E PLOTE/ Zgjedhjet, më 18 qershor. Koalicioni ku jemi, opsioni ynë më i pëlqyer

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Edi Rama

 

Të dashur miq e shokë, e bëjmë sot të hapur këtë mbledhje të Asamblesë Kombëtare, për të qenë sëbashku, drejtues partie e koordinatorë elektoralë nga i gjithë vendi, në këtë moment kyç për Shqipërinë. Sot nis pjesa e fundit e rrugëtimit tonë të derikëtushëm. 1294 ditë për të bërë shtet dhe njëkohësisht nis pjesa e parë e rrugëtimit tonë të mëtejshëm, 1538 ditë të tjera për të vazhduar të bëjmë shtet.

Janë 75 ditë për të mbyllur kapitullin e parë, mandatin për të hapur rrugën e një Rilindjeje Shqiptare dhe për të filluar të dytin, me një mandat të ri popullor për Shqipërinë që duam, me shtet, punësim, mirëqenie.

Për Shqipërinë që duam, është arsyeja pse Partia Socialiste ekziston, pse ne jemi socialistë dhe progresistë shqiptare, pse ne jemi mbledhur edhe këtu, sot dhe pse për 75 ditë e 75 netë, mes kësaj të diele dhe të dielës së 18 qershorit, ne do shkojmë lagje më lagje, fshat më fshat, rrugë më rrugë e shtëpi më shtëpi. Do shkojmë në çdo fabrikë, në çdo fermë, në çdo biznes të vogël, nga Tropoja në Konispol. Do trokasim butësisht në derën e çdo familjeje shqiptare e do t’i flasim drejtpërdrejtë, çdo zemre që rreh për Shqipërinë që duam. Do t’u tregojmë shqiptarëve pa zbukurime, pa dorashka, pa ndërmjetës, historinë e përpjekjes sonë për të ardhur deri këtu, krenarë për arritjet tona, të përulur për të metat tona, kokulur për gabimet tona.

Do t’i dëgjojmë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, pa u ngutur të justifikohemi për çka nuk kemi bërë dot; Pa i bërë bisht ballafaqimit me plagët ende të hapura të Shqipërisë sonë, apo me hallet ende të shumta të bashkëqytetarëve tanë; Pa u lodhur së shpjeguari se çdo hap, në çdo hap të këtij fillimi të ri vendoset pikërisht në 75 ditë e 75 netë jo kush do qeverisë të sotmen, por si do jetë Shqipëria që duam nesër.

Do kërkojmë çdo votë për të bërë shtet. Do luftojmë për çdo votë, për të rritur më shumë ekonominë dhe punësimin. Do mbrojmë çdo votë, për të shtruar më tutje rrugën e mirëqenies dhe do të kërkojmë me vendosmëri e me përulësi një mandat të ri për Shqipërinë që duam nesër.

Do mbrojmë çdo votë, thashë dhe dikush mund të thotë “po nga kush do t’i mbrojmë ne votat tona?”

Mos kini merak, nuk po ankohem se mund të na i vjedhin zgjedhjet, siç bënë në vitin 2009, apo në Tiranë në vitin 2011. Koha e vjedhjes së zgjedhjeve në Shqipëria ka marrë fund. Ne erdhën në qeveri  nga rruga e betejës për lirinë e zgjedhjeve dhe kurrë nuk do t’i biem ndesh zgjedhjeve të lira. Ata që ankohen se do t’ua vjedhin votat në 18 qershor janë po ata që i vidhnin zgjedhjet dikur. Të shkretët ata, akoma nuk e kanë kuptuar pse kanë ikur nga pushteti 4 vjet më parë, prandaj u duket sikur pushtetin ua kemi borxh t’ua çojmë si pizza “Katër stinët” në çadrën e vetmisë së madhe dhe vënë kujën përditë, pse nuk po u shkon pizza. Nuk ka pizza për ta, nga ne. Për ta, nga ne ka vetëm një ftesë: Dilni nga çadra, të ballafaqohemi me popullin! Ose prisni picën në çadër, sepse populli ndërkohë nuk pret dhe në 18 qershor do të bëjë zgjedhjen e tij.

E drejt 18 qershorit, ne do t’i mbrojmë votat për Shqipërinë që duam, nga indiferenca e atyre që thonë “s’dua të votoj, asgjë nuk ndryshon, të gjithë janë njësoj, politika është djalli vetë”. Do i shohim  në sy, do i dëgjojmë me respekt dhe do u themi:

Jo, nuk janë të gjithë njësoj dhe nuk është e vërtetë se asgjë nuk ndryshon.

Vallë jemi njësoj ne, që prej 1294 ditësh luftojmë me pasion, sëbashku, për të rilindur Shqipërinë dhe ata që e rrënuan Shqipërinë, duke luftuar me zell, për vite e vite të tëra, vetëm për vete?!

Vallë jemi njësoj, ne që vendosëm taksimin e ndershëm me parimin kush fiton më shumë, paguan më  shumë, kush fiton më pak, paguan më pak, duke ulur taksat për 97% të shqiptarëve dhe ata që sunduan me parimin merrja të dobëtit e jepja të fortit, duke i mbytur mësuesit, infermierët, policët, punonjësit e këtij shteti me lakun e taksës së sheshtë?! Duke i mbytur ata, të cilët mbijetojnë të vetëpunësuar, me një rrogë në privat, me litarin e taksës së sheshtë?!

Apo jemi vallë njësoj, ne që duam të zbatojmë reformën në drejtësi dhe të shporrim nga pallati i drejtësisë shqiptare kastën e korruptuar të gjykatësve dhe prokurorëve dhe ata që duan ta lënë ende popullin peng në duart e vrasësve me pagesë të drejtësisë?!

Jo, nuk jemi të gjithë njësoj dhe gjërat nuk janë njësoj siç kanë qënë!

Shumë është bërë, mbetet ende shumë për t’u bërë, por ka dhe shumë për të humbur, nëse indiferenca ndaj fatit të Shqipërisë që duam, triumfon mbi ambicien për Shqipërinë që duam.

Nëse je një vajzë a një djalë i ri, që voton për herë të parë, ti duhet ta  dish se sot ke më shumë mundësi se ata që në moshën tënde, katër vjet më parë kishin nevojë për një lidhje gjaku, për një teser partie, për  një tufë lekësh që të merrnin degën që donin në universitet. E ajo që merrnin në fund, qoftë me lekë, qoftë me fis, qoftë me parti, ishte një diplomë pa vlerë nga një sistem arsimor i degjeneruar në çdo aspekt.

Nëse je një mësuese dhe mendon se asgjë nuk mund të ndryshojë, sepse ato që janë arritur për ty në këto katër vjet nuk zhbëhen më, vërtet kujton se nuk kthehet prapë dhuna militanteske që të shikon partinë, jo aftësinë; xhepin, jo meritën; mbiemrin, jo diplomën? Kujton vërtet se nuk sikterisesh dot prapë, njësoj si para katër vitesh, që t’i hapësh vendin një tesere, një xhepi, një mbiemri? Apo kujton vërtet se nuk kthehet prapë llumi i korrupsionit dhe i barbarisë së qindra teksteve rrënuese për rrugën e dijes së fëmijëve të këtij vendi? Apo të gënjen mendja se ke hyrë në arsim  nga portali i konkurrencës dhe i meritës dhe nuk të kthejnë prapë dot, tek ajo radha e gjatë, torturuese, përjashta, ku deri para katër vitesh prisje kot, me vite e vite, të vlerësoheshe nga sa di, jo nga partia që ke?

Gabon!

Gabon zyshe, prandaj ktheje pak kokën pas dhe shiko sa shumë kemi bërë, sa shumë mbetet për të bërë dhe që askush tjetër, përveç nesh, nuk e bën dot dhe sa shumë ka vërtet për të humbur për ty,  për familjen tënde, për nxënësit e tu, për Shqipërinë që duam.

Do t’i mbrojmë votat për Shqipërinë që duam nga pakënaqësia e kujtdo që me të drejtë ndihet i pavendosur në këtë rrugëtim 75 ditor drejt kutisë së votimit, sepse si prind ka votuar katër vjet më parë për ne, për Partinë Socialiste, por prapë se prapë është pa punë; Apo nuk e ka ende të legalizuar shtëpinë, edhe pse ka votuar për ne; Apo shkolla ku çon fëmijën është po ajo, e parindërtuar, megjithëse me votën e tij ka pritur rindërtimin e shkollës prej nesh; Apo ende nuk ka shpëtuar nga ankthi i fundit të muajit, paçka se ka votuar për të larguar qeverinë e vjetër që e la me vite të tëra në atë ankth; Apo ende nuk ia del të mbajë djalin e vajzën në universitet, sepse të ardhurat i ka ende të pamjaftueshme; Apo jeton me tokën dhe ende nuk e ka marrë certifikatën e pronësisë, megjithëse na votoi që t’ua japim; Apo ende nuk e ka një pikë grumbullimi pranë për prodhimet e tij, edhe pse e priste nga ne, pasi na votoi.

Prandaj, për të gjitha këto e për të tjera si këto ka sot në Shqipëri, kudo, prindër të mërzitur, të lodhur, të zhgënjyer nga pritja. Ne do dëgjojmë me respekt çdo baba e çdo nënë ndër ta, duke i mirëkuptuar për mërzinë, për lodhjen, edhe për zhgënjimin dhe do t’i themi, ne duam që bashkë me ty, edhe falë votës tënde të luftojmë më tej, pasi shumë është bërë, por shumë akoma mbetet për t’u bërë.

Duam të luftojmë me ty, edhe më shumë sesa kemi luftuar këto katër vite dhe duam të jemi edhe më të shumtë, sëbashku, sesa ishim katër vjet më parë. Për Shqipërinë që duam, të luftojmë bashkë me ty, që edhe ti të punësohesh me dinjitet, siç janë punësuar 210 mijë në këto 1294 ditë, të dalë nga skllavëria e punës së zezë, apo të përfshirë në vendet e reja të punës, në një betejë të vështirë, por të përditshme për punësimin real.

Të luftojmë që të ardhurat e tua dhe rrogat të rriten dhe më shumë, pasi u rritën vetëm vitin e fundit më shumë sesa në tetë vjet të qeverisë së shkuar, të marra sëbashku. Por jo vetëm për ata që punojnë në shërbim të shtetit, por dhe për ata që punojnë në privat dhe meritojnë një rrogë më të mirë.

Të luftojmë që fuqia jote blerëse të rritet edhe më shumë, siç u rrit për shumëkënd në këto vite reformash ekonomike e taksave. Të luftojmë që, nëse ky katër vjeçar qeverisës është me shifra më i suksesshmi në shifrat e punësimit, krahasuar me gjithë katërvjeçarët e shkuar të 25 viteve të fundit, katërvjeçari tjetër qeverisës të jetë shumë më i suksesshëm se ky.

Të luftojmë që në Shqipëri të mos ketë më shtëpi të palegalizuara. Nëse 130 mijë shtëpi të legalizuara janë shumëfish më shumë se 21 mijë gjithsej, kryesisht biznese, në tetë  vitet e qeverisë së shkuar, shumë më shumë se kaq do të jenë gjatë mandatit tjetër, ku nuk do mbetet asnjë familje e vetme pa legalizuar falas shtëpinë e vet. Po ashtu, ku nuk do të mbetet asnjë familje e vetme në fshat pa certifikatën e vet të pronësisë mbi tokën e bukës; Asnjë familje në pamundësinë e arsimit të detyruar për fëmijët; Asnjë fëmije pa shkollën e rindërtuar dhe pa një mundësi për arsim profesional, nëse nuk hyn në universitet.

Do t’i mbrojmë votat për Shqipërinë që duam nga vetëkënaqësia, nga “gërr-vërret” demotivuese brenda nesh. Nga arroganca e të ndjerit më të fortët, ose e thënë thjesht, nga ideja tmerrësisht e gabuar se e kemi fitoren në xhep. Nëse PD e ka humbjen në xhep, ne fitoren tonë nuk e kemi në xhep. Sepse hyn apo nuk hyn PD në zgjedhje, për ne, këto zgjedhje nuk kanë qenë dje, nuk janë sot dhe nuk do jenë në 18 qershor, një betejë me një parti pa lider, pa skuadër, pa program, që nuk ka asgjë për t’i ofruar Shqipërisë, përveçse klithmat e frikës së vet. Për ne është fare e qartë sot, se këto zgjedhje nuk përcaktojnë thjesht kush do ta qeverisë Shqipërinë për katër vite të tjera, por si do jetë Shqipëria e gjeneratës tjetër.

Këto zgjedhje duhet dhe do të jenë më të mirat, më të lirat, më të ndershmet që janë zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. Me ose pa PD-në, sepse këto zgjedhje zhvillohen nën një qeveri socialiste progresiste dhe socialistët e progresistët nuk kanë qenë kurrë shkaku, por vetëm viktimat  e zgjedhjeve të vjedhura dhe e vullnetit të popullit të deformuar.

Këto zgjedhje duhet dhe do të jenë zgjedhjet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, socialistë apo demokratë të zakonshëm që duan shtet, duan punë, duan mirëqenie në një Shqipëri të drejtë, ku gjykatësit e prokurorët të jenë më në fund, shërbëtorët e njeriut të zakonshëm, jo armiku numër një i tij.

Këto zgjedhje duhet dhe do të jenë zgjedhjet e njerëzve të zakonshëm. Vota e tyre do të jetë më e paprekshme, sepse ne do ta mbrojmë atë, duke bërë që Kushtetuta dhe ligji i zgjedhjeve të respektohen si asnjëherë më parë.

Këto zgjedhje janë për ne një votë për Shqipërinë që duam dhe jo për të kthyer mbrapa Shqipërinë. Një votë për të vazhduar edhe më fort, përpjekjet për të bërë shtet me rregulla, me fatura, me kontribute, sipas ligjit që është një për të gjithë dhe jo për t’u rikthyer tek rrëmuja dhe rrumpalla pa shtet, ku ligjin e bën pushteti dhe ryshfeti.

E po ashtu, nevoja jetike për të zbatuar në frymë e në germë reformën në drejtësi, një orë e më parë dhe për t’i çliruar sa më shpejt shqiptarët nga zgjedha e pushtetit të  korruptuar gjyqësor, është një arsye shumë e fortë për të kërkuar në 18 qershor, një mandat popullor sa më të plotë për Partinë Socialistë të Shqipërisë.

Ne kemi qeverisur me një sens të së drejtës. Jemi përpjekur të jemi sa më të drejtë me të gjithë. Jemi munduar ta përcjellim frymën e drejtësisë, përmes reformave tona dhe përmes zbatimit të ligjit dhe të rregullave, njësoj për të gjithë, sepse kemi ardhur në qeveri me bindjen se luftën për drejtësi duhet ta nisim duke përmbysur sensin e padrejtësisë së  qeverisjes. Por sot, edhe peshqit e liqenit artificial e kanë marrë vesh tanimë se drejtësi, në plot kuptimin e fjalës, me gjykatës e me prokurorë të korruptuar nuk ka. Nuk ka drejtësi kur prokurori bën kasapin dhe gjykatësi, shitësin  e mishit. Nuk do ketë drejtësi deri kur t’i kemi nxjerrë jashtë pallatit të drejtësisë, përmes Vetting-ut, kasapët dhe shitësit e drejtësisë.

Nuk do ketë as forcë dhe as shantazh që do të na zmbrapsë në luftën tonë të pastër dhe të vendosur, për ta çliruar këtë popull nga zinxhirët e drejtësisë së korruptuar, një herë e mirë, një herë e përgjithmonë!

Ne nuk i ndahemi Vetting-ut, sepse fati i gjithë përpjekjes sonë për të bërë shtet lidhet me Vetting-un.

Nuk ka shtet pa drejtësi, nuk ka drejtësi pa Vetting-un.

Nuk duhet të mendohesh shumë, për të kuptuar se zgjedhësi shqiptar më 18 qershor do të marrë një vendim me pasoja afatgjata për Shqipërinë. Populli shqiptar do duhet të vendosë, nëse duhet ta marrë në dorë drejtësinë dhe nëse do t’i gëzojë frytet në vazhdimin e rrugës së reformave që bëjnë shtet, apo nëse do të lëngojë për vite të tëra në batakun e padrejtësisë dhe të rrëmujës pa shtet.

Pikërisht sepse kemi marrë me vizion dhe kurajë reforma të domosdoshme, që për 25 vjet me radhë askush nuk guxoi t’i ndërmerrte, duke ia lënë si “patate e nxehtë” qeverisë së radhës dhe e kemi bërë këtë falë një aleance që ka pasur mbi 84 votat e nevojshme;

Pikërisht sepse këto reforma, që janë baza për të bërë shtet dhe që do të ishin të pamundura me një shumicë të thjeshtë, janë shumë më  të rëndësishme sesa gjithë dallimet dhe mosdakortësitë  mes nesh dhe aleatëve tanë në koalicion;

Pikërisht sepse vizioni, interesi strategjik i Partisë Socialiste në këtë moment kyç për Shqipërinë që duam, imponon thellimin e mëtejshëm të reformave për të konsoliduar shtetin dhe fuqizuar ekonominë, për ta bërë Shqipërinë europiane realitet në jetën e përditshme të shqiptarëve, nga Tropoja në Konispol;

Ne as e kemi diskutuar, as e diskutojmë dhe as do ta diskutojmë deri në çastin e fundit, koalicionin ku jemi, si opsionin tonë më të pëlqyer.

Partneritetin me LSI-në, ka ndër ne që e përjetojnë si një martesë të ezauruar, ka të tjerë ndër ne që e përjetojnë si një bashkëjetesë rraskapitëse, ka të tjerë akoma që e përjetojnë si një mëkat ndaj familjes sonë politike. Arsyet e këtyre përjetimeve janë nga më të ndryshmet. Herë janë të drejta, herë janë të padrejta, herë janë të justifikuara, herë  janë të pajustifikuara, herë janë të ekzagjeruara, herë janë të sajuara. Jashtë nesh i bien më shkurt, e quajnë një marrëveshje për pushtet dhe e ngjyrosin sipas studios apo portalit, nga grija e qeshur, deri në të zezën katran.

Por, sa për mua, cilësia e këtij partneriteti në funksion të interesave të vendit nuk matet me gjërat që  nuk shkojnë në bashkëqeverisjen e sotme, nuk matet as me sasinë e helmit që hera-herës, më shumë kohët e fundit, hedhin partnerët tanë të vegjël në ujin e bashkëqeverisjes, por matet me sa shumë reforma reale kemi kaluar se bashku, për të bërë shtet për Shqipërinë që duam.

Matet me sa shumë progres tregojnë faktet dhe shifrat e çdo sektori gjatë kësaj bashkëqeverisje, jo me sa rrallë flet, sa pak flet dhe kur flet LSI për ato që janë arritur dhe me sa qejf i thumbon ministrat tanë më të suksesshëm.

Matet me faktin kuptimplotë se nga fillimi i kësaj historie bashkëqeverisje e deri tani figurojnë 210 mijë njerëz më shumë në punë, në sektorin jobujqësor, të dalë nga skllavëria në të zezë, apo të hyrë rishtas në punë. E nuk matet me sa shumë mungojnë ministrat e LSI-së në parlament, ndërkohë që duhet të ishin në punë.

Matet me të vërteten se sot, falë reformës së Arsimit të Lartë që e diskutuam së bashku, e miratuam së bashku, jemi jo tre vite, por tre vite dritë larg kohës kur arsimi i lartë ishte një shkretëtirë dijeje, e mbushur me piramida diplomash pa vlerë dhe nuk mund të matet me sa të tepërta janë sot, sulmet e disa përfaqësuesve të LSI ndaj reformës, si kofini para të vjelave elektorale.

Matet me volumin e jashtëzakonshëm të punës që kemi bërë së bashku në qeveri dhe me kompaktësinë e madhe që kemi pasur me çeljen e dritës jeshile në parlament për çdo reformë të vështirë dhe për çdo ligj delikat në rrugën tonë për të bërë shtet dhe kurrsesi nuk mund të matet me volumin e fjalëve, thashethemeve, diversioneve dhe reaksioneve të korridoreve, lokaleve dhe portaleve të një katundi politik  dhe mediatik me 800 banorë, që kujtojnë se bëjnë ditën e natën mbi qeveri, mbi Shqipëri, mbi popullsi.

Shqipëria që ne kemi në zemër dhe beteja jonë për Shqipërinë që duam, as nuk lidhet, as nuk varet nga humoret, nga kërkesat, nga orekset apo nga kanalet e parasë së zezë në atë katund të vogël mediatik, por lidhet dhe varet vetëm me përmasën e dashurisë, të pasionit dhe të vullnetit tonë për atdheun e fëmijëve tanë.

Ja pra, të dashur miq, motra dhe vëllezër, nëse e matim si duhet dhe si na takon neve ta matim, – jo se unë jam më i gjatë, por se PS është më e madhe, – nga lartësia ku duhet të mbërrijmë në katër vitet e ardhshme për Shqipërinë që duam, nuk ka asnjë diskutim, për ne, vlera dhe rëndësia strategjike e partneritetit tonë me LSI.

Ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë. Ne nuk jemi thjesht partia më e madhe shqiptare , por partia me aftësinë më të madhe programore, partia me kapacitetin më të madh qeverisës, partia me historinë më të lavdërueshme në përpjekjen për të bërë shtet, sa herë ka ardhur në pushtet, duke mbledhur në rrënoja, thërrimet e shtetit që la pushteti i atyre që janë mbledhur në çadër.

Por të gjithë këto shkojnë bashkë me peshën më të madhe të përgjegjësisë për fatet e vendit. Për vetë fazën ku janë reformat dhe ku është procesi historik i të bërit shtet, nuk do të ishte më e mira për Shqipërinë që duam, që partneriteti ynë qeverisës të ndërpritej; pavarësisht se ne do të shkojmë në këto zgjedhje më te vendosur se asnjëherë, për të marrë çdo votë të mundshme për Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Por, duke qënë se pala jonë është e qartë, i takon palës tjetër të këtij partneriteti, LSI-së, që të vendosë në ditët në vijim pozicionin e saj për katër vitet e ardhshme. Ndërkohë, ne po diskutojmë me aleatët e tjerë të katër viteve më parë, apo të dy viteve më parë, për 18 qershorin dhe nuk po diskutojmë dhe nuk do të diskutojmë thellësinë e mëtejshme të reformave, sepse këto reforma  mund t’i bëjë vetëm Partia Socialiste, sepse Shqipërinë mund ta bëjë shtet vetëm Partia Socialiste, sepse qeverinë mund ta vërë në shërbim të shqiptareve vetëm Partia Socialiste.

E patjetër që ne jemi të nderuar që kemi dhe aleatë, por çdo aleat duhet të jetë krenar dhe i nderuar që të jetë me ne, në këtë betejë për të bërë shtet. Jashtë rrugës së kësaj beteje nuk ka krenari, nuk ka nder për asnjë parti. Nderi dhe krenaria janë këtu, në këtë rrugë, nën udhëheqjen e Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Të dashur anëtarë të Asamblesë Kombëtare dhe shumë të dashur të ftuar!

Siç do vazhdojmë të luftojmë për drejtësinë, do vazhdojmë të luftojmë për vende pune të reja. Në katër vitet e fundit kemi bërë shumë për të mbajtur zotimin tonë për të krijuar vende të reja pune, por nuk mjafton dhe nuk na mjafton për Shqipërinë që duam. Konsolidimi i rritjes ekonomike nga zero presje diçka në vitin 213, në 3.5% në vitin 2016 është vërtetë shumë, por nuk na mjafton për Shqipërinë që duam. Ne duam një rritje ekonomike që të mos jetë vetëm e kapshme në letër, apo e ndjeshme në stabilitetin e financave të vendit, por duam një rritje ekonomike që në katër vitet e ardhshme të çojë më shumë në tryezën e çdo familjeje në qytet apo në fshat, në veri apo në jug, në Tiranë apo në periferi.

Gjatë viti të fundit, investimet e huaja arritën shumën 1 miliardë eurove, duke e renditur Shqipërinë të dytën në rajon përsa i përket investimeve të huaja. Por nuk mjafton për Shqipërinë që duam. Ne duam më shumë investime të huaja, prandaj duam sa më shpejt të fshijmë nga rruga jonë gjykatësit  e prokurorët e korruptuar, që janë pengesa më e madhe për investitorët e huaj.

Buxheti i vitit 2017 përfshin rritjen më të madhe të pagave në sektorin publik, si dhe një rritje pensionesh. Plot 100 milionë dollarë nga arka e shtetit në arkën e ekonomisë familjare. Në tetë vjet, qeveria e atyre, që sot e duan pushtetin si një picë në çadër, dha vetëm 124 milionë dollarë.

Mësuesit dhe profesorët përfituan që nga marsi, një rritje prej 10%, mjekët një rritje prej 13%, infermierët një rritje prej 15%, punonjësit e policisë një rritje prej 10%, ndërkohë që rritja e pagës për ta, vetëm dy vite më parë ishte 25%. Punonjësit, të cilët marrin një pagë minimale, sanitarë, shoferë dhe të njerëzit më të thjeshtë e shtresa më e varfër e këtij vendi kanë një rritje prej 36%.

Por e gjitha kjo nuk është mjaftueshme për Shqipërinë që duam, për Shqipërinë me shtet, për Shqipërinë me mirëqenie. Beteja për të fituar vende të reja pune nuk mjafton. Ne do të bëjmë një betejë të paepur për vende pune të paguara më mirë edhe në sektorin privat dhe do të vazhdojmë me edhe më shumë këmbëngulje, me edhe më shumë eksperiencë të provojmë se për shqiptarët e zakonshëm, qofshin socialistë, qofshin demokratë, ka më shumë arsye që të zihen se kë parti duan më shumë, por nuk ka asnjë arsye për të vendosur se kush është paria që i duhet Shqipërisë më shumë në drejtimin e këtij vendi dhe ka vetëm një emër: Partia Socialiste e Shqipërisë!

Pikërisht pse quhet Partia Socialiste e Shqipërisë, kjo parti nuk  mund të jetojë në mëngjes me kënaqësinë e atyre që u bënë dje në darkë, apo pardje gjatë ditës, apo para një muaji, por jeton me atë që duhet bërë gjatë ditës së re që sapo ka filluar, sepse ka ende shumë të rinj, të cilët janë të papunë, ka ende shumë familje, të cilat luftojnë përditë për të mbijetuar, ka ende shumë vajza e djem, që nuk kanë ende asnjë zanat dhe nuk arrijnë dot të hyjnë në punë, sepse iu ka mbetur dopio gjashta e diplomës së Kristalit, vitrinave, pasqyrave, xhamave e çadrave.

Prandaj, nëse do të më pyesnit se cili do të ishte një premtim i vetëm në këtë rrugëtim  75 ditor, do t’u thosha se premtimi solemn i Partisë Socialiste është: Të vazhdojmë betejën për të krijuar vende të reja pune, me të njëjtin pasion atdhetar e politik që do të vazhdojmë betejën për drejtësinë.

Drejtësi dhe punë, punë dhe drejtësi për Shqipërinë që duam! Sepse përndryshe nuk e mbajmë dot mbi supe emrin e madh të Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Në mbyllje dua t’ju them të gjithëve, motra e vëllezër që jeni këtu dhe të gjithë drejtuesve dhe koordinatorëve të Partisë Socialiste, kudo ku janë pranë çdo bashkie, pranë çdo njësie administrative, pranë çdo qendre votimi, 75 ditë për të mos parë majtas, djathtas, mbrapa, por për të parë vetëm përpara. 75 ditë dhe 75 net për të hedhur çdo minutë një hap drejt zemrave dhe mendjeve të njerëzve, pa i parë nga tesera, pa i parë nga çfarë partie kanë, apo kë partinë duan dhe duke ju thënë të gjithëve, partitë mbajini për vete, Shqipëria që duam, është e të gjithëve sëbashku. Ka vetëm një parti që nuk e do Shqipërinë për vete, por e do për brezat që vijnë; Ajo quhet Partia Socialiste e Shqipërisë!

Ka vetëm një parti që nuk e do pushtetin për të vetët, por do shtet për të gjithë pa dallim, socialistë e demokratë, njerëz të zakonshëm të këtij vendi, që tek Partia Socialiste e Shqipërie kanë garancinë se asnjë fëmijë nuk do të mbetet rrugëve, asnjë familje nuk do të mbetet mbrapa, asnjë qytet, asnjë fshat, asnjë qendër e banuar nuk do të mbete jashtë frymës së Rilindjes që duam dhe për Shqipërinë që duam.

Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë! Rroftë Shqipëria!

* * *

Të nderuar anëtarë të Asamblesë dhe të dashur miq!

Është momenti për pjesën përmbyllëse, por jo më pak të rëndësishme, për të ftuar këtu protagonistët kryesorë të kësaj beteje për çdo votë, në çdo qark, në çdo bashki, në çdo njësi, në çdo qendër votimi. Protagonistë të këtyre viteve, të cilët kanë shumë për të treguar dhe kanë shumë për të dëgjuar dhe të cilët janë në vendin e duhur, për t’u thënë njerëzve sa shumë kemi bërë, sa shumë akoma mbetet për t’u bërë, por dhe sa shumë ka për të humbur.

Dua të ftoj me radhë;

Drejtuesin politik të Qarku të Shkodrës, ministrin tonë të Jashtëm, Ditmir Bushati;

Drejtuesin politik të Kukësit dhe të Dibrës, Ilir Beqajn;

Drejtuesen politike dhe ministren tonë fantastike, Lindita Nikollën, të Qarkut të Lezhës;

Drejtuesin politik dhe fitimtarin e denjë të të gjitha betejave për Durrësin, Vangjush Dakon;

Udhëheqësin politik të Tiranës, që nuk ka nevojë për t’u prezantuar përsëri, por që ka shumë për të thënë në këtë fushatë dhe është njeriu më bindës për të treguar se çka kemi bërë, mund të kthehet mbrapsht dhe se policët që hanë fara në udhëkryq mund të rishfaqen, deputetë që parkojnë veturat në trotuar mund të rishfaqen, apo të fortët dhe kriminelët në kërkim, që pinë purot në lokalet e qendrës së Tiranës, mund të rishfaqen dhe prandaj është shumë e rëndësishme që të votohet pa asnjë ngurrim për Partinë Socialiste të Shqipërisë; Saimir Tahirin;

Udhëheqësin e palodhur dhe të paepur, që ka aftësinë të jetë në të njëjtën kohë në vende të ndryshme, drejtuesin politik të Qarkut të Elbasanit, Taulant Ballën,

Një bashkëpunëtor shumë të vyer, një njeri me ambicie të madhe, por me një urtësi që nuk ia lë ambicien e madhe t’i duket, siç ia njoh unë, drejtuesi i Qarkut të Korçës, Niko Peleshin;

Njeriun që me dy zyra dhe me tre veta bëri reformën më të rëndësishme të këtij mandati, por edhe një reformë historike për Shqipërinë, sëbashku me një gjirokastrit, Bashkim Finon, drejtuesin e Qarkut të Gjirokastrës, Bledi Çuçin;

Drejtuesin që me një aftësi dhe vullnet për t’u marrë shembull udhëhoqi një ndër reformat më të vështira, por dhe një nga arsyet më të mëdha të krenarisë sonë, që është edhe kartëvizita jonë e garancive për të bërë shtet, reformën e energjisë, drejtuesin e Qarkut të Vlorës, Damian Gjiknuri;

Në fund, por jo i fundit për nga rëndësia, një socialist që qysh kur ka hyrë, ishte i vogël, por ishte i vjetër si socialist dhe që mbetet socialist i ri dhe i vjetër, por ka ç’të tregojë dhe ka ç’t’iu mësojë të gjithëve në Berat, sesi thellohet fitorja, pasi ka udhëhequr Partinë Socialiste në fitoren spektakolare, bashkë me Vangjushin, të 2013-s në Durrës, Blendi Klosin dhe dy vajza që mes nesh u bënë nëna, kryetaren e Forumit të Gruas Socialiste, Olta Xhaçka dhe Sekretaren e Rinisë, Elisa Spiropali.

Merrni shembull ju që jeni nëpër shkallët e pallatit nga anëtarët e Asamblesë, që do ulen dhe do dëgjojnë edhe përshëndetjet e shkurta të të gjithë udhëheqësve politikë të Partisë Socialiste, në këtë betejë për Shqipërinë që duam.

* * *

Jam pak i habitur se ndërkohë më kanë ardhur edhe nga salla, edhe nga jashtë sallës, disa mesazhe “nuk na the një fjalë për qeverinë teknike”. Mesa duket se kam përmendur fare dhe dua t’ju them të gjithëve që ne në këtë parti kemi luftuar në historinë e pluralizmit për votën e lirë më shumë se askush.

Historia e luftës për lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve për votën nisi me studentët që i dhanë jetë PD-së në vitin 1990, por qysh prej vitit 1996, kjo është historia e mbushur me beteja e Partisë Socialiste, të cilat kulmuan në vitin 2009 deri në vitin 2011, pas një refuzimi kategorik të armikut publik, numër një, të zgjedhjeve, Sali Berishës, për të hetuar zgjedhjet e vitit 2009.

 

Ne kontestuam zgjedhjet, kur rezultati u nda në fije të perit dhe hymë në një grevë urie vetëm për një hetim parlamentar. Ndërsa ata kontestojnë zgjedhje që nuk kanë ndodhur akoma dhe kanë hyrë në një çadër tallavaje nga ku kërkojnë qeveri teknike, sepse përndryshe nuk hyjnë në zgjedhje.

Tani më thoni, ku është parë dhe ku është dëgjuar një budallallëk i këtyre përmasave?!

Është një budallallëk kaq i madh, sa e keni vënë re, hutohen edhe disa që mbajnë me muhabet miletin nëpër banakët e televizioneve për rolin e opozitës në demokraci, për zgjedhje që nuk bëhen, po nuk deshi opozita, për kataklizmon që e pret Shqipërinë, nëse zgjedhjet bëhen pa opozitën dhe me radhë, shto ujë dhe shto petulla nëpër kuzhinat televizive.

Unë them që kjo është fiks fare, hedh një budalla një gur në lumë dhe 100 të mençur vrapojnë dhe nuk e nxjerrin dot. A ka marrë vallë, kjo qeveri, ndonjë masë shtrënguese që pengon ushtrimin e rolit të opozitës në jetën demokratike të Shqipërisë? S’ka marrë asnjë masë të tillë. Përkundrazi, kjo opozitë, ai grusht njerëzish në çadër është kori që ka folur gjatë kësaj legjislature në parlament, më shumë sesa shumica parlamentare. Lideri i tyre, Saliu, ka folur gjatë kësaj legjislature tre herë më shumë se Kryeministri. Atëherë, ku është problemi?

Ka marrë vallë, shumica parlamentare, ndonjë iniciativë me 84 e më shumë votat që ka për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme Kodin Zgjedhor? S’ka marrë. Madje, edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, për herë të parë në historinë e zgjedhjeve nuk janë miratuar ende, kur mbeten dhe pak ditë parlament, jo se nuk kemi vota, por se presin opozitën që të bëhet mbarë.

A ka ndodhur ndonjëherë, qëkur mbani mend ju këtu dhe të gjithë ata që na ndjekin, që qeveria t’i thotë opozitës “hajde kur të duash, kërko çfarë të duash për ligjin e zgjedhjeve dhe ne do ta bëjmë si të duash ti, mjafton që arbitri ndërkombëtar, jo këtu në Shqipëri, por kudo ku bëhen zgjedhje demokratike në botë, OSBE/ODIHR të mos thotë “jo nuk bëhet”? Edhe kjo nuk ka bërë vaki kurrë.

Atëherë, për të gjithë ata që kërkojnë të nxjerrin gurin që ka hedhur, gurin e qeverisë teknike, nga lumi që ka marrë opozitën, duke vajtuar si do bëhen zgjedhjet pa opozitën, lind një pyete shumë e thjeshtë: Kur opozita nuk do zgjedhje, a është demokratike që zgjedhjet të bëhen vetëm kur do opozita?

Demokracia nuk ndalon askënd të hyjë në zgjedhje, kur do që të zgjidhet, por demokracia as nuk i detyron të gjithë që të hyjnë në zgjedhje dhe kur nuk duan. Kjo është demokraci. Do të hysh në zgjedhje, hyn në zgjedhje. Nuk do të hysh në zgjedhje, nuk hyn në zgjedhje.

Nëse diktatura është dhuna e shumicës mbi pakicën, demokracia nuk është përdhunimi i shumicës nga pakica. Për më tepër, opozita në një vend pluralist nuk është monopoli i një partie, sado e madhe të jetë dhe sado parti të vogla të ketë rreth e rrotull. Mbase katandisja e Partisë Demokratike nga një alternativë qeverisëse në një çadër televizive, klithmash e kërcënimesh mes bulevardit, ku ta dimë ne, mund të jetë epilogu i historisë së asaj partie, siç e kemi njohur deri sot.

Por misioni i demokracisë shqiptare nuk është të shpëtojë një apo disa parti nga shkatërrimi. Nëse PD-së i ka ardhur dita t’i japë lamtumirën jetës politike, bashkë me Zotin Nardi dhe Zotin Vangjeli, ne nuk mund veç t’i themi “lamtumirë!”.

Misioni i demokracisë shqiptare është të garantojë lirinë dhe të drejtën e çdo individi për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur dhe çdo subjekti politik që të lindi dhe që të vdesë sipas dëshirës. Nëse duan ta vdesin PD-në, ata e kanë në dorë. Ne nuk i ndihmojmë dot që ta mbajnë gjallë.

Kështu që, keqardhje vetëm për ata që e votojnë PD-në, asnjë keqardhje për ata që e drejtojnë PD-në. Ne, as kemi marrë dhe as kemi ndërmend të marrim përsipër barrën për ta ndalur PD-në të iki në drejtim të paditur. S’është puna jonë dhe se kemi fare merakun se mund të mbetet vendi pa opozitë, nëse nuk vjen Saliu, bashkë më ata llafazanët e çetës së tij, në parlamentin e ri.

Opozita është prodhim i lirisë, jo liria prodhim i opozitës. E përderisa jemi në liri, të jeni të bindur, opozita kurrë nuk do të mungojë. Edhe nëse PD-ja, bashkë me Zotin Nardi, bashkë me Zotin Vangjeli, nuk hyjnë në zgjedhje, të jeni të sigurtë se do ndryshojnë emrat, do ndryshojnë flamujt, por opozitën në parlament do ta shikoni. Sepse opozitën e prodhon liria.

Shqipëria në 18 qershor do bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Partia Socialiste do të hyjë në këto zgjedhje për të gjitha ato arsye që thamë sot dhe për të gjitha ato që do të themi në këto 75 ditë dhe pastaj, të tjerët janë në të drejtën e tyre të hyjnë, të mos hyjnë, të rriten, të zvogëlohen, të jetojnë, të “vrasin” veten.

Kështu që asnjë merak për qeverinë teknike. Është guri i hedhur në lumin që ka marrë Partinë Demokratike. Kush shkon për ta nxjerrë atë gur, të bëjë kujdes se mund të mbytet në atë lumë.

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

5 komente në “E PLOTE/ Zgjedhjet, më 18 qershor. Koalicioni ku jemi, opsioni ynë më i pëlqyer”

  1. Parti Enver jemi gati kurdohere. says:

    Ka 4 vjet qe ju rren Edvin Rama.Numer 1 per antivetingun.


    Kot shani vetem Ilir Meten dhe Baftjarin e Cadres.


    4 vjet as veting sberi, 4 vjet na solli plehra dhe muhaxhedine
    4 vjet e beri shqiperine Lazarat
    4 vjet aleance qelbesirash
    4 vjet rrenim ekonomik
    4 vjet asnje investim
    4 vjet vetem ekspozita ,udhetime neper bote dhe Facebook

    lejo komentin te lutem

  2. kleptofagos says:

    Ne raportin e Rames po vecoj vetem fjaline se “nuk ka drejtesi pa vetting” dhe ne parim ka te drejte. Shqiperise i mungon kryesisht zbatimi i ligjit, pra drejtesia. Por kush e ka penguar vendosjen e ligjit dhe te drejtesise ne Shqiperi? Dihet se jane Hajdutet! Te gjithe bien dakord ne kete pike. Por kush jane hajdutet ne Shqiperi? Ne fillim ishte banda e Sali Berishes, deri sa erdhi katrahura e 97-es. Pastaj erdhi banda e Fatos Nanos qe “me duar te pastra” vazhdoi pa u ndjere traditen e meparshme, njekohesisht duke ujdisur punet me Berishen per te arritur e mundesuar riciklimin e tij te radhes. Nderkohe partite politike u shndrruan ne prona private te krye(klepto)tareve te tyre, te cilet emerojne ne vazhdimesi sejmenet dhe ortaket perkates ne postet kryesore te shtetit. Bejne sikur grinden me njeri tjetrin, shahen edhe me liber shtepie, por askush nuk ndermerr hapa ligjore te verteta per te penalizuar fajtoret e dokumentuar me fakte dhe blloqe korrupsioni ne dore. Sajojne “kriza” dhe debate pa fund per te hutuar dhe ne dem te shqiptareve qe paguajne gjithmone kostot dhe haracet dhe po vete, ne minuten e fundit bejne gjoja sakrificat e tyre per kompromiset e radhes. Farsa vazhdon edhe sot me akrobacite e partive te ashtuquajtura te vogla, (LSI, PDIU e PDS-icka te tjera) qe diten ngrysen me Berishen dhe naten flejne me Ramen. Ka arritur puna deri aty, sa parlamenti eshte mbushur me kriminele te faktuar nga gjykatat nderkombetare, qeveria me ministra qe jane hajdute tenderash dhe koncesionesh, mediat te shitura dhe te blera nga pushtetaret, vendi i kthyer ne republiken e kanabisit, qytetet te pushtuara nga kryebashkiake militante dhe te paafte dhe e fundit, tema e dites, drejtesia e munguar qe eshte mbushur me gjykates te cilet grabisin popullin e thjeshte.
    Tani beni dhe ju konkluzionin tuaja: Mbas gjithe atij goxha fjalimi programatik dhe njekohesisht demagogjik ne asamblene e tij te radhes, Rama shkon e darkon me ortakun Meta, sepse koalicioni me hajdutet eshte opsioni me i pelqyer prej tij… Vertet shpresoni akoma tek Veting-u qe mund te beje Rama+Meta+Basha(Berisha)?
    Une kam shume vite qe nuk shkoj ne votime, deri sa abstenimi popullor, kunder te gjithe klases politike, te arrije deri ne ate shkalle qe faktori nderkombetar te ndergjegjesohet se Shqiperia nuk behet nga shqiptaret.

  3. Beqir says:

    Ke te drejte,me kete popull qe do qaj dhe 4 vjet te tjera ,me vjen keq se i gjati do ta marr.prandaj jami dele.

  4. Beqir says:

    Ke te drejte,me kete popull qe do qaj dhe 4 vjet te tjera ,me vjen keq se i gjati do ta marr prandaj jemi dele.
    Si zakonisht si demokrat qe jeni mos e posto.

  5. edi says:

    kater vjet
    as nje kilometer rruge e re
    as edhe nje investitor i huaj serioz
    as edhe nje vend pune i ri fale politikave dhe lehtesive fiskale nga ana e qeverise
    shume biznese informale prane qeverise u forcuan dhe vazhdojne te rrjepin parate publike nderkohe qe bizneset e ndershme formale u persekutuan dhe vazhdojne te luftojne per mbijetese nderkohe qe bizesnet e beqajt, nikolles, gjiknurit dhe metrave e leshelistave dhe pdiuistave po lulezojne duke rrjepur parate publike
    kush ka biznes e di se keto kohe jane nisur taksadaret e administrates qe po i vjen fundi per te bere presion , vijne disa djem te rinje barkderra qe jane diku tek 30 dhe flasin ne emer te haracit qe kerkon shefi se ata duan vetem pak per veten e tyre, ky eshte shteti dhe administrata qe duam,
    kryemisnitri ne detyre ende nuk e ka kuptuar se jeton me parate e taksave tona dhe per fat te keq vazhdon te sillet si pronari yne ne vend qe ta uli koken dhe te jape llogari per deshtimet , vjedhjet , korruspionin dhe abuzimet me parate dhe taksat tona
    a mund te na thote se ne cilin vend kryeministri shkon me gjithe bashkeshorten dhe shtrohet per nja 5-6 dite neper udhetime ekzotike sa ne azi apo amerike ? a mund te na thote kryeministri sesa efektive kane qene keto udhetime luksi, sa para kane sjelle dmth sa biznese te huaja kanae ardhur ZERO per kater vjet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *