Komisionet e Vettingut, 84 kandidatë në garë. ONM: Po rishikojmë dosjet

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Në një konferencë për shtyp Avokati i Popullit, Igli Totozani  u shpreh se janë 84 kandidatë që kanë plotësuar kriteret për të qenë pjesë e komisioneve e të Vettingut si dhe 109 kandidatë të tjerë që nuk i kanë plotësuar kriteret.

“Listat e kandidatëve që i kanë plotësuar kriteret formale dhe të atyre kandidatëve që nuk i kanë plotësuar kriteret formale do t’i gjeni shumë shpejt në faqen tonë zyrtare: avokatipopullit.gov.al. Pas përfundimit të këtij procesi rezulton se numri i kandidatëve që kanë plotësuar kriteret formale ka shkuar në 84. Ndërsa 109 kandidatë aplikantë NUK i kanë përmbushur kriteret formale”, tha Totozani.

Pas kryerjes së procedurës nga ana e Avokatit të Popullit, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit bëri të ditur në një deklaratë për mediat se po punon për të rishikuar të gjitha dosjet e aplikantëve në mënyrë që Kuvendi të nisë punën me shqyrtimin e kandidaturave.

Deklarata e ONM-së

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) përshëndet përfundimin e aktiviteteve nga komisioni vlerësues në Zyrën e Avokatit të Popullit, në kuadrin e procesit për krijimin e institucioneve të vetingut. Gjatë ditëve të fundit, nën mbikëqyrjen nga afër të ekipit të vëzhguesve ndërkombëtarë të ONM-së komisioni i vlerësimit ka shqyrtuar dorëzimet e dokumenteve të certifikuara nga mbi njëqind aplikues.

Pa paragjykuar vlerësimin e fundit procedural nga vëzhguesit ndërkombëtarë, që aktualisht po përgatitet, bazuar në gjetjet fillestare, ONM-ja e lavdëron edhe një herë punën shumë të plotë, të saktë dhe profesionale të komisionit të vlerësimit pranë Zyrës së Avokatit të Popullit. Shqyrtimi i certifikatave të paraqitura nga kandidatët për të plotësuar dosjet e tyre të aplikimit është kryer me kujdes, në përputhje me funksionin shqyrtues që pasoi thirrjen e parë dhe bazuar në kriteret e parashikuara në kuadrin përkatës legjislativ. ONM-ja lavdëron gjithashtu gatishmërinë e Avokatit të Popullit, z. Igli Totozani, për të proceduar me publikimin në kohë të një liste të konsoliduar kandidatësh që plotësojnë kriteret e kualifikimit për postet e ndryshme në institucionet e vetingut.

Vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së do të procedojnë tani me shqyrtimin e tyre të pavarur të të gjithë dokumenteve të paraqitura. Pas përfundimit të këtij procesi, po të jetë nevoja, Avokatit të Popullit do t’i paraqitet një vlerësim i përditësuar dhe i arsyetuar, si dhe rekomandime për t’ia transmetuar në mënyrë konfidenciale Kuvendit të Shqipërisë.

ONM konfirmon se kanë vazhduar përgatitjet për ardhjen e vëzhguesve ndërkombëtarë afatgjatë që do t’u bashkëngjiten institucioneve të vetingut. Nisja e procesit të vetingut do të jetë me rëndësi historike për Shqipërinë. Qytetarët e vendit meritojnë një gjyqësor vërtet të pavarur, efikas, të përgjegjshëm dhe plotësisht profesional. Rivlerësimi i gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve është vendimtar për ta arritur këtë objektiv dhe do të nisë pa vonesa të mëtejshme. ONM-ja po punon me themel për të përfunduar rishikimin e gjithë dosjeve të aplikimeve të konsoliduara rishtas dhe për t’i mundësuar Kuvendit të fillojë shqyrtimin e kandidatëve.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *