Veliaj: Transformimi i qyteteve ka garanci vetëm Edi Ramën kryeministër; Oferta e “çadrës” shkatërrimi

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj  njëherësh dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste, i bëri thirrje të gjithë socialistëve që në zgjedhjet e 18 qershorin të mbështesin projektin e qeverisë së Edi Ramës për të vijuar transformimin e të gjithë Shqipërisë. Në fjalën e mbajtur në punimet e Asamblesë së Partisë Socialiste Veliaj kërkoi nga gjithë socialistët, por edhe qytetarët që të mbështesin alternativën e Partisë Socialiste në 18 qershor si e vetmja garanci për të vijuar projektet transformuese të qyteteve.

“Mos ushqeni iluzion se çdo qeveri do mbështeste çdo bashki, jo. Vetëm qeveria e Edi Ramës do projektin e transformimit të qyteteve tona. Sot në total në gjithë bashkitë e Shqipërisë janë mbi 500 projekte dhe mbi 450 milionë euro të investuara. Të pa imagjinueshme. Nga Tamara në Konispol Shqipëria po transformohet dhe shërbimet që qytetarët marrin përditë pranë bashkive kanë vetëm një garanci, garancinë e qeverisë dhe fitores së PS-së në datën 18 qershor dhe të Edi Ramës kryeministrit të fuqishëm të këtij vendi, që siç transformoi qytetin tonë, Tiranën, po transformon gjithë vendin”, theksoi Veliaj.

 Kryebashkiaku Veliaj  u shpreh se qytetarët e Tiranës nuk do të harrojnë projektet që nisën nga Edi Rama për transformimin e qytetit dhe shkatërrimin që pësoi kryeqyteti kur e djathta mori drejtimin e bashkisë.

“Ne në Tirane e mbajmë mend se çfarë ndodhi me sheshin “Skënderbej, u shkatërrua një projekt  i cili nisi nga Edi Rama dhe bashkia dhe u kthye në një lëndinë për Skënderbeun. Ne në tiranë e mbajmë mend se çfarë ndodhi me Zogun e Zi kur një investim gjigant i bashkisë që do të sistemonte trafikun në tiranë, u shkatërrua në mënyrë barbare sapo ata erdhën në pushtet. Ne në tiranë nuk harrojmë vjedhjen e zgjedhjeve në 2011 dhe mënyrën se si u pezullua jeta për të gjithë investimet publike. Vetëm qeveria e Edi Ramës do të vazhdojë projektin e transformimit të qyteteve tona”, tha Veliaj.

 Veliaj deklaroi se një vit e gjysmë më parë, Tirana ishte në gjumë. “ Di t’ju them se një vit e gjysmë më parë Tirana ishte në gjumë. E mbani mend spotin tonë pa asnjë fjalë, një kryetar bashkie që e kishte zënë zyrën, divanin për të gërhitur e tani gërhima vazhdon në çadër dhe gërhima e çadrës ofrohet si alternativë. Gërhima nuk është alternativë dhe tani që kemi zgjuar qytetet tona nga gjumi, ne nuk ndalemi më, ne nuk ndalemi më”, tha ai.

Ai shtoi se ndryshe nga Partia Socialiste alternativa tjetër, ajo e opozitës është ta kthejë dhe një herë Tiranën dhe gjithë Shqipërinë në shkatërrim. Ndaj, theksoi ai, vota e 18 qershorit merr një rëndësi shumë të madhe për drejtimin që duhet të ndjekë vendi. “Oferta e çadrës është që na jepni një shans që pasi shkatërruam bashkinë, të shkatërrojmë edhe një herë shtetin shqiptar për ta kthyer edhe një herë në borxhe. Nuk ka kthim mbrapa. Por sot nuk janë vetëm qendrat e qyteteve. Sot është krenari që të shkosh në fshat. Sot nuk diskutojmë më rrugët e Pezës, Ndroqit apo Kasharit, sot diskutojmë se si mund të urbanizohen edhe lagjet e fshatrave. Por mos ushqeni asnjë iluzion, të gjitha këto mund të ndërpriten në momentin që ne nuk kemi mbështetjen e fuqishme që kemi pasur nga Edi Rama, Partia Socialiste dhe qeveria jonë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se sot falë punës që është bërë dhe projekteve të realizuara, qytetarët mund të shihen në sy. “Di t’ju them sot në Tiranë, ne kemi arsye si kryetarë bashkish dhe si gjithë stafet e administratorët tanë bashkiakë t’i shohim njerëzit në sy. Sot kemi 35 çerdhe të reja në Tiranë, me 35 çerdhe mund të shohim në sy çdo familje, çdo nënë, prind e të themi, ishte më mirë në gjumë apo është më mirë në punë, Tirana jonë?! Sot kemi në Tiranë 27 kopshte. Sot e kemi shumë kollaj t’iu shtrëngojmë dorën kujtdo, ç’ rëndësi ka për cilën pari kanë votuar në të kaluarën por për t’ju thënë sot, me 27 kopshte të reja jemi më mirë në Tiranën e punës apo ishim më mirë kur Tirana flinte gjumë?! Sot kemi në proces 20 shkolla të reja”, tha Veliaj.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *