Gjoka: Fati, në dorën tonë, Luftëtari i vështirë

30 Mars 2017, 15:03Sport TEMA

Kukësi është gati për spritin final të këtij sezoni. Ndërpërja e kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtares i ka shërbyer skuadrës verilindore për të rikarikuar bateritë dhe për të vazhduar me sukses rrugën e nisur, për objektivin final që është fitimi i titullit kampion. Nuk ka dyshime për këtë trajneri Ernest Gjoka.

“Mendoj se kjo ndërprerje na ka bërë mirë, kemi mbledhur forcat. Tashmë jemi më të qetë dhe mendoj se mund ta përballojmë me sukses pjesën e mbetur të kampionatit. Rrumbullaku është mungesa e vetme, grupi është i plotë”.

Kundërshtari i rradhës në kampionat për Kukësin është Luftëtari. Gjoka e vlerëson maksimalisht skuadrën gjirokastrite por ndaj bluzinjëve në Zeqir Ymeri verilindorët luajnë vetëm për 3 pikët.

“Luftëtari është një skuadër shumë e mirë, drejtohet nga një trajner i shkëlqyer që po i merr më të mirën grupit që ka në dispozicion dhe ne e dimë që na pret një ndeshje shumë e vështirë. Nuk do të jetë e lehtë por për të arritur objektivin që i kemi vendosur vetes na bën punë vetëm fitorja”.

Përballja direkte mes Partizanit dhe Skënderbeut është një bonus për Kukësin që këtë javë do të tentojë të rimarrë i vetëm kreun e Superiores. Edhe pse do ti pëlqente një barazim, Gjoka thekson se skuadra e tij e ka vetë në dorë fatin e saj.

“Mirë do ishte që të mos fitonte asnjëra, por që dua ta ritheksoj se ne e kemi vetë në dorë fatin tonë cfarëdo që të ndodhë në atë ndeshje. Si Partizani, ashtu edhe Skënderbeu janë dy rivalë shumë të fortë”.

Në fund të intervistës, trajneri kryeqytetas shkëputi një mendim edhe për debutimin e Albi Allës në kombëtaren shqiptare, duke shtuar se nëse paraqiten mirë me verilindorët të tjerë futbollistë të Kukësit mund të jenë pjesë e kuqezinjëve në të ardhmen.

“Ndihem krenar që Albi Alla debutoi në kombëtare, është meritë e tij pasi ka bërë paraqitje shumë të mira por edhe merita e të gjithë Kukësit që Albi u bë pjesë e kuqezinjëve. Nëse japin maksimumin dhe punojnë fortë të tjerë lojtarë të Kukësit mund të jenë pjesë e kombëtares në të ardhmen”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje