Prishtina zyrtare i jep leje, Vuçiç do vizitojë Kosovën

28 Mars 2017, 16:18Rajoni TEMA

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç pritet të udhëtojë të mërkurën drejt veriut të Kosovës, ku do të vizitojë kompleksin e Trepçës dhe do të takohet me minatorë e qytetarë të zonës, përpara se të mbajë një tubim elektoral në Leposaviç.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për ta lejuar këtë vizitë. Vetë ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj e pohoi një gjë të tillë gjatë konferencës për shtyp të mbajtur pas takimit me kreun e diplomacisë së Luksemburgut.

Vuçiç do të ketë mundësi të qëndrojë në Kosovë për tre orë. Ai pritet të ndalojë në komunat serbe edhe pse ende nuk ka informacion nëse zgjedhjet presidenciale të Serbisë, të planifikuara më 2 prill, do të mbahen edhe në Kosovë dhe në çfarë forme do të ndodhë kjo.

Misioni i OSBE-së ka marrë pjesë javët e fundit në një seri takimesh ku është diskutuar mundësia e zhvillimit të këtyre votimeve. Konsultimet kanë përfshirë figura të rëndësishme në Prishtinë e Beograd, por pavarësisht intensitetit të tyre nuk ka ende asnjë rezultat përfundimtar.

Zyrtarët e Listës Serbe, që përfaqëson komunitetin serb në institucionet e Kosovës, argumentojnë se dyshtetësia u jep të drejtën serbëve që të votojnë për zgjedhjet presidenciale të Serbisë.

Ndërkohë, Komisioni Zgjedhor në Beograd miratoi ditë më parë udhëzimin për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, ku parashikohet zhvillimi i tyre me mbështetjen e OSBE-së, e cila do të përkujdeset për transportin e materialit zgjedhor nga kalimi kufitar deri tek vendvotimet dhe anasjelltas.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje