Betohen ushtarët e rinj të Forcave të Armatosura, Kodheli: Certifikoheni si ushtarë të NATO-s

1 Prill 2017, 12:10Kronika TEMA

Në mjediset e Shkollës së Trupës në Bunavi u zhvillua ceremonia e betimit të rekrutëve që sapo përfunduan Kursin e Stërvitjes Individuale Bazë, si dhe u certifikuan ushtarët që përfunduan Kursin e Stërvitjes Individuale të Avancuar.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Dedë Prenga, komandantja e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes gjeneral brigade Manushaqe Shehu, komandantë forcash, drejtorë, si dhe familjarë e të afërm të rekrutëve.

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, në fjalën e saj u shpreh se ishte një kënaqësi krejt e veçantë të ishte e pranishme  në këtë ceremoni, si dhe foli për transparencën dhe meritokracinë gjatë këtij procesi.

“Para tre muajsh, falë rezultateve dhe meritave tuaja, u përzgjodhët për t’iu bashkuar Forcave tona të Armatosura. Për këtë proces nuk ka më emra të dalë nga fundi i listës në fillim të saj apo fitues anonimë që vijnë në Forcën e Armatosur të Republikës së Shqipërisë vetëm sa për të marrë rrogën. Ajo epokë ka mbaruar dhe tani secili prej nesh dhe secili prej jush merr atë që i takon, për t’u bërë anëtarë të denjë të Forcave të Armatosura”,- u shpreh Kodheli, e cila nuk la pa përmendur sfidat me të cilat ushtarët e rinj do të përballen.

“Është e dukshme që ju tashmë jeni transformuar nga qytetarë të devotshëm edhe në ushtarakë të aftë dhe me karakter, që dinë të orientohen në mjedisin sfidues ushtarak, i cili vërtet ka problemet e saj, sakrificën, devotshmërinë, por njëkohësisht vërtitet rreth misionit dhe detyrave të mirëpërcaktuara.

Ju tashmë certifikoheni jo vetëm si ushtarë të Forcave tona të Armatosura, por njëkohësisht dhe si ushtarë të Aleancës më të fuqishme ushtarake të globit, atë të NATO-s. Në të ardhmen, një pjesë e mirë e juaja do të kenë mundësinë për të shërbyer në angazhimet dhe operacionet e saj.”

Ministrja Kodheli u shpreh e kënaqur edhe për përzgjedhjen gjinore ku 5 vajza dhe 182 djem përfunduan me sukses Stërvitjen Individuale Bazë dhe 6 vajza dhe 128 djem në Stërvitjen Individuale të Avancuar. Ajo gjithashtu përmendi edhe kandidatët për nënoficerë të sapocertifikuar. “Po ashtu shumëllojshmëria dhe cilësia e grupit rritet edhe nga prezenca e 7 kadetëve, prej të cilëve 5 vajza, që sot certifikohen si kandidatë për oficerë”, theksoi ministrja e Mbrojtjes.

Në fund të fjalës së saj Kodheli përmendi edhe një herë punën dhe përkushtimin e kuadrove dhe gjithë efektivit jo vetëm për stërvitjen, por edhe për përmirësimin e kushteve të punës, stërvitjes, jetesës dhe pushimit, mjediseve sportive, ato stërvitore dhe i siguroi se mbështetja e saj personale apo e Ministrisë së Mbrojtjes do të jetë e vijueshme jo vetëm për këtë strukturë, por për të gjithë Forcat e Armatosura.

“Politikat mbështetëse të Qeverisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes për motivimin mbështetjen dhe përkujdesjen e personelit ushtarak dhe familjeve të tyre, krahas modernizimit të Forcave të Armatosura, intensifikimit të stërvitjes, pajisjes me teknikë dhe armatim të ri, dëshmon edhe një herë se kjo gjë që jemi duke bërë, është ajo e duhura.

Shtesat e pagave sipas gradave dhe funksioneve, është një tjetër risi që nga ky moment do të prekë xhepat e gjithkujt në Forcat e Armatosura. Kjo ka bërë sot që kërkesat për t’u bërë pjesëtarë të Forcave Tona të Armatosura të vijë gjithmonë e në rritje dhe cilësia e atyre që futen në këtë trupë, të jetë gjithmonë e më e mirë, gjithmonë e më e lartë”,vlerësoi Kodheli.

Komandanti i Shkollës së Trupës, kolonel Ilir Dauti, ia kushtoi ceremoninë ushtarëve të rinj të rreshtuar, të cilët siç tha ai “për 11 javë stërvitje në Bunavi demonstruan zellin, sakrificat, durimin dhe motivimin, bashkëpunimin e përkushtimin për të realizuar objektivat e programit të stërvitjes Bazë dhe asaj të Avancuar”.

Shkolla e Bunavisë që prej krijimit të saj në vitin 2003, ka trajnuar me programin e stërvitjes Bazë dhe të Avancuar, por edhe ka testuar dhe certifikuar, mbi 20 mijë ushtarë aktivë, kadetë,  nënoficerë dhe oficerë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje