Kush është “nipi i Skënder Gjinushit” në vrasjen e Azem Hajdarit dhe marrëdhëniet e tij me Berishën

Izet Haxhia, sqaron edhe njëherë vrasësit e Azem Hajdarit dhe rolin që ka luajtur Berisha në atë vrasje.

Ai sqaron për Dita cili ishte roli i mbesës së Berishës në 12 shtator 1998 dhe pse e konsideron Haxhia një keqpërdorim afrimin e vajzës së Azemit për ta bërë deputete në zgjedhjet e 18 qershorit nga ata që e nxorën në pritë Azemin…

– Izet, dy ditë më parë të ka sulmuar sërish Sali Berisha. Të ka quajtur vrasës, gjatë një interviste me Berat Buzhalën. A i ke dëgjuar këto akuza që të janë bërë?

 – Unë jam mësuar me këto akuza të pritënxjerrësit Berisha. Një herë më akuzon si njeriu që mori në telefon Hajdarin dhe e nxora në pritë, herën tjetër si ekzekutues të drejtpërdrejtë, njëherë tjetër që e vrau Fatos Nano, pastaj Skënder Gjinushi, pak më vonë Fatos Klosi e Xhavit Haliti, njëherë tjetër e vrau Jaho Salihi, pas vdekjes e vrau Fatmir Haklaj. Kur u fut në burg akuzoi edhe Nehat Kullën, pasi u vra tha edhe për Feriz Kërrnajën. E kam thënë edhe shumë herë të tjera, njeriu që ka qëlluar mbi Hajdarin dhe Besim Çeren ka qenë Fatmir Haklaj dhe vetëm ai. Shofer me makinën me targa të Vlorës ka qenë Jaho Mulosmani, kjo makinë ka qenë me targa të rregullta dhe e dhënë për përdorim disa orësh nga pronari i lokalit Tarzani. Si mund të shkohet për të bërë “vrasjen e shekullit” me një makinë me targa të rregullta? Me pronar të ditur? E regjistruar në policinë e trafikut. Meqë paska qenë një vrasje kaq e organizuar me rreth 120 veta të rreshtuar në disa skalione sipas skizofrenit mashtrues, nuk kishin mundësi kaq vrasës të gjenin një makinë me targa fallco ose të vjedhur? Pse do rrinin rreth një orë në trotuarin e PD të pamaskuar e duke parë Azemin duke pirë kafe vetëm 15 metra larg tyre? Po ky Berishë që di çdo gjë, pse nuk tregoi asnjëherë se nga cila zyrë doli Azemi dhe shkoi tek makina e vdekjes? Pse fshehu telefonin e Azemit? Sa herë ka folur atë ditë të 12 shtatorit Sala me Azemin? Pse e thirri me urgjencë të vinte nga Lushnja në Tiranë? A kishte dijeni për praninë e Haklajve në Tiranë Berisha? Si ka mundësi që vetëm pas dhjetë minutash pasi u vra Hajdari, Berisha deklaroi emrin e njërit në makinë ashtu siç i thërritnin vetëm njerëzit e tij të afërt? Këto të sqarojë Berisha dhe jo të rrijë duke ndryshuar emrat e vrasësve sipas situatës dhe interesit të tij, për të mbuluar faktin e padiskutueshëm se Azem Hajdari para se të vritej ka dalë nga zyra e Berishës.

– Më lart më përmendët mbesën e Sali Berishës. Kush është kjo dhe cili është roli i saj në këtë histori?

– E theksova më sipër se makina benz me targa Vlorë ka ndenjur e parkuar për rreth një orë në trotuarin në krah të PD. Aty në anën tjetër të trotuarit ka qenë një kafe e një tropojani pesë metra distancë ku rrinin shumë tropojanë dhe një nga këto ishte edhe mbesa e Berishës, Shpresa Breçani. Shpresa pasi ka njohur kush ishte brenda në makinën me targa Vlorë, ka shkuar dy herë në zyrën e Berishës në katin e dytë. Përse? Këtë duhet ta sqarojë Berisha. Pse nuk e ka pyetur asnjë gazetar deri më sot se çfarë të tha mbesa jote kur erdhi në zyrën tuaj? A të tregoj për ata që ishin brenda në makinë? A është kjo arsyeja që ti thirre Azemin në zyrë dhe çfarë i the? Kjo është edhe arsyeja që Berisha nuk u paraqit kurrë në gjyqin për vrasjen e Hajdarit. Sepse ai ka frikë t’u përgjigjet këtyre pyetjeve e shumë të tjerave.

– Kush është ky nipi i Skënder Gjinushit dhe pse është folur kaq pak për të kur paska marr pjesë në një vrasje aq të rëndësishme?

 – Para ca kohësh doli në media që një qytetar me humor të hollë ishte tallur me Berishën duke i përmendur një emër fshati në Tepelenë të mbushur me drogë të Tahirit, por një njeri me mendje të kthjellët mund ta kuptonte fare lehtë që emri i atij fshati nuk ekzistonte, por një njeri, po quajmë të tillë Berishën, që i ka sytë e errësuar nga shpifjet, urrejtja, të skuqur nga gjaku i krimeve që ka bërë, pret edhe “xhevahire” të tilla. Nuk e di a ka nipa Skënder Gjinushi, nuk e di a ekziston një emër i tillë që kafsha e shpifjeve, Berisha ka pas renditur në denoncimin e autorëve të vrasjes së Hajdarit, që ka pas bërë në Ambasadën Amerikane. Në atë denoncim, kuptohet pas vrasjes së Fatmir Haklajt (meqë është trim Berisha) ka përmendur emrat e Fatmirit, Jahos, një I. Haxhiaj që nuk dihet cili nga vëllezërit jemi, sepse të gjithëve na fillon emri me I., dhe pas këtyre emrave ka futur mesa më kujtohet një emër, Adrian Këlliçi, që ky kafsha e shpifjeve e quan që është nipi i Gjinushit. Nuk e di a ekziston një emër i tillë e çfarë lidhje ka me Gjinushin apo vrasjen e Hajdarit, apo është si puna e emrit të fshatit Qivrym….(qesh)

– Mendoni se e vërteta për Azem Hajdarin nuk është zbardhur plotësisht?

 E vërteta për vrasjen e Hajdarit do të zbardhet kur në gjyqin e rihapur të tij do vijë të dëshmojë ai që e nxori në pritë, Sali Berisha. Vetë fakti që ky pritënxjerrës nuk ka pranuar të dëshmojë edhe pse mburret për vete se unë jam denoncuesi, e bën të domosdoshëm dëshminë e tij dhe ballafaqimin me mua “vrasësin” unë e kam guximin dhe dëshirën të ballafaqohem me të përpara një gjykate të krijuar pas procesit të Vettingut, me fakte e pa shpifje apo mashtrime si ato të tijat. I takon drejtësisë së reformuar e çliruar nga kthetrat e Berishës ta bëjë një ballafaqim të tillë. Unë jam i gatshëm.

– Kohët e fundit vajza e Azem Hajdarit është afruar me PD dhe po përflitet se mund të jetë dhe një kandidate për deputete në zgjedhjet e qershorit. Si e shikoni këtë afrim?

 – Klasa politike në Shqipëri është e konsumuar tej mase dhe e dështuar. Do ishte pozitive që partitë politike të afrojnë gjakun e ri dhe të bëjnë të mundur që këta të rinj të shkolluar në Perëndim, pa komplekse të kaluarës në bazë të një gare të ndershme e të barabartë të afroheshin në politikë e të konkurronin me idetë e tyre e njohuritë dhe jo në bazë të biografive si në diktaturë, ku u jepej përparësi fëmijëve të heronjve e dëshmorëve. Të paktën prindërit e atyre fëmijëve e kishin derdhur gjakun dhe flijuar për atdhe dhe lirinë e tij, pavarësisht se gjaku i tyre u keqpërdor dhe shit. Ndërsa afrimi i vajzës së Azemit është një propagandë dhe keqpërdorim që i bëhet asaj, ashtu siç u keqpërdor edhe vrasja e të atit nga ata që e nxorën në pritë. Si duket pas heqjes së vizës të së ëmës së saj dhe anulimit të lejes së qëndrimit në Amerikë të vetë vajzës së Azemit, ka ndërmarrë një hap të tillë. Karriera dhe paratë janë të garantuara duke patur parasysh karrierën e të ëmës, që nga shitëse metrazhesh u bë gjykatëse e lartë që bëri boll lekë sa edhe qeveria amerikane u “lodh” nga ecejaket e saj dhe shpenzimet e pafund sa vendosi t’i anulonte vizën. Se me thënë të vërtetën në fillimet e saj në Amerikë, vajza e Azemit ka vuajtur shumë dhe e ka ndier mungesën e të ëmës, sepse e pat çuar për një javë për t’u strehuar tek një familje nga Tropoja që jeton në Nju Jork, dhe vetëm pas shtatë muajsh është kujtuar të shkojë ta marrë, sepse në atë kohë nuk kishte bërë lekë akoma si gjyqtare…

– Berisha e konsideroi Azemin një nga miqtë e tij më të ngushtë në aspiratat për demokraci. Sa e vërtetë është kjo?

 – Vetëm miq që nuk kanë qenë Berisha me Hajdarin. Ata i ka bashkuar vetëm një gjë; antishqiptarizmi i tërbuar, pavarësisht retorikave të tyre si patriotë të “djegur”. Berisha që në fillimet e pluralizmit e përdori për t’u futur dhe uzurpuar lëvizjen studentore të dhjetorit, e përdori më vonë për të marrë kreun e PD në luftën e egër klanore e agjenturore në PD. Pasi e përdori dhe e poshtëroi duke e mashtruar për postin e ministrit të Brendshëm pas zgjedhjeve të 22 marsit, nuk u mjaftua me kaq, i hoqi imunitetin për një shpullë, e përgjonte në çdo hap me anë të SHIK-ut. Dhe nuk e priti asnjëherë në presidencë dhe Azemi sillej rreth mureve e kafeve përreth presidencës në pritje të një takimi me Berishën, por që nuk arriti asnjëherë, pavarësisht se Azemi rrinte duke i mashtruar njerëzit që i thërriste për kafe afër presidencës, duke u thënë se sapo dola nga takimi me marshallin. Nuk donte ta shihte me sy në fillim të trazirave në ‘97, por pas një sugjerimi të Mero Bazes dhe Ylli Rakipit dhe një kërkesës tonë që ruanim Berishën (sepse Azemi rrinte çdo ditë në atë pranverë të trazuar, duke marrë në telefonin e centralit të presidencës që thuajini Izetit të më marrë në grupin e tij si një ushtar të thjeshtë për të mbrojtur Berishën). Berisha e pranoi, por edhe kjo nënkuptonte përdorimin e Azemit si antiplumb i Berishës në mitingjet e trazuara e plot incidente. I premtoi pasi u arratis Belul Çela në fund të qershorit se do ta bënte qoftë edhe për një muaj ministër të Brendshëm, këtë premtim ia bëri në drekë, por në darkë dekretoi Ali Kazazin për ministër. E shumë poshtërime të tjera e mashtrime. Dhe e “mira” e fundit që i bëri Berisha Azemit në vazhdim të “bashkëpunimit” të tyre të “frytshëm” e nxori në pritën e vdekjes me dijeni të plotë se çfarë e priste Azemin, dhe e shpalli hero ku edhe në rrugën e fundit e përdori xhenazen e tij për të shqyer dyert e Kryeministrisë, dhe sot në mungesë të ndonjë arkivoli, po përdor çadrën edhe kësaj radhe me të futur, ndaj kllounit me emrin Basha.

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...