Ish-kryehetuesi kundër Lubonjës: E vërteta e akuzave për lidhjet e Kadaresë me Sigurimin

29 Mars 2017, 09:37Dossier TEMA

Vetë Enver Hoxha do të urdhëronte arrestimin e Ismail Kadaresë dhe po vetë Enver Hoxha do të urdhëronte anulimin e tij.

Qemal Lame, ish-­kreu i Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë në vitet 1981-­1992, dëshmon disa fakte të panjohura në lidhje me ndjekjen e Ismail Kadaresë nga Sigurimi i Shtetit. Dhe jo vetëm kaq, por edhe për përgatitjen e dokumenteve procedurale për arrestimin e Ismail Kadaresë me akuzat e rënda për veprimtari armiqësore si bashkëpunëtor në komplotin e kryesuar nga Mehmet Shehu.

Lame tregon se pse diktatori u tërhoq nga urdhri i tij i mëparshëm. Po ashtu, ai në “Panorama” replikon edhe me Fatos Lubonjën mbi publikimin e dëshmisë së tij në hetuesi, ku mes të tjerave përmend edhe shkrimtarin, si një ndër të preferuarit e të atij, Todi Lubonja.

Problemet që imponuan udhëheqësin për anulimin e urdhrit të arrestimit e të dënimit nga gjykata. Arrestimi dhe dënimi penalisht nga gjykata i Ismail Kadaresë, nuk u arritën të realizohen për disa arsye madhore: Së pari, të ruajtjes së pushtetit absolut nga vetë Enver Hoxha, si dhe të trashëgimtarit të zgjedhur prej tij në fund të jetës, të bindurit Ramiz Alia; Së dyti, Enver Hoxha kishte dhënë kontributin e tij historik në Mbledhjen e Moskës. Kjo meritë do të ruhej, do të mbrohej dhe nuk do të lejohej të vihej në dyshim apo të zhvleftësohej.

Ky vlerësim është pranuar edhe ndërkombëtarisht, botuar në media, në librat politikë, enciklopeditë kudo në botë etj. Me librin e Ismail Kadaresë “Dimri i Madh” (Dimri i vetmisë së madhe), Enveri ruante dhe përjetësonte kontributin e tij. Po të dënohej Ismaili, atëherë edhe vepra madhore ku Enveri ishte subjekti real dhe i rëndësishëm historik do të goditej rëndë dhe do të inkurajonte reagimet e kundërta ndaj pushtetit autoritar. Duke vazhduar të qëndrojë deri në vdekje në krye të Partisë e të shtetit, Enver Hoxha nuk mund të pranonte që vetë të krijonte kushte që të dënohej vepra dhe figura e tij që idealizohej e propagandohej deri në hyjnizim, mbrohej me gjithë forcën e shtetit e të drejtësisë dhe kërkohej politikisht e ideologjikisht të përjetësohej idhulli i tij.

Këto dy arsye kryesore mbështeteshin e kushtëzoheshin edhe nga shkaqe të tjera objektiva shumë të rëndësishme. Pasojat e mundshme nga arrestimi dhe dënimi penalisht i Ismail Kadaresë u parashtruan me shumë kujdes në analizën e bërë për provat e administruara në hetuesi dhe zbatimin e rregullave procedurale.

Analiza iu dërgua personalisht Enver Hoxhës. Nën drejtimin e Enver Hoxhës u analizuan përfundimet e parashtruara. Ato u pranuan dhe u anulua urdhri për arrestimin e Ismail Kadaresë. Ky dokument i argumentuar ndikoi në frenimin e marrëzisë së zgjerimit të komploteve shtetërore.

– Enver Hoxha u imponua të anulojë urdhrin për arrestimin e Ismail Kadaresë, për shkak se nuk do të mbështetej dhe do të kishte reagime të fuqishme nga opinioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar;

– Arrestimi dhe akuzat ndaj Ismail Kadaresë si pjesëtar i grupit komplotist të kryesuar nga Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu etj., do të ishte një masë që do të demaskonte legjendën agjenturore të imponuar me anë të propagandës dhe dhunës politike të masave shtrënguese shtetërore për të ligjëruar arbitraritetin e hapur të tyre, fshehjes së të vërtetës për vrasjen e Mehmet Shehut dhe arrestimin e Kadri Hazbiut;

– Personat e akuzuar si komplotistë mund të dënoheshin për akuzat e njohura për krimet e kryera, por pa qenë e domosdoshme të fabrikoheshin dhe imponoheshin legjendat agjenturore të ideuara nga vetë Enver Hoxha dhe Ramiz Alia;

– Masat drastike të zbatuara në atë kohë ndaj grupit komplotist të kryesuar nga kryeministri, ministri i Brendshëm, ministri i Mbrojtjes, ministri i Jashtëm, ministri i Shëndetësisë etj., (pothuajse gjysma e anëtarëve të Qeverisë) nuk justifikoheshin me zgjerimin e mëtejshëm

të shtrirjes së legjendës së veprimtarisë armiqësore në letërsi, art, kulturë etj. Populli nuk e besoi dhe nuk e mbështeti propagandën partiake për komplotin, me gjithë presionin e madh ideologjik të ushtruar me fjalimet e Enver hoxhës nga Komiteti Qendror dhe kërcënimeve të hapura nga Sigurimi i Shtetit;

– Zgjerimi i mëtejshëm i komplotit armiqësor në fushat e tjera të veprimtarisë shtetërore e shoqërore do të vinte më në qendër të vëmendjes së opinionit shoqëror akuzat e njohura se autorët kryesorë të inskenimit dhe realizimit të ndjekjes agjenturore dhe dënimeve me vdekje të komplotistëve mbeteshin Enver Hoxha dhe Ramiz Alia. Masat penale ndaj Ismail Kadaresë do të ndeshnin në reagimin e menjëhershëm dhe të fuqishëm të bashkësisë ndërkombëtare, sidomos në shtetet e zhvilluara të demokracive perëndimore. Franca dihet se ka vlerësuar, mbështetur dhe mbrojtur vazhdimisht Ismail Kadarenë. Shqiptarët i detyrohen shumë Francës edhe në qëndrimin e prerë në mbrojtje të shkrimtarit tonë. Ngjarjet në Shqipëri janë ndjekur me vëmendje.

Në shtypin francez, gjerman, amerikan, anglez etj., janë bërë komente të shumta dhe të rrepta ku dënohej vrasja e kryeministrit në detyrë Mehmet Shehut, të njoftuar si vetëvrasje. Është dënuar me forcë edhe praktikë enveriste pas vrasjes së Mehmet Shehut, Plenumi i Komitetit Qendror për dënimin e Mehmet Shehut, Plenumi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku u dënua libri “Pallati i Ëndrrave”, fillimi i terrorit shtetëror ndaj atyre që vlerësoheshin si kundërshtarët më të

rrezikshëm të pushtetit në fuqi. Enver Hoxha u vu përpara presionit të fuqishëm të ardhur nga Franca. Presidenti Fransua Miterrand, me anë të një letre ka kërcënuar seriozisht se nëse do të arrestoni Ismail Kadarenë, do të ketë pasoja të rënda.

Opinioni publik francez kuptoi rrezikun që i kanosej shkrimtarit dhe u zhvilluan demonstrata para Ambasadës së Shqipërisë në Paris. Intelektualët francezë demonstruan për tri javë rresht para derës së ambasadës, duke mbajtur në dorë librat e Ismail Kadaresë dhe bënin thirrje për respektimin e lirisë së fjalës në Shqipëri. Akuzat dhe shpifjet e marrëzishme për bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit. Në mënyrë të papërgjegjshme jepet përfundimi se dokumentet që provojnë se Ismail Kadare ndiqej nga Sigurimi i Shtetit, nuk janë të vërteta. Librave të botuara nga autorë të njohur u është shtuar kohët e fundit edhe libri:

“Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave”. Me dokumente origjinale provohet edhe më shumë fakti se Ismaili ndiqej nga Sigurimi i Shtetit. Ka ndonjë kritik, si Fatos Lubonja, që pretendon se dokumentet nuk janë zgjedhur në mënyrë korrekte dhe nuk vërtetohet ndjekja nga Sigurimi i Shtetit. Për të argumentuar mendimin e tij, ai referohet dhe merr si shembull personazhin e zi i gijotinës së pushkatimit të diktaturës, zëvendësministri Zylyftar Ramizi etj. Në maj të vitit 1990, kur Shqipëria ishte akoma nën regjimin diktatorial komunist dhe Zylyftar Ramizi ishte shef i Sigurimit, në letrën që shkrimtari i drejton presidentit Ramiz Alia e

përcakton Zylyftar Ramizin si kriminel sadist, i urryer prej gjithë Shqipërisë.

E theksoj se është ende në fuqi regjimi komunist. Kurse akuza e Zylyftar Ramizit kundër Kadaresë bëhet kohë më pas, kur regjimi ka rënë dhe Zylyftar Ramizi me pranga në duar po dënohet me vdekje. Pra, shihet qartë se akuzat e tij nuk janë gjë tjetër veçse një histori banale revanshi. Që në atë kohë më lindi natyrshëm edhe dyshimi për hipotezën tjetër të vetëmbrojtjes së tij. Më ka shkuar mendja, ndonëse nuk jam i sigurt, se ky njeri po formulon akuza kundër

shkrimtarit ngaqë mendon se në sistemin e ri të porsa vendosur ka ende armiq të shkrimtarit dhe ai ende mund të ndihmonte për dënimin e tij. Koha po tregon se supozimi nuk është fare pa baza. Nuk ka asnjë dokument që të vërtetojë se Ismail Kadare ka qenë i rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit dhe se ka pasur pseudonimin “Gjenerali”. Në rast se do të mendohej dhe në rast se do të dyshohej se ekzistonte me të vërtetë ky fakt, me siguri do të ishin gjetur dokumentet, provat shkresore e shpjegime të personave kompetentë, si dhe do të ishte argumentuar ligjërisht kjo akuzë e rëndë.

Qenia ose mosqenia agjent, nuk do të thotë se në çdo rast dënohesh për këtë fakt. Edhe në shtetin e së drejtës, shërbimi i inteligjencës funksionon me bashkëpunëtorë. Ata që shërbejnë me ndërgjegje nderohen e respektohen edhe në anonimitet. Ata që vënë veten në shërbim të veprimtarisë subversive kundër shtetit dhe interesave të ligjshme të shtetasve dënohen me rreptësi. Në këtë rast, për Ismail Kadarenë nuk kemi asnjë nga këto shërbime. Edhe po të pranohej hipoteza e marrëzisë së papërgjegjshme, ajo nuk do të rëndonte aspak figurën dhe kontributin e shkrimtarit tonë të madh. Kritikëve të papërgjegjshëm u kujtojmë se nobelisti gjerman Günter Grass u akuzua me dokumente se kishte bashkëpunuar me nazistët dhe u

kërkua që t’i hiqej çmimi “Nobel”. Pasi u analizua kërkesa e bërë, komisioni pranoi provat që vërtetonin se ai kishte bashkëpunuar me nazistët. Por vetëm ky fakt nuk mund të ndryshonte vendimin e drejtë. Komisioni sqaroi me përgjegjësi

publikisht se nuk do t’ia hiqte çmimin e dhënë Günter Grass në bazë të meritave dhe kontributit të madh për letërsinë. Dihet se me urdhër të Ramiz Alisë, në kasafortat e oficerëve operativë dhe të drejtuesve në degët e punëve të brendshme e deri në qendër, në atë të ministrit, kartotekën e Sigurimit të Shtetit dhe në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në muajt dhjetor 1990 deri në mars 1991, nën drejtimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të zëvendësministrit

u bënë seleksionime, heqje të dokumenteve, si edhe dosje të përpunimit aktiv të personaliteteve të njohura.

Ato u dogjën, për të mos lënë gjurmë për ndjekjen agjenturore, shkeljet e rënda të Kushtetutës e të ligjeve. Në rast se do të kishin ekzistuar dokumente për Ismail Kadare si agjent, atëherë do të ishin gjetur ose do të bëhej referimi konkretisht në të dhëna të sakta.

Dokumentet vërtetojnë të kundërtën e pretendimeve të publikuara. Në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Arkivin e Komitetit Qendror të PPSH ka pasur dokumente që akuzonin Ismail Kadarenë si të dyshuar për veprimtari armiqë­ sore kundër shtetit.

Edhe për dyshimet që pretendohen e përsëriten padrejtësisht ekzistojnë mundësitë që nga institucionet dhe personat kompetentë të bëhen verifikime sqaruese: – Të kontrollohen e analizohen dokumentet në Arkivin e Shtetit, Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme,

Arkivin e Komitetit Qendror të PPSH etj; – Të studiohen e analizohen dosjet hetimore dhe agjenturore të grupeve komplotiste. Sqarime më të hollësishme mund të merren aktualisht edhe nga hetuesit dhe punëtorët operativë që kanë kryer ato veprime;

– Të pyeten drejtuesit dhe oficerët operativë, shefat e punonjëset e kartotekës dhe të sekretarive sekrete të drejtorive e degëve të Sigurimit të Shtetit, në Ministrinë e Punëve të Brendshme;

– Të pyeten punonjësit e sektorit të Organeve të Diktaturës në Komitetin Qendror të PPSH, të cilët kontrollonin Ministrinë e Punëve të Brendshme, Sigurimin e Shtetit, Policinë, Kufirin, Prokurorinë e Gjykatës, Ministrinë e Mbrojtjes dhe komandat e repartet ushtarake. Personat e paanshëm me njohuritë e nevojshme agjenturore, ushtarake operative, kanë aftësi të kërkojnë

dokumente e sqarime, të bëjnë verifikime, të krahasojnë, analizojnë e të nxjerrin përfundimet objektive.

Qëndrimet e drejta dhe të rrepta nga shkrimtari me qëllime të paramenduara nuk vlerësohen e interpretohet drejt. Ismail Kadare ka kontribuar në mbrojtjen e së vërtetës, ka kundërshtuar dhe ka reaguar me forcën e mendjes dhe demaskimin publik të veprimeve të paligjshme dhe dhunën e organizuar shtetërore të ushtruar me grupet komplotiste, si dhe qëndrimet arbitrare të fshehta e publike të Sigurimit të Shtetit. Nuk ka asnjë rast që mund të dyshohet se ai ka kritikuar apo kërkuar të ndëshkohet padrejtësisht ndonjë personalitet.

Lini një Përgjigje