Juristi i OSHEE kallëzon penalisht Sali Berishën dhe 15 zyrtarë të tjerë për aferën e CEZ

Ish -kryeministri Sali Berisha kallëzohet penalisht nga juristi i OSHEE Romeo Kara për abuzimet në privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes tek CEZ.

Ish-kryeministri dhe 15 zyrtarë të tjerë, mes tyre dhe ministri Genc Ruli e zv/ministrat Alfred Rrushaj dhe Sherefedin Shehu, akuzohen për 5 vepra penale.

Konkretisht, ”mashtrim”, “shpërdorim detyre“, “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike “, ”shkelje të barazisë në tenderë apo ankande” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”.

Pas një hetimi 2-vjeçar për shkeljet gjatë privatizimit tek CEZ, subjekt i kallëzimit është dhe Nuel Kalaj, personi që komisioni hetimor parlamentar e cilësoi si sekserin e këtij privatizimi mes palës shqiptare dhe drejtuesve të lartë të CEZ.

Por pasi iu drejtua zyrave të Prokurorisë së Përgjithshme, ku dorëzohen kallëzimet për deputetet dhe zyrtarët e lartë, Romeo Kara nuk mundi të bëjë kallëzimin e tij verbalisht dhe të protokollonte provat voluminoze.

Kjo, për shkak të ndryshimit të procedurës pranë organit të akuzës.

Ndaj kallëzimi dhe dosja me provat u dorëzuan me postë.

Në kallëzimin penal që Report TV disponon, Kara liston të gjitha shkeljet që Berisha dhe të gjithë zyrtarët poshtë tij kanë kryer gjatë privatizimit deri në prishjen e kontratës.

Së pari, emailet e sekserit Kalaj, sipas juristit, faktojnë se negociatat e fshehta kanë nisur 5 vite para se OSSH të dilte në privatizim.

Ashtu si në rastin e privatizmit të dështuar të Albetrol nga Rezart Taçi, edhe CEZ nuk pagoi kurrë 10% e garancisë që duhet paguar në privatizime strategjike.

Por ndryshe nga Taçi, në rastin e CEZ shkelja nuk u bë kurrë publike.

Sipas kallëzimit, u negociuan kushtet e tenderit me VKM, pasi CEZ-u u shpall fitues.

U ndryshua niveli i borxhit të keq, si dhe kushte të tjera të paparashikuara në tender.

U zhvlerësuan në dëm të shtetit shqiptar asetet e OSSH.

Qeveria duhej të privatizonte shërbimin dhe jo asetet.

Legjislacioni i kohës në të cilin u krye privatizimi, ishte i pamjaftueshëm për këtë qëllim.

Një tjetër shkelje e rëndë sipas Karaj është dhe fakti që nuk gjendet asnjë protokoll i saktë dhe i plotë për këtë procedurë privatizimi.

Edhe komisioni hetimor i drejtuar nga Taulant Balla e gjente ish-kryeministrin fajtor për një seri veprash penale të kryera gjatë privatizimit, por deri më tani nuk ka ngritur padi në drejtim të tij.

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...