetë sipas nenit-3 te UNCLOS-82, d.m.th 12 milje detare

Konkretisht: Në drejtimin lindor të ishujve (Erikuaza -Fanos) deti territorial i tyre do shtrihet deri te vija kufitare e detit territorial Shqipëri-Greqi, ndërsa në pjesën veriore e perëndimore të ishullit të Fanos, shtrihet 12 milje detare.

Sqaroj se vija kufitare e shelfit kontinental nuk duhet të depërtojë brenda vijës së Ujërave territoriale të ishujve.

Znj. Strati në intervistën e saj nuk thotë asnjë fjalë për kushtet e veçanta gjeografike të çdo ishulli, nuk jep argumente se cili ishull i plotëson elementët për zbatimin e vijës së drejtë bazë.

Znj. Strati, mjaftohet duke vënë në dukje vetëm ndikimin që kanë ishujt,përfshi edhe atë Otonoi(Fanos), në delimitimin e shelfit kontinental Greqi-Shqipëri, aq edhe në delimitimin e shelfit kontinental Greqi-Itali.

Ta pranojmë harresë të rastit për mos analizimin e kushteve të veçanta gjeografike të ishujve ?!.

Ishulli i Korfuzit plotëson elementët për zbatimin e parimit të vijës së drejtë bazë. Zotëron “Ujërat e tij Territoriale”. Shërben si ishull, pikë referimi në përcaktimin e vijës së shelfit kontinental Greqi-Shqipëri.

Shkëmbi Barketa. Shkëmbinjtë që nuk mbështesin vendbanimet njerëzore dhe një jetë ekonomike të pavarur, shërbejnë si vijë bazë vetëm për ujërat territoriale, por jo për shelfin kontinental.(Neni-121/3 UNCLOS-82)

Sipas znj.Strati, në marrëveshjen e detit-2009, si pikë referimi në përcaktimin e vijës së shelfit kontinental Greqi-Shqipëri, është marrë ishulli Otonoi.

Sipas meje,si pikë referimi në përcaktimin e vijës së shelfit kontinental Greqi-Shqipëri, duhet marrë ishulli i Korfuzit. Ishulli Otonoi dhe ishulli Erikuza, nuk i plotësojnë elementët për të zbatuar parimin e vijës së drejtë bazë. Ky gabim i lejuar në marrëveshjen e detit-2009, ka bërë që Greqia të përfitojë nga fund-deti i shelfit kontinental.

Duke iu referuar hartës së marrëveshjes së detit 2009, mund të përcaktojmë fund deti i fituar nga Greqia.

Jam i mendimit se ky gabimi i lejuar nga komisioni firmëtar i marrëveshjes detare Shqipëri-Greqi, ka bërë që Greqia të përfitojë shelf kontinental (fund-deti), e cila përbën vepër penale.

Firmëtarët e marrëveshjes së detit Shqipëri-Greqi,si dhe prokurorët që vendosën pushimin e hetimit për mungesa të elementëve të veprës penale, i ftoj të marrin pjesë në diskutim të hapur që “zeusi” të marrë atë që i takon.

Me sinqeritet, pres mendimet dhe vërejtjet e secilit, në mënyrë që brenda vetes sonë të konkludojmë sa më drejtë.

Nëqoftëse dikush mendon se gabimi është lejuar nga padija, secili duhet të kërkojë falje, në mënyrë publike.

Firmëtarët dhe prokurorët, të lidhur me problemin e marrëveshjes detare-2009 që nuk marrin pjesë në diskutim për të argumentuar mendimet, veprimet dhe vendimin e marrë në përcaktimin e hapësirave ujore detare të vendit tonë me të drejtë mund të konkludojmë se gabimin e ka lejuar me dashje. Ky është mendimi im.

*Ish komandant i nëndetëses-105. Ish Shefi i shtabit të Flotës Luftarake Detare (1981-1990)

 

REMOTE_ADDR:[]

5 komente në “Greqia është shteti që ka fituar nga marrëveshja e Detit”

  1. AVNI RUSTEMI says:

    Respekt i nderuar komandant per kompetencen absolute dhe spjegimin e qarte te ceshtjes. Na takon te gjithe shqiptareve te ndershem te respektojme dhe nderojme vlerat e verteta te kombit te cilat na kthjellojne te ardhmen ne ceshtje te tilla te ndjeshme per te gjithe ne dhe per te njohur se kush jane bijt e ketij populli dhe kush tradhetaret e tij. Te hapim syte secili nga ne kur na duhet te vendosim per te ardhmen e atdheut dhe te femijeve tane.

  2. emigranti says:

    Respekt dhe nderime z. Gerbi.
    Njerez te tille duhen afruar dhe degjuar.
    Qeveria te punoje intensivisht ne kete drejtim dhe te degjoje keshillat e sugjerimet e te urteve.
    Sa I perket veprimit te prokurorise do vije dita e dhenies se llogarise si te krimineleve ( eshte krim dhe tradheti kombetare falja e detit Greqise, maskuar me metoden e gabuar ), ashtu dhe te prokuroreve halldupe.
    Duhet qe edhe specialiste te tjere te perfshihen ne debate te tilla me vlere kombetare.

  3. O.Pamuk: muslimonet shqipfoles jane vazhdimi i identitetit turk ne Evrope..... says:

    hahahaha,hajde carcaf Byqiri hajde………………!!!

  4. voica says:

    Bravo, komandant Gerbi!
    Po ketu shtypi dhe shoqeria civile, madje dhe intelektualet (qe pa frike mund tu thuash PSEUDOintelektuale) jane nje me ata qe e gatuan dhe firmosen kete marreveshje.
    P.sh., nga Fevziu do presesh ti, komandant i nderuar, te mbledhe specialiste dhe t’a vene para pergjegjesise prokurorine per ate vendim qe mori!? Po te jete ndonje problem seksualiteti, e ke gati per te gjithe ditet e javes te therrase dhe Frojdin nga varri e ta sjelle ne “Opinion”.

  5. askushi says:

    Tani qe ta marrim vesh dhe ne, njerezit e zakonshem.
    Cili eshte konkluzioni i zotit Gerbi? Ishujt Othonoi dhe Erikusa zoterojne det territorial apo jo? Dhe sa eshte deti territorial i tyre?
    Nese zoterojne det territorial keto 2 ishuj dhe eshte 12 milje, atehere nje matje e thjeshte ne Goggle map, te bind se distanca Othoni-bregdeti shqiptar nuk eshte me shume se 24 milje. Dhe kjo domethene se edhe ketu mund te zbatohet parimi i barazlargesise dhe behet zhurme kot.
    Lexojme tere keto vite me dhjetra artikuj nga dhjetera “specialist”, por askush s`na sjell nje shembull sqarues. Keta specialist a mund te na sjellin nje shembull nga praktika e vendeve te tjera? P.sh. ishulli italian i Lampeduses zoteron det territorial dhe shelf kontinental apo jo? Ishujt Gran Kanaria te Spanjes qe jane perballe Marokut zoterojne det territorial dhe shelf kontinental apo jo? Nese po, atehere vlen e njejta gje per ishujt Othonoi dhe Erikusa.
    Nuk mund te behet debat dhe diskutim racional me palen tjeter me thirrje populiste.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *