Zyra Mobilizimi në gjithë vendin, Kodheli: Ushtarakët rezervistë, një Forcë në ndihmë të FA aktive

29 Mars 2017, 13:23Kronika TEMA

Në vijim të forcimit të nocionit të rezervistit, gjatë kësaj jave, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ka marrë pjesë në hapjen e Zyrave të Mobilizimit në Durrës, Berat dhe Lushnjë.

E shoqëruar nga deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe përfaqësues të pushtetit vendor, ministrja Kodheli njoftoi praninë me nga një zyrë në çdo qark, me besimin se ushtarakët rezervistë kanë qenë, janë dhe do të jenë, një forcë, një shtresë e shoqërisë e rëndësishme në ndihmë të Forcës aktive të Armatosur.

“Prezenca e tyre në raste emergjencash, në raste kërkim – shpëtimi, në rast nevoje për të pasur më shumë trupa në terren, është e domosdoshme dhe është e pazëvendësueshme. Eksperienca e tyre me profesione të veçanta, me dijet, me njohuritë që ata kanë dhe zanatet që kanë ushtruar brenda ushtrisë, është gjithashtu e pazëvendësueshme”,- theksoi Kodheli, e cila theksoi se ky kontribut do të shpërblehet nga Ministria e Mbrojtjes.

Ministrja Kodheli nuk la pa falënderuar Komandën Mbështetëse për punën e bërë në restaurimin dhe rregullimin e zyrave të oficerëve në rezervë, për ndërtimin në çdo skaj të urave, hapjen e rrugëve, thërrmimin dhe eliminimin e masivëve shkëmborë të rrezikshëm dhe çdo prezence tjetër që Komanda Mbështetëse me efektivët e saj kanë pasur në të gjitha rastet e emergjencave civile apo të kërkim – shpëtimit.

I pranishëm në hapjen e Zyrës së Mobilizimit në Kolonjë të Lushnjës, anëtari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë, Arben Çuko, e cilësoi si shumë të rëndësishme hapjen e kësaj zyre, e cila siç tha ai, do të shërbeje jo vetëm për t’i ardhur në ndihmë banorëve në rastet e emergjencave, por edhe për t’i dhënë një lloj rivitalizimi kësaj zone.

Zyra e Mobilizimit e hapur në Durrës, ndodhet pranë mjediseve të Komandës së Forcës Detare, ndërkohë që në Berat, do të jetë edhe një zyrë lidhëse ndërmjet Beratit, Poliçanit dhe Skraparit. Gjithashtu një zyrë tjetër është hapur në Kolonjë të Lushnjës.

Zyrat e Mobilizimit në të gjithë vendin do të administrohen nga rezervistët e Forcave tona të Armatosura.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje