Basha thotë se Evropa e mbështet për zgjedhjet, por PD censuron rezolutën e PPE-së

30 Mars 2017, 15:24Politika TEMA

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po merr pjesë në Kongresin e Partisë Popullore Europiane (PPE) në Maltë ku mbajti edhe një fjalë në seancën plenare.

Zyra e shtypit e PD-së thotë në një njoftim, se gjatë qëndrimit në Maltë, kryetari i opozitës ka zhvilluar takime me udhëheqës të partive simotra dhe drejtues të institucioneve europiane.

Sipas zyrës së shtypit të selisë blu, gjatë këtyre takimeve, Basha ka parashtruar “kërcënimin real të zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri prej krimit, drogës dhe parave të pista, si dhe ka kërkuar mbështetjen europiane për këtë betejë që po zhvillon opozita”.

Në njoftimin e zyrës së shtypit të PD-së përmenden një numër zyrtarësh të partive rë djathta që ka takuar Basha, por në asnjë rresht të sajin nuk përmend rezolutën e miratuar nga Partia Popullore Europiane.

Ky censurimi vjen për arsyen se çadra e opozitës mori një goditje pikërisht nga PPE që i kërkoi PD-së të hyjë në zgjedhje dhe në parlament

Partia Popullore Europiane aprovoi dhe një rezolutë emergjence për Ballkanin Perëndimor ku theksohej se “rezoluta inkurajon të gjitha forcat politike të marrin pjesë plotësisht në proceset demokratike dhe institucionet në vendet respektive të tyre në rajon dhe të fokusohen në reformat strukturore, për të cilat ekonomia e tyre ka nevojë urgjente”.

Për kushtet e Shqipërisë, pjesëmarrja e plotë në proceset demokratike dhe institucione është një referencë e qartë për Parlamentin dhe për zgjedhjet.

Por zyra e shtypit e PD-së nuk e përmendi fare këtë rezolutë. As dje dhe as sot.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje