RREFIMI: Si dha frymën e fundit në dorën time, Bujar Bishanaku

3 Prill 2017, 11:33Dossier TEMA
RREFIMI: Si dha frymën e fundit në dorën time, Bujar Bishanaku

Paraditen e 2 prillit të vitit 1991, në selinë e Partisë Demokratike në rrugën e Kavajës erdhi një lajm i keq.  Në protestë në Shkodër ishte vrarë Arben Broci, themelues i Partisë Demokratike një prej studentëve më aktiv në lëvizjen e dhjetorit 90. Bashkë me të u vranë edhe tre të rinjë të tjerë, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku dhe Nazmi Kryeziu.

Mëngjesin e asaj dite, në zyrën e PD-së në Tiranë  ishte Sali Berisha dhe disa drejtues të tjerë të PD-së. Berisha  vendosi të dërgojë në Shkodër një grup nga kryesia e PD-së për të ndjekur nga afër situatën. Aty për aty ai zgjodhi të dërgojë Edmond Trakon e Blerim Çelën. Rrugës ata do të bashkoheshin edhe me Azem Hajdarin për të shkuar në Shkodër.

Sheshi qëndror i qytetit ishte kthyer në një betëjë lufte. Palët  nga kushedi se ku, protestuesit po qëlloheshin me armë në një protestë ku të gjithë ata që protestonin ishin pa armë. Katër të vrarë dhe dhjetra të plagosur do të ishte bilanci tragjik i asaj dite. Një prej protagonistëve të asaj kohe e rrëfen kështu ditën e 2 prillit. Edmond Trako, një prej themeluesve të PD-së rrëfen se si  dha frymën e fundit në prehrin e tij, Bujar Bishanaku, një prej katër të vrarëve në protestën e 2 prillit në Shkodër.

Një gjerdan me fishekë, një kapele e grisur polici dhe disa plumba të mbledhur në fushë betejen para komitetit të partisë në Shkodër ishte dëshmia që sillte nga qyteti antikomunist, dërgata demokrate e Sali Berishës.

Ja si e rrëfen Edmond Trako atë ditë, si mjek që u gjend pranë njërit prej viktimave në çastet e fundit të jetës së tij.

Zoti Trako, ju keni qënë një ndër të deleguarit e Partisë Demokratike në Shkodër, ditën kur në 2 prill u vra Arben Broci bashkë me tre djem të tjerë. Si e mbani mënd atë ditë?

2 prilli i vitit 1991 është një nga ngjarjet më të bujshme qoftë të periudhës në të cilën u zhvillua si ngjarje, qoftë edhe në kujtesat që i janë bërë asaj dite ndër vite. Kjo për faktin se mjaft persona që u përfshinë qoftë atë ditë, para ose pas 2 prillit, vazhdojnë të jenë ende aktivë në politikën shqiptare. Arben Broci dhe tre të tjerë dhanë jetën atë ditë për aspiratat e një Shqipërie demokratike por ato mbeten vetëm aspirata. Kjo bën që 2 prilli të kujtohet si ngjarje e dhimbshme sot e kësaj dite.

Si u gjendët atje dhe çfar mbani mënd nga ajo ngjarje?

Ishte mëngjesi e asaj date dhe ishim në selinë e PD, ku sot është poliklinika  “Zonja e Këshillit të Mirë”. Ishte ora 9:30 në mëngjes., ishim 7 apo 8 vetë në seli.

Një telefonatë nga Shkodra njoftojnë kryetarin e  partisë, Sali Berisha, që në shkodër ishte një situatë shumë e ndërlikuar, ishte sulmuar komiteti i partisë dhe ishte vrarë Arben Broci. Ai ishte një ndër themeluesit e PD-së, student i dhjetorit, anëtar i krysisë së PD shkodër, një ndër 30 studentët që shkuan të Ramiz Alia. Ishte një ndër figurat kryesore të PD jo vetëm në Shkodër por edhe në qëndër. Në atë moment u kërkua që dikush të shkonte si përfaqësi në Shkodër për të ndjekur nga afër ngjarjen në Shkodër.  Dikush u hodh dhe i tha Berishës: Ju si kryetar duhet të shkoni. Berisha refuzoi dhe mu drejtua mua: Shko ti Edmond. Une i thashë po shkojmë, por bashkë. Me tha nuk mund të vi se unë duhem këtu. Atëherë unë i thashë meqënëse duheni këtu në rregull po shkoj dhe bashkë me mua erdhi edhe Blerim Çela. Jemi nisur për në Shkodër dhe rrugës na është bashkuar edhe Azem Hajdari mu te shkallët e selisë së PD, sapo ishim nisur.

Kur kemi arritur në Shkodër qysh në hyrje pamë që vërtet situata ishte jashtë mase e tensionuar. Ishin përhapur gjirthfar lloj lajmesh. Se ishte vrarë Xhelil Gjoni, se ishte sulmuar Komiteti Qëndror etj etj dhe ne na thanë pse kishim ardhur në shkodër. Në hyrje të Shkodrës kishte përqëndim forcash policore dhe ushtarake. Sa më shumë i afroheshim zonës ku ishte komiteti i partisë dhe selia e PD, përqëndroheshin më shumë forcat policore e ushtarake. Kur mbërritëm në seli gjetëm Ali Spahinë dhe Pjetër Abrnorin duke dhënë një intervistë për disa media të huaja. Atje ishte edhe Shenasi Rama. Prej andej jemi larguar drejt Radio Shkodrës. Para komitetit të partisë ishte një situatë lufte. Më kujtohen si tani disa makina policie dhe një autblind që kishte marrë zjarr.

Nga ai autoblind arrita të marrë një gjerdan me disa fishekë që i kishin mbetur, si relike dhe një plumb të atij gjerdani e kam akoma dhe po jua jap ta shihni.

Kam mbledhur edhe disa plumba te Komiteti i Partisë pasi kishte me shumicë në tokë. Mora edhe një kapele polici të shqyer të cilën e gjeta në Tokë.

Ndërkohë ishin katër të vrarë dhe disa të plagosur?

Po, një prej personave që u vranë atë ditë Bujar Bishanaku. E mbaj mënd të plagosur rëndë dhe e shopqërova në spital meqënëse isha mjek. Ka vdekur në dorën time. Mbaj mend që një pjesë e të plagosurve sepse ishin dhjetra të tillë, kishin plagë të thella. Unë u lejova të hyja në spital meqënë se isha mjek. Situata në spital ishte shumë e rëndë.

Ndërkohë autblindët dhe forcat policore e ushtarake ishin në shesh..?

Pasi dola nga spitali, moment tjetër që kam fiksuar te Radio Shkodra , mos gaboj është filmuar, shikoj të hipur në verandën e Radio Shkodrës Azem Hajdarin. Po fliste dhe po mundohej të qetësonte turmën. Ai bënte thirrje për qetësi, i bëntë thirrje njerëzve që të largoheshin që të mos derdhej më gjak. Situata ishte e pakontrollueshme. Megjithse kishte forca të shumta policore dhe ushtarake. Kishte disa makina tip “Ifa” të ushtrisë që mbanin mbi kabinë nga një mitroloz. Të lëvizje rrugëve të Shkodrës me mitroloz mbi makina ishte kaq e vështirë. Shoferi që kishim na lutej vazhdimisht të iknim sepse situata ishte kaq e rrezikshme. Nuk di se sa herë kemi shpëtuar rastësisht pasi plumbat vazhdonin e vinin majtas e djathtas. Mbaj mënd që u organizua një mbledhje me autoritete lokale, përfaqësues nga forcat politike, përfaqsues të fesë etj. ishin mbledhur për tu angazhuar për të qetësuar situatën.

Mbaj mënd që në atë mbledhje ishte edhe Gjek Çela dhe shefi i tij i policisë. Më vonë ata u morën të pandehur si përgjegjës për ngjarjet në Shkodër. Ajo mbledhje zgjati rreth 2 apo 3 orë. Në darkë vonë jemi kthyer të tre bashkë, unë, Azemi e Blerim Çela në selinë e PD. Atje gjetëm drejtues të partisë dhe disa të huaj Mbaja në dorë gjerdanin me fishekë dhe mu sulën sidomos të huajt, ishin pjesë e Institutit demokratik Amerikan, mi morën të gjtihë fushekët që mbante gjerdani dhe unë arrita të mbaja vetëm një prej tyre. Më morën edhe kapelën e policit.. i donin për relike.

Mbaja në dorë edhe fotografitë e viktimave të cilat u botuan në numrin e RD-së.  Fotografinë e Arben Brocit ma ka dhënë nëna e tij, fotografinë që e disponoj akoma.

Në përfundim, mendoj se është një nga ngjarjet më të rënda të asaj periudhe.  Ata u qëlluan sipas gojdhënave nga snaiper plumba qorr etj por ne si pamë se nga vinin plumbat dhe nuk morëm vesh kurrë nga erdhën ato plumba që vranë ata katër djem të Shkodrës.

Të nesermen është nisur një dërgatë nga selia e PD për të marrë pjesë në varrimin e viktimave. Mbaj mënd që nuk me morën dhe më ka mbetur merak sepse doja të shkoja të ngushëlloja nënat e atyre katër djemve. Unë e kujtoj gjithmonë 2 prillin sepse e përjetova nga afër. E Kujtoj sespe u ndanë nga jeta ata të rinj dhe unë mendoj se duhet të kujtohet si ngjarje për rëndësinë që pati qoftë ato ditë qoftë për arsyen tjetër madhore se mbeti e pazbardhur. (27.al)

1 komente në “RREFIMI: Si dha frymën e fundit në dorën time, Bujar Bishanaku”

  1. Xen deledashi says:

    Dora e Sali malokut. Të vret natën e të qan diten

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje